Njerëzit qanin dhe puthnin autobusin e pluhrosur, sepse brenda ishte artistja e tyre. Mbi metalin e pluhrosur mbeteshin gishtërinjë, simbolet e shenjat e tyre… Kujtime nga Hys Shkreli, moderator i koncertit të vetem te Vaçe Zelës në Prishtinë, para tri dekadash e gjysmë.

Vaçja, e kujtimeve te mia, po hynte në Kosovë për turnenë e saj të parë e të fundit në këtë vend. Viti 1979. Ajo Vaçe, atë ditë maji, zbriti qetë si një flutur nga një kombi-bus i vjetër. U përqafua me ne, sikur të vazhdonte një përshëndetje të filluar dekada më herët. Në atë moment, m’u bë sikur po takoheshin dy shekuj, dalë nga një popull. Aq e gjatë na ishte bërë ajo ndarje. Ne po prisnim në atë kufi, rreth një gjysmë shekulli, Vaçe…

Kishim dalë në kufirin që atëherë quhej jugosllavo-shqiptar, për të takuar grupin më të madhe e më të njohur të artistëve nga Shqipëria, të cilët po vizitonin për herë të parë Kosovën. As qe kam mund të ëndërroj në atë moment që, një ditë do të lavdërohem pse isha unë ai që e pagëzova “kufiri shqitaro- shqiptar”, e të tjerët e shpërndanë këtë emër.

Ju pëlqen!

Atë ditë, më ty Vaçe filloi shembja simbolike e kufirit. E vërteta, kënga jote e kishte kaluar e rrënuar atë kufi më heret. Ai kufi, at ditë pranvere, dukej si toke e vdekur, tokë e askuj. Pa jetë e gjallëri. Aty s’ kishte arrijtë pranvera kurr, shekujt ishin ndalur. Dhe kjo pamje dëshmonte se sa e thellë ishte kjo ndarje e imponuar midis Kosovës e Shqipërisë. Por, atë ditë, u ngjallë ai vend si asnjëherë më parë, më ty e të tjerët qe po e thyenit at mur, duke na sjellur këngëtarët e ndaluar – në Kosovën e izoluar. Vendkalimin kufitar e kishin vërshuar banorë të fshatrave për rreth , të cilët kishin dëgjuar për arrijtjen tënde e të artistëve tjerë të këngës. U dorëzuam para emocioneve…Të veshëm me lule e lot.

Ti po shkelje për herë të parë, në Kosovë. Mbase nuk e dije, qe ti kishe jetuar në Kosovë shumë vite – si këngë. Në atë karavan pos teje, ishte edhe Limos Dizdari, Gaqo Çako, Luan Zhegu, Liliana Kondakçi, Zina Zdrava, Hysni Zela, e shumë të tjerë, më të cilët ne jetonim në Kosovë, por kurrë nuk i kishim takuar. Ato vite, pas dekadave te izolimit, muri i ndarjes – po plasaritej. Në këtë klimë të re politike, artistët më të njohur të kengës nga Shqiperia, po fillonin turnenë e tyre të parë në Kosovë e Maqedoni. Disa prej tyre, nuk kishin udhëtuar kurr më parë jashtë Shqipërisë. Për herë te parë po shkelnin në një tokë të dytë – shqiptare. Ishin këto, yje të Shqipërisë të cilët ndriçonin edhe në Kosove, mirëpo kurrë nuk kishin shkelur në këtë vend…

Isha gazetar , por bëja edhe moderime spektaklesh publike të asaje kohe. Më ftuan të shoqëroja këtë grup dhe të drejtoi koncertet. Udhëtimi më artistët nga Shqipëria ishte udhëtim nepër kohe, dhëmbje e ngjarje. Mbushur më momente gëzimi e gazmendi, por gjithnjë të përshkuara më situata prekëse e emocionuese. Ishte ndjenjë e çuditshme të celebrojsh takimin e shqiptarëve – më shqiptarët, rilidhjën e rrenjëve të shpërndara, ngjalljen e urave të rrënuara, bashkimin e gjakut të shprishur.

