Qeveria ka hedhur për konsultim publik strategjinë për qeverisjen e emigracionit dhe planin e veprimit. Nisur nga numri i madh i të larguarve nga vendi përgjatë viteve të fundit, qeveria ka hartuar një sërë politikash për dekurajimin e këtij fenomeni.

Ndër to bie në sy sfera 3, e cila i dedikohet politikave të efektshme të migracionit për motive punësimi dhe ndikimi i rritur pozitiv i migracionit tek zhvillimi kombëtar/lokal.në këtë pikë, qeveria sheh si objektiv strategjik qeverisjen e tregut të punës dhe sistemeve të kualifikimit.

Ndër pikat është bashkëpunimi me përfaqësitë diplomatike në vendet ku jetojnë emigrantë shqiptarë, të cilëve do t’u shpërndahet lista e profesioneve dhe kualifikimeve të kërkuara në Shqipëri, në mënyrë që të rikthehen. Fjala është për angazhimin e tyre në nisma pilot në sektorët që përjetojnë largimin më të madh të profesionistëve. Si incentivë do të përdoret heqja e përkohshme e taksave.

Njësoj si në vendet e tjera, mund të eksplorohet mundësia e krijimit të një fondi bursash për studime të mëtejshme jashtë vendit dhe pjesëmarrja në programet e shkëmbimit me kusht detyrimin e kthimit.

Një tjetër politikë e përfshirë në sferën 3 është punësimi i të huajve, përfshirë kontratat sezonale.

Ky proces ka pasur një efekt të kufizuar dhe duhet të rishikohet për të reaguar më mirë ndaj nevojave të tregut të punës, sidomos në sektorët me mungesë të aftësive. Për më tepër, në të ardhmen e afërt, Shqipëria, njësojsi shumë vende fqinje të BE-së, do të duhet të marrë në konsideratë ofrimin e skemave specifike për tërheqjen e profesionistëve të huaj dhe punëtorëve të kualifikuar në sektorët me kërkesë të lartë, përfshi këtu edhe kombinimin e lejes afat-gjatë të qëndrimit dhe të punësimit.

Rishikimi i marrëveshjeve dypalëshe të mobilitetit të punës dhe zgjerimi i hartës së tyre shihen si mundësi për të dekurajuar emigracionin e paligjshëm. Përveç Greqisë dhe Italisë, me të cilat qeveria shqiptare ka marrëveshje për punësim sezonal prej vitesh, hidhet ideja e marrëveshjeve të reja me Britaninë e Madhe, Francën dhe Gjermaninë.

Riintegrimi i emigrantëve të kthyer shihet si një tjetër rrugë që do të pengojë largimin e shqiptarëve. Në këtë pikë, në strategji pranohet se kjo politikë e prezantuar nga qeveria “Rama” gjatë mandatit të dytë nuk i ka arritur rezultatet e pritura.

Strategjia e parë e ri integrimit nuk bëri dallim mes kthimeve vullnetare dhe të detyruara dhe u përqendrua në nevojën për të përmirësuar ofrimin e informacionit për të kthyerit dhe referimin e tyre tek shërbimet e disponueshme publike, të tilla si Sportelet e Migracionit, dhe ato private kur ishte e mundur. SM mundën t’i përmbushin pjesërisht këto detyra.

Në strategjinë e re, sportelet e emigracionit parashikohet të kenë rol të shtuar në mbështetje të emigrantëve për të aksesuar tregun e punës në Shqipëri, arsimin publik, trajnimin profesional, shërbimet shëndetësore dhe strehimore, si edhe për të përfituar mbështetje përhapje biznesi.

Ndër të tjera politika me të cilat synohet nxitja e kthimit të emigrantëve është edhe heqja e pengesave ndaj njohjes së diplomave dhe kualifikimeve po aq sa edhe aftësive të fituara jashtë vendit, dhe mbështetja e investimeve të diasporës në vend. Kjo e fundit synohet të bëhet përmes programeve të dedikuara shtetërore për të tërhequr kapitalin njerëzor dhe financiar të anëtarëve të Diasporës. Në këtë pikë shihen si modele suksesi Qendra e Angazhimit të Diasporës në Moldavi ose programi 3×1 në Meksikë.

Domosdoshmëria e politikave të reja me të cilat të kundërshtohen efektet e emigracionit lindi përgjatë viteve të fundit. Emigracioni në vend ka shënuar një cikël tjetër rritës pas vitit 2017. Profesionistë të fushave të ndryshme dhe të rinj janë kategoria që zgjedhin të largohen jashtë vendit. Sipas INSTAT, nga viti 2011-2022 janë larguar në emigracion 7.5 % e popullsisë së vendit ose 213 748 persona. /MCN TV/