Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka vlerësuar se gabimi më i madh politik i Perëndimit ishte vendimi për dërgimin e tankeve në Ukrainë, “veçanërisht tankeve gjermane”.

Sipas tij, me këtë vendim, Perëndimi e bashkoi popullin rus si askush më herët në qëndrimin e tyre ndaj luftës në Ukrainë.

Kështu tha Vuçiç gjatë seancës së 3 shkurtit në Kuvendin e Serbisë, ku pritet të miratohet raporti i Qeverisë serbe lidhur me dialogun me Kosovën.

Ju pëlqen!

Më 25 janar, qeveria gjermane iu përgjigj thirrjeve të përsëritura të Kievit dhe miratoi dërgimin e tankeve Leopard 2 në Ukrainë, si dhe rieksportin e tyre nga vendet partnere.

Në të njëjtën ditë, presidenti amerikan, Joe Biden, njoftoi se SHBA-ja do t’i dërgojë 31 tanke luftarake M1 Abrams në Ukrainë.

Gjatë seancës, Vuçiç tha gjithashtu se e respekton Rusinë, por nuk i shërben asaj.

“Unë e respektoj Rusinë, por nuk i shërbej Rusisë, i shërbej Serbisë”, tha Vuçiq.

Serbia, aleate e Rusisë, ka refuzuar që t’i bashkohet shteteve perëndimore dhe Bashkimit Evropian, për t’i vendosur sanksione Moskës, për shkak të luftës ndaj Ukrainës.

Lexo po ashtu:  OKB/ Për herë të parë delegacioni shqiptar do të ulet krah SHBA-ve

Zyrtarët në Serbi, megjithatë, kanë përsëritur në disa raste se respektojnë integritetin territorial të Ukrainës dhe Serbia ka votuar për disa rezoluta në Kombet e Bashkuara që e dënojnë pushtimin e saj.

Lufta në Ukrainë filloi më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti rus Vladimir Putin e quan luftën një “operacion special ushtarak” për çmilitarizimin e Ukrainës.

Perëndimi iu përgjigj Rusisë me sanksione të ashpra.

Si rezultat i luftës në Ukrainë, mijëra njerëz kanë vdekur, ndërkaq miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. /REL

MekuliPress është në prag të mbylljes. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NDIHMO sot median e pavarur dhe origjinalitetin e MekuliPress. Dhuro SOT, të paktën, edhe 1 Euro! Faleminderit!