FATON MEHMETI

Në shoqërinë shqiptare është vështirë të flasësh për elitë të pastër, edhe ata që thirrën të tillë më tepër janë servilë të politikanëve mediokër. Duhet kujtuar se pas fjalës “elitë” nënkuptohen qartë politik bërësit, akademikët, ekonomistët me influencë si dhe analistët që përcjellin ngjarjet dhe shqyrtojnë arritjet e këtyre elitave. Duke bërë një parantezë të elitës, në retrospektivë të ndërtimit të shtetit po i referohem Platonit. Platoni shpenzoi shumë kohë duke menduar se si qeveria dhe shoqëria duhet të jenë ideale. Ai ishte mendimtari i parë utopik i kësaj bote.

Në librin e tij, “Republika”, Platoni identifikon një numër të ndryshimeve që duheshin bërë, sipas tij ato janë: a) Ne kemi nevojë për heronj të rinj b) Ne kemi nevojë për censurën c) Arsimi më i mirë d) Fëmijëri më të mirë Këto katër elemente përbëjnë shtetin ideal, rrjedhimisht pa këto të katërta shteti as nuk është i drejtë dhe as i pranueshëm për shtresën e ndershme të shoqërisë, aq më pak për elitën e mirëfilltë të saj. Në një shoqëri normale ku parimet e Aristotelit deri diku respektohen, nuk ka nevojë për heronj, por në shoqërinë tonë ku krimi dhe e keqja ka mbërthyer vendin heronjtë lindin natyrshëm. Të jesh hero në Kosovë do të thotë të respektosh familjen, të punosh ndershëm, mos të vjedhësh as shtëpinë as shtetin, të respektosh komshiun e të paguash detyrimet ndaj shtetit.

Këta janë heronj të mirë, ndërsa heronjtë e këqij prodhojnë kriza dhe fusin shoqërinë në greminë. Si dhe heronjtë e këqij dhurojnë joshje për të metat e karakterit. Prandaj Platoni donte t’i jepte Athinës të famshëm të rinj, duke zëvendësuar kulturën e deriatëhershme, me njerëz idealisht të urtë dhe të mirë, të cilët ai i quajti Mbrojtësit: modele për zhvillimin e mirë të të gjithëve. Këta njerëz do të dalloheshin nga shërbimi publik që ofronin, modestia dhe zakonet e thjeshta. Ata nuk pëlqenin të ishin në qendër të vëmendjes dhe kishin një eksperiencë të gjerë dhe të thellë. Ata do të ishin njerëzit më të nderuar dhe të admiruar në shoqëri. Intelektualet si pjesë elitës do të duhej që të jenë zëri i ftohtë kritik e ndërtues i dialogut, por më duhet të them se ajo që më duket tejet shqetësuese në kategorinë e intelektualëve tanë që mbështesin partitë është mungesa e qëndrimeve kritike ndaj partive që mbështesin. Edhe ata pak intelektualë të vërtetë në këtë shoqëri linçohen, fyen nga një turmë e infektuar me servilizëm. Intelektualet tek ne fatkeqësisht pranojnë tjetërsim duke mbajtur rolin që nuk iu takon, e të cilin iu kanë caktuar liderët në pushtet me shumë lehtësi.

Duket sikur frika se mos humbasin dashurinë e besimin e liderit apo të grupit me të cilin identifikohen, e bashkë me të edhe punën apo privilegjet e përfitimet, i bën këta të heshtin ndaj të metave që shohin te lideri apo te grupi që ai drejton. Në vend që të prodhojnë ide dhe debate për të mirën e shoqërisë një pjesë të tyre, ata venë aftësinë e tyre intelektuale në funksion të sulmeve ndaj kundërshtarit, që kundërshton liderin e tyre. Liderët politikë, të cilët nuk e honepsin kritikën, që marrëdhëniet me intelektualët i ndërtojnë në raporte vertikale epror – vartës dhe jo në raporte horizontale midis të barabartësh. Ata intelektual që nuk iu nënshtrohen liderëve politik pësojnë nga mekanizmat e shtetit deri tek shpërfillja, marxhinalizimi, armiqësimi, përjashtimi, demonizimi etj. Derisa të ekzistoj elita e mirëfilltë shoqërore, ka shpresë se një ditë do bëhet mirë, ndryshe e ardhmja duket e zymtë dhe pa shpresë.