Udhëtonim më autobusë, nga një qytet në tjeterin. Kudo që ndalëshim, rruga bëhej lum njerëzish, lagja ngjallej, qyteti zgjohej . Zejtarët para dyqaneve, plakat në dritare, të rinjte më lule – sikur takonin ëngjujt e ëndërruar. Mirëpo, në çdo turmë, kishte ndonjë nga “ata”, për të kontrolluar shprehjen e asajë, që politika e quante “manifestim i nacionalizmit”. Ndaj vërehej së kishte edhe dashuri të kontrolluar, posacërisht kur njerëzit flisnin më fytyra e jo më goje. Kur goja heshte e sytë, mimika, e shpirti flisnin. E dinim se çdo eufori e tepruar, do te rezultonte më limite të reja nga pushteti jugosllav. Ndaj, edhe në këto emocione kishte vetëpërmbajtje, vetëcensurë.

Në vendet e palestra ku këndonit ju Vaçe, njerëzit prisnin më lule, mall dhe zjarr. Të ekzaltuar, ata xhvishnin këmishat e xhaketat dhe u vinin flakën. Digjëshin këmishat, digjëshin ndalesat, e zemrat. Digjëshin ndarjet e kufijt. Ato koncerte, ishin kremte dhe protestë. Simbolikisht, ata po digjnin kohën e politiken qe ndau kombin. Ndaj, ato tubime nuk ishin vetem muzikore. Ishte ai vit i çmalljes së madhe shqiptaro-shqiptare… Shoqëronte Orkestra e Madhe e Radiotelevizionit te Prishtinës. Me vjen keq qe s’mbaj mend drejtuesit e Orkestrës, por di se Severin Kajtazi, Isak Muqolli, Krist lekaj…ishin nder më të angazhuarit . Kjo Orkestër, për herë të parë po shoqëronte solistë nga Shqipëria, ndaj të gjitha orkestrimet duhej pregaditur, dhe luajtur drejtëpërdrejtë para publikut apo “live”, siç do të thonim sot.

Vaçe Zela. Kur dëgjova se je bërë luleborë e Alpeve të Zvicrës, pranë Aleksandër Moisiut, m’u ngjall ajo Vaçja të cilën, e takova në atë pranverë të hershme, ulur në një autobus të bardhë (të “Turist Kosovës”), duke pushtuar me sy luginat e Dukagjinit e Majat e Bjeshkëve të Nëmura… E shoh edhe sot atë fytyrë dhe ata sy, që thithnin nga dritarja ato peizazhe të vendit të cilit i kishte kënduar e kurrë nuk e kishe parë. E kur autobusi më këtë karvan të këngës ndalej, atëherë krijoheshin imazhet ikonike që preknin shpirtërat. Njerëz të emocionuar rrethonin autobusin dhe preknin atë metal të ftohtë, duke kërkuar dorën tënde, Vaçe. Policia i shpërndante dhe nuk lejonte hapjen e dyerve. Të rinj të emocionuar puthnin autobusin, pse ti ishe brenda Vaçe. Gishtërinjtë e lotët e tyre, linin gjurmët mbi autobusin e pluhurosur që na e zinte frymën në ato momente. Ata shkruanin vargun e tyre për ju… Ti, Luani, Limosi, Hysniu e të tjerët, përpiqeshit t’i fshihni lotët e ta ruani buzëqeshjen. Shqiptarët qanin për shqiptarët. Për një çast, harroheshin të gjitha këngët. Ata ishin aty, jo vetëm për ty, dhe jo vetëm për hir të këngës. Ata donin ta takojnë Shqipërinë e ndaluar. Donin të bëhen dëshmitarë të historie të re. E Shqipëria ishe ti, në ato momente. Ata po takonin vendin e shkëputur prej tyre, e ndonjëri edhe rininë e shënuar me këngët tua. Nga ata që prisnin, kishte edhe njerëz të cilët kishin bërë burg për një këngë tënden ose të këngëtarëve të brezit tënd. Për gjeneratat e sotme, kjo pamje, vështirë shihet si e tillë… Shqipëria, në atë kohë ishte shumë, shumë larg. Ti udhëtove gati dyzet vjet, për të arritur në Kosovë.

