Naim Bej Frashëri

Vjersha është botuar në 1902 në Sofje të Bullgarisë

Krahas “Bagëti e Bujqësi”, “Histori e Skënderbeut”, “Fjalët e Qiririt”, “Luletë e Verësë”, “Korça” etj, kjo është një kryevepër e Naimit që mundohej ti zgjonte shqiptarët.

Ju pëlqen!

SHQIPËRIA
Bota që kur është zënë
Shqipëria gjall ka qënë
Pellazg’u thonin më parë
Më së fundi Shqipëtarë
Gjuh’që flisnin Perënditë
Atë flisnin Pellazgitë
Atë kanë Shqipëtarët
Siç e kishin dhe të parët.
Greqishten ajo e polli
Llatinishtja q’atje dolli
Bijtë tanë jan’ Elinët
Sikundër edhe Llatinët.
Edhe gjithë Evropanët
Që duallë nga Romanët
Neve jemi më të parë
Në Evropë nga ç’do farë.
Gjithë bota vin që moti
Në Tomorr ku ishte Zoti
Që t’i falen Perëndisë
Zotit math të Shqipërisë.
Zëri, flaka s’ish kot
Që nxjerr Tomorri dhe sot
Ahere kish s’di se cinë
Tani ka Abas Alinë.
Shqipëtari trim me fletë
Ka rrojtur në këtë jetë
Kemi pasur mbretërira
Edhe fort shumë të mira.
Kemi bërë punë shumë
Po gjithë vanë në lumë
Aleksandri qe Shqiptar
Q’u tha i madh kordhëtar.
Selefkët dhe Ptolemenjtë
Edhe gjithë të mëdhenjtë
S’qenë grekër, s’qenë bullgarë
Po ishinë Shqipëtarë.
Pirua ish nga Shqipëria
Trim q’e lëvdon istoria
Skander Begu Kastrioti
Q’u dëftye aq’i zoti.
Ishte burr i Shqipërisë
Q’i dha dërmënë Turqisë
Ç’burra nxorri Shqipëria
Që i shkruan istoria.
Bajraktar’ e Qyprylinë
Shkodran e Mehmet-Alinë
Xhavella e Marko Sule
Babulin’ e Mihaule.
Q’i dhanë dërmënë Turqisë
I vunë nder trimërisë
Si këta e si të tjerë
Që qenë shumë të ndjerë.
Po nga gjithë trimëria
S’fitoj gjë dot Shqipëria
Për këdo që ne luftuam
Gjithë ç’u bëm’ i harruan.
Të gjithë na u harruan
Dhe sot të ligën na e duan
Me kaqë burra të vlyer
Qysh duallmë të gënjyer?
E ç’e dua trimërinë
Kur s’mu ndoth për Shqipërinë
Me nder tënë rron Turqia
Po aq vuan Shqipëria.
Ka vuar edhe vuan
Turqtë neve a na duan?
Neve e bëmë Greqinë
Po Grekërtë na e dinë?
S’duan fare të na shohin
Shqipërinë sot s’e njohin
Shqipëria ron si ropi
Mejtohet për të Evropi?
Mos durofsh o i madhi Zot
Të jet’në zgjedhë sot!
Burr i math që ka luftuar
Edhe botënë ke liruar!
Ç’të na bënjë trimëria
Sa me qënë gjallë padija?
Shqipëri! Pse s’qe e zonja
Të bënje tri katrë shkronja?
Se ti punëtë i mbarove,
E të tjerëtë nderove.
Sikur të paskëshe shkruar,
Gjësendi s’të ish harruar.
Do të kishimë Pllatonë,
Aristotel’ e Strabonë,
Omir, Pindar e Esqille,
Dant’ e Senek e Virgjillë.
Do të ish sot Shqipëria,
Që t’i mir botën zilia.
Po të shkuarat i lerë,
E mso mënt për tjatër herë.
O vëllezër Shqipëtarë,
Lereni kohën e parë!
Ejani tani të msojmë,
Paskëtaj të trashëgojmë!
Se në ndënçim t’pamësuar,
Kështu kemi për të vuar.
Është turp për farën tënë,
Të mos nxjerim fare zënë.
Po të rronjë e pandjerë,
E shkret’ e varfër’ e mjerë!
Pse të jesë Shqipëria,
Ta mbulonjë babëzia?
Duke patur burra trima
Të umbasë si vetëtima?
Ah! mos! Zoti mos e dhëntë!
Ejani, të mbledhim mentë.

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.