Protesta e thirrur në Tiranë nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit nuk është lejuar të zhvillohet. Policia është përpjekur të shpërndajë protestuesit, por ka hasur në kundërshtime, çka ka sjellë përplasje mes tyre.  Për disa minuta ka vijuar përplasja në qendër të Tiranës, ndërkohë që raportohet se policia ka shoqëruar në komisariat të paktën katër prej qytetarëve protestues. Protestuesit shprehen se kanë respektuar distancën prej 2 metrash nga njëri-tjetri, por policia pretendon të kundërtën. Në një njoftim në Facebook, ditë më parë, Aleanca njoftoi se protesta do të mbahej në sheshin Skëndërbej, ndërkohë që pjesëmarrësve iu kërkohej të mbanin maska dhe të ruanin distancimin social.

Aleanca tha se kjo protestë do të thirrej  ‘kundër dikaturës’, ‘falimentimit ekonomik’ dhe ‘burgut shtëpiak’, gjatë pandemisë së Covid-19.

“Të nderuar miq, e ndërmarrim këtē nismë për të thirrur një protestë, kundër diktaturës, falimentimit ekonomik dhe burgut shtëpiak, me të cilin janë dënuar 2.8 milion shqiptarë”, thuhej në njoftim.

Mjekë dhe qytetarë të ndryshëm kanë argumentuar se piku i epidemisë së Covid-19 në Shqipëri ka qenë midis fundit të janarit dhe fillimit të shkurtit, pra të paktën një muaj para se qeveria të ndalonte jetën normale në vend, duke dënuar të gjithë popullin me papunësi dhe burg shtëpiak. Mbi 110 mijë njerëz kanë humbur punën në këta dy muaj, pa llogaritur këtu gjysmën e popullsisë së vendit që jeton në fshat. Shqipëria, e varfër dhe e zhytur në borxhe edhe para epidemisë, tani rrezikon falimentimin ekonomik. FMN dhe BB kanë parashikuar qysh tani një rënie prej 5-7% të prodhimit kombëtar.

Ndërkohë Shqipëria ēshtë tërhequr nga 5 nene të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. OKB dhe KE kanë paralajmëruar rrezikun e shfrytëzimit të epidemisë si pretekst për fuqizimin e regjimeve autoritare, si Shqipëria.  “Ju ftojmë të protestojmë të enjten, më 7 maj, ora 12.00 në Sheshin Skënderbej, në Tiranë, Sigurisht duke ruajtur distancimin social. Sa më shumë  të jemi, aq më të fortë jemi përballë policisë partiake të kryeministrit”, thuhet në njoftim.