Vaçe Zela, sot kujtimet e mia për ty, më sollën nga pertej Atlantiku. Më këthyen në qytezën e vogël të Therandës (Suaharekës). M’u ngjalle Vaçja, në atë drekën e parë që patëm së bashku në restorantin “Ballkan”. Aty ishim pakëz më të izoluar nga publiku, ndaj biseduam për shumë gjëra, por jo edhe për ato që na interesonin më se tepërmi. Për ato, nuk të pyeta e as nuk më pyete. Sepse e dinim se rreth nesh ishin “ata”. Sa herë që biseda jonë bëhet më e afërt, ndonjëri nga “ata” afrohej e ndërhynte me ndonjë pyetje të pakuptimtë. “Ata” ishin edhe nga ana juaj, edhe nga ana jonë. Nga Sigurimi i Shqipërisë dhe Sigurimi Jugosllav. Pak a shumë, ne e dinim cilët janë, ndonëse ishin të kamufluar në profesione të ndryshme. Ishte ndjenjë ngulëfatëse të flasësh pa fjalë. Të ndjesh dikë aq të afërt, por të mos mund të bisedosh lirshëm. Fytyra plot shprehje e goja memece. Aty dëgjova më tepër për jetën tende. Mësova që ishe nuse e Kosovës, siç do të thoshin vendasit e mi, pasi bashkëshorti yt kishte rrënjët nga Janjeva. Ti kuptove më mirë se sa e njohur dhe e respektuar, ishe në këtë vend të cilin po e zbuloje. U befasove kur të thash se, në këtë anë të Alpeve, të quajnë Mirej Matje shqiptare. Modestia jote, të bënte edhe më të madhe se që të dinim.

Lexoja fytyrën tënde dhe shihja përplasjen e ëndrrave tona mbi Shqipërinë e panjohur. Lexoja veshjen tënde të thjeshtë, por elegante dhe bëhesha skenë e jotja. Dëgjoja fjalën tënde dhe tërë ato këngë të njohura, bëheshin dialog i asaj dite. Unë kisha njëmijë pyetje, ti pa dyshim, shumë përgjigje, por i heshtëm dhe ia lamë kohës. Pastaj, shikoja fytyrën e Agron Çobanit, i cili ju printe, asokohe drejtor i Radio Tiranës. Fytyra e tij, më ngjallte tregimet për shqiptarët të cilët, burgosur nga pushteti jugosllav, vetëm pse kishin dëgjuar haptas Radio-Tiranën e ndaluar. Jeta është plot ironi. Ai rrinte i heshtur dhe askush nuk e njihte, sepse ishte ti Vaçe, ajo që të njihnin dhe donin të të takojnë. Po bisedonim sikur njiheshim prej vitesh edhe pse kurrë nuk ishim parë.

Gjenerata ime ishte rritur më këngët tua. Ne qe kishim vizituar Shqipërinë në atë kohë, e dinim se “Valsi”yt i lumturisë nuk ishte për lumturinë e atyre viteve, por, vals i një lumturie të imagjinuar – që mungonte . Kënga jote për “Diellin e ri”, kishte një porosi universale e optimizëm njerëzorë. Do të mund të këndohej në çdo kënd e çdo gjuhë të botës.

Ditët tona së bashku, pasuroheshin me ngjarje, biseda, e humor. Limoz Dizdari, Gaqo Çako, Luan Zhegu e të tjerët, kishin sjellë me vete jo vetëm këngët, por tërë sharmin e fshehur të Shqipërisë. Duke e njohur pak a shumë gjendjen në Shqipëri, unë gabimisht kisha fituar përshtypjen se atje, njerëzit nuk kanë kohë për të qeshur. Mirëpo ju, me barsoletat e tregimet tuaja, e rrënuat at mal dyshimi, dhe na bëtë të ndjehemi si një familje që po jetonte në bashkësi me vite. Ato ditë, e bëmë një Shqipëri të Bashkuar, një Shqipëri të Madhe sa kënga jote.

