Skerdilajd Zaimi

Qeveria e z. Rama në Tiranë ka nisur të shfaqë simptomat e një regjimi në paraqitjen publike dhe në raport me të huajt. Duke bërë një kapërcim fare të pamoralshëm, z. Rama ka kaluar nga një kryeministër që bënte çmos të prezantonte punën e vet dhe reformat e ndërmarra sipas tij para zyrtarëve europianë apo drejtuesve të qeverive të ndryshme, në një politikan që mban leksione ndaj Europës, shigjeton, thumbon dhe insinuon.

Shqipëria nuk e ka këtë pozitë. Ajo nuk e ka fuqinë që t’i përgjigjet arrogancës së dëmshme të z. Rama. Shqipëria ka patur dhe duhet të ketë fuqinë morale të respektit ndaj vetes dhe ndaj të drejtës për të thënë atë që mendon. Qeveritarët shqiptarë zakonisht e mendojnë ndryshe këtë punë: ata fillimisht servilosen ndaj të huajve, pastaj i blejnë disa prej tyre, financiarisht apo u blejnë simpatinë dhe në fund i sulmojnë.

Z. Rama ka folur nga Novi Sadi për nevojën që Ballkani Perëndimor të mos presë më Europën. Ishte një qëndrim që mesa duket konsideron dhe reflekton informacionin se Franca dhe vende të tjera do t’i thonë Jo çeljes së negociatave të anëtarësimit. Por deklarata e Novi Sadit nuk ishte në thelb asgjë më shumë sesa një shprehje e vullnetit të mirë dhe një lloj mesazhi i tipit “Ballkani për ballkanasit”.

Pas z. Rama, edhe sejmenët mediatikë të tij iu qasën kësaj që po ndodh me leksione kritike ndaj Europës duke paralajmëruar se Europa nuk po merr parasysh një riorientim të Ballkanit. Kjo tezë është e vjetër dhe një lojë tinzare që sugjeron se perëndimorët e fundit në këto anë janë Rama, Vuçiç, apo Zaev. Janë po këta politikanë dhe këto lloj politikash që i kanë dhënë lëndë të parë shqetësimit se BE-ja po shkëmben stabilitetin me demokracinë, duke mbështetur autokratë të korruptuar, apo të paktën politika jodemokratike. Duke e bërë investimin demokratik instrument pervers në duar të mbrapshta. 

Shqetësimi për largimin e Ballkanit nga Europa nuk është shumë realist, por hidhet si tezë nga ato pole pushteti që kanë nevoja imediate për sukses dhe nuk mund të fshehin dështimet e tyre. Sepse pyetja që shtrohet është ku do të shkojë Ballkani? Ku do të aderojë bota shqiptare në dekadat që vijnë veçse në Europë ku ka të lidhura interesat dhe kërkon shëmbëllimin e së ardhmes së vet?

Kjo propagandë e zhvlerësuar tanimë nuk thotë atë që me të vërtetë do të dëmtonte Europën në sytë e ballkanasve e sidomos shqiptarëve. Kjo është irelevanca e botës shqiptare për Europën, statusi prej periferie dhe mishi të huaj në historinë e Europës. Kjo po konfirmohet me indiferencën europiane e cila nuk po tutet nga kërcënimet e z. Rama i cili në mungesë të argumenteve për t’iu përgjigjur akuzave që i vijnë nga Europa, ka ndërmarrë një lloj sulmi të tillë diplomatik.

Por shqiptarët, ata që ndjekin politikën dhe ata që ikin, kuptojnë se vendi i tyre është pa rëndësi edhe për ata vetë, e jo më për Europën, sa kohë që ai është alternativë për jetën e tyre, jo mundësia e vetme më e mirë. Nuk ka dështuar Europa, ka dështuar europianizimi i cili është kostum prej snobi te shqiptarët. Kjo irelevancë që buron nga moskonsiderimi dhe nga korrupsioni që ka lënë jashtë përfaqësimit ekonomik një pjesë të madhe të shqiptarëve, diskrediton çdo politikë, e bën të parëndësishëm edhe vetë apelin proeuropian. Në fund një pjesë e shqiptarëve që ikin apo duan të ikin në thelb as nuk harxhojnë kohë, energji dhe as votojnë për ecjen përpara, të cilën e shohin në optikë ngushtë personale, por jo për vendin. Dhe për këtë ka përgjegjësi politika e z. Rama, paraardhësve të tij, por edhe sponsorizimi europian që ja doli ta bëjë këtë vend një histori dështimi dhe ca më keq një hapësirë dëshpërimi. /MekuliPress/ Nëse e keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj!

/MekuliPress/ Nëse e keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike.
Loading...
[wpedon id=16879]