Në çdo qytet qe vizitonim shpërthenin vullkane admirimi e dashurie për ju. Por, ndeshnim edhe ndonjë befasi të pakëndshme. Gadi në çdo sallë ku ti do të këndoje, na priste Titoja i varur në mur, si një mumje. Zyrtarët nga Shqipëria kishin kërkuar që të largohet fotografia e këtij diktatori. Ky ishte qëndrim më të cilin nuk bëheshin kompromise. E njëjta rregull vlente për artistët nga Kosova në Shqipëri: Fotografia e Enveri nuk guxonte të ishte në sallë. Ndaj, pyetja më delikate ishte se, kush do ta largojë Titon, e kush Enverin – nga koncerti. Disa herë, kjo çështje gati solli ndërprerjen e turneut.

Udhëheqësit lokal, kishin frikë ta largojnë.

Në momentet e fundit gjithnjë gjendej dikush i “gjithëfuqishëm” që Titon e nxirrte jashtë. Zakonisht e largonin gjatë kohës së drekës, kur salla ishte e zbrazët, qe të mos dihet kush.

Njëri prej atyre që merreshin më këtë punë ishte udhëheqësi i atëhershëm i Radio Prishtinës Shaban Hyseni, të cilit ia kishin besuar kujdesin për çështjet e nxehta politike. Ndonëse atë e akuzonin si titoist, ishte ky ai që zakonisht e nxirrte Titon nga salla. Shumë vite më vonë, Titoja nga varri, iu hakmor Hysenit; E shkarkuan nga puna dhe të gjitha funksionet, pse kishte larguar fotografinë e Titos në sallat ku këndonin artistët nga Shqipëria.

Si një korb mbi kokë, na rrinte presioni i imponuar nga censura e autocenzura. Njëra vinte nga pushteti, e tjetra nga droja që të mos t’i thyejmë rregullat e imponuara. Duhej matur çdo fjale që flitej, posaçërisht para publikut. Çdo këngë, tekst e konferencë, kalonte nëpër lupën e censorëve nga të dyja palët. Tani, kishim censorët nga të dy diktaturat.

Eprorët e tu, më këshilluan që moderimin ta bëj sa më zyrtar. Ata kritikuan pse moderimi im, sipas tyre, dukej pakëz perëndimor. Më këshilluan që të mos e ngre zërin, kur shqiptoj emrat e artistëve, sepse kjo ua kujtonte moderatorët italian, stil ky i vlerësuar si modernist e borgjez në Shqipëri. Nderhyri edhe cenzura kosovare. Pasi që në atë kohë, dygjuhësia në Kosovë ishte e obliguar në tubime publike, më thanë që do të duhej të përshëdesja publikun me një fjali edhe në gjuhen serbokrate, ose ata do të angazhonin një moderator serb. Nuk di, nëse ky një provokim. Nëse publiku serb, vjen në koncerte të Vaçe Zelës, atëherë bisedojmë për çështje, sugjerova unë.

A të kujtohet koncerti në Prishtinë? Na the, se as në Shqipëri, nuk kishe përjetuar momente te tilla. Ishte ngjarja më e madhe skenike që kishte parë Prishtina, në ato vite. Në Palestrën e Sportit, ku mbahej koncerti, po takoheshin të gjithë lumenjtë shqiptarë. Njerëzit nga rajonet, kishin ardhur për t’i lidhur dekadat e shkëputura nëpërmjet zërit tënd. Ti e ndeze Prishtinën dhe ua shkunde rrudhat atyre që kishin filluar të vjeshtohen e nuk shpresonin që një ditë, do të të kenë në skenën e qytetit të tyre. Këngët e tua i dhanë një shpirt të ri atij qyteti. Sot, sikur i shoh imazhet e nënave që sjellin edhe foshnjat e tyre për t’ u fotografuar me ty, të bindura së ato momente nuk vijnë më, por bëhen histori.. A të kujtohet gazetarja që ndërpreu intervistën me ty, sepse nuk i përmbante dot lotët…

Njerëz që kurrë nuk të kishin takuar, nëna, gjyshe hynin me fëmijë në dhomën tënde prapa skenës dhe shtangoheshin kur të shihnin: Ata qanin – ti qaje. Kishte diçka të çuditshme, gati hyjnore në ato përqafime. Herë-herë, u ngjanin takimit më dikënd që sapo ka dalë nga burgu. Disa, si të hipnotizuar qëndronin para teje e t’i puthnin duart. Nuk flisnin shumë. Lotët u zinin vendin fjalëve. Dhe, këto skena përsëriteshin pa ndërprerje.

Atë natë, ajo sallë u bë lulishte. Njerëzit prej ngado sillnin lule për ty dhe këngëtarët e tjerë. Në fillim, lulet u dorëzohëshin artistëve, mirëpo papritmas kjo ndryshoi… Pastaj kuptova se tufat me lule, kishin një sekret brenda. Njëri nga “ata” (të Sigurimit të Shqipërisë), m’u afrua dhe më dha një si gjysmëurdhër: “Lulet do t’i pranosh vetëm ti, jo artistët dhe do t’i sjellësh në zyrën tonë…” Ai donte të linte përshtypjen se kjo ishte çështje e sigurisë, mirëpo shpejt zbulova të vërtetën kur gabimisht hyra në dhomën e “atyre” dhe vërejta lule të shpërndara nëpër dysheme. Po kërkonin diçka midis luleve. Vetëm atëherë kuptova se njerëz nga publiku, hiqnin stolitë e arit nga trupi, dhe i fshihnin midis luleve për të ua dhuruar artistëve në skenë. Çiftet, po dhuronin kujtimin e shenjtë të kurorës së tyre – unazën e martesës, por Sigurimi po i merrte ato.

Ishte ajo gjëja më e vogël e mirënjohjes admiruese që mund të shprehnin ne ato momente për ju.. Urdhrin për lulet, kryesisht e injorova duke aktruar ngathtësinë. Sepse, nuk mund të grabisja lulet që ishin sjell për ju, as stolitë e unazat që kishin dalë nga duart e adhurueseve tuaj, për ty e të tjerët…

Vaçe Zela. A të kujtohet mbrëmja e fundit para se të ndahemi në Ohër? Nata e fundit në Hotelin “Metropol”, ku kënduam, festuam e qeshëm deri në mëngjes. E në agim, si një këmbanë, na ngriti në këmbë Gaqo Çako me thirrjet e tij nga tarraca e hotelit, më tërë zërin që kishte…”Ooo Selimoooo”… Thërriste Selimin nga njëra anë e Liqenit të Ohrit në tjetrën. E dinim se Gaqo kishte pirë pakëz raki, por nuk ishte i dehur. Thërriste me tërë zërin. Kush është Selimi, u interesuam ne?

Gaqoja, sqaroi se, matanë liqenit, në Poradec, paska një kolegë ushtrie që quhej Selim, si duket nuk kishte kujtime të mira me të …” Dua t’i them atij, ja ku jam unë e ku je ti”, shtoi ai. Gaqoja, për herë të parë e ndiente veten më i fuqishem se Selimi, i cili, si duket e kishte spinuar ose maltretuar Gaqon në ushtri. Një orë më vonë, Gaqo Çako, dhe të tjerët, ishin përtej liqenit, në anën e Selimit… Ne që mbetëm në këtë anë të liqenit. E veshëm pikëllimin. Të dy palët po ktheheshim në botët e tyre të ndara. Shqipëria e Madhe e Këngës, të cilën e ndërtuam gjatë atyre ditëve, përfundoi. Sërish u nda në dysh.

(Nga Gazeta” Illyria”)

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.