SINTAGMA “ZBRITJE NGA MALET”

(Paradigma  formë sistemore – argumentimi apo edhe përgënjeshtrimi – në trajtime shkencore)

Shkruan: Prof. dr. Shefki SEJDIU

Hyrje: Lëvizjet, tërheqjet, ngritjet e zbritjet, shpërnguljet dhe (i)migrimet dihet se nuk janë gjithherë të vullnetshme por, megjithatë, ato ndodhin në çdo kohë, hapësirë e shoqëri, ndërsa ardhjet, dyndjet, depërtimet, invadimet, pushtimet e shtrirjet janë më të motivuara, të vullnetshme e të organizuara dhe bëhen në rrethana të caktuara, e, më shpesh me qëllime pushtimi e ekspansioni. Në anën tjetër, popullsia vendore detyrohet të vetëmbrohet dhe të gjejë forma mbijetese, duke bërë lëvizje, tërheqje në vende ku do të mbrohej e ruhej më lehtë qenia e saj njerëzore, gjenetike, gjuhësore, kulturore apo kombëtare. Por, me krijimin e kushteve më të favorshme (e edhe mbi bazë të instiktit dhe të nostalgjisë) një pjesë e asaj popullate mund të ketë bërë zbritje e rikthim(e) në trajtat e veta të mëhershme.

TEKSTI I PLOTE

  • ENCIKLOPEDIA  (Eγκυκλοπαίδєіα) është vepër që jep një pasqyrë  sistematike dhe metodike e bazuar mbi parime të qëndrueshme të dijes njerëzore ku ekspozohen njohuritë dhe rezultatet shkencore në formë të sintetizuar e të përgjithësuar. Pra, enciklopedia është ndërmarrje serioze intelektuale që merr shumë kohë, që do shumë punë, dije dhe akribi shkencore.

E para enciklopedi është e redaktuar nga anglezi Chambers (e vitit 1729) që e motivoi Dideron t’i afrojë Volterin e Rusonë, Monteskiën e Turgonë, Helveciusin e Holbahun e edhe 150 dijetarë,  filozofë e specialistë që gjatë 21 vjetëve (1751-1772) redaktoi veprën madhore Enciclopédie ou Dictionnaire raisoné des sciences, des arts et des métiers.

0.1. Sa është Enciklopedia maqedonase vepër (e një pune dhe) e hartuar mbi bazë të kritereve që u cekën më sipër, duket nga reagimet e individëve dhe institucioneve të niveleve të ndryshme. Sidomos ka shkaktuar indinjatë dhe reagime sintagma, tepër intencionale, tendencioze e aspak reale e realiste zbritje nga malet, përmes së cilës akademia maqedonase përpiqet ta mohojë autoktoninë e (proto)shqiptarëve në ultësira dhe në lokalitete urbane të Maqedonisë. Pra, autoktonia e banorëve shqiptarë të kësaj hapësire përmes kësaj sintagme është vënë në sprovë, duke harruar se (jo)autoktonia e banorëve të hapësirave të ndryshme të mbarë globit tokësor (janë) është dukuri universale, probleme komplekse e edhe koncepte relative, ku nënkuptohet edhe kronologjia që përmban edhe konceptin rend në kohë dhe të tjerë faktorë e rrethana që janë në raporte kauzaliteti.

0.2. Siç shihet,  problemi është kompleks, nga se, lëvizje – vendosje e zhvendosje natyrash të ndryshme e të shumta, ka pasur dhe ka në botë e edhe në gadishullin tonë. Shënime, ndonëse të pakta dhe jo aq të përcaktuara, hasen edhe në shkrimet e autorëve antikë dhe të periudhave të mëvonshme,  por jo edhe të tilla sa të sillen konkluzione aq të thjeshtëzuara e të prera  si të Enciklopedisë maqedonase rreth autoktonisë apo joautoktonisë të akëcilit entitet etnik në hapësirën e Maqedonisë së sotme të përbërë edhe nga pjesë të Peonisë  dhe Dardanisë iliro-arbërore.

Për ta hulumtuar një problem apo një dukuri të një natyre të shtrirë  në hapësirë dhe në thellësinë e kohës, e me evidenca të shkruara modeste, është e nevojshme të vihet në veprim jo vetëm intuita dhe cytës të ndryshëm, por të shfrytëzohen edhe shenjat që hasen a që shfaqen si indicie forme materiale apo mendore e memorieje, e që, do të mund të përfshiheshin në arkikonceptin “shenja apo gjurmë jete(se) e mbijetese”. Për të arritur objektin që synohet të shqyrtohet, së pari duhet (para)supozuar, hetuar e vërejtur indiciet, e pastaj gjurmët, për t’u hetuar në sisteme kontekstesh valide shkencore, e, edhe të përzgjidhen format (metodologjike) të trajtimit.

Për çështjen konkrete, forma dominante, argumentimi e edhe përgënjeshtrimi do të jenë seritë paradigmatike. Këto seri paraqiten si vargje konceptesh, formash, fushash e disiplinash hulumtuese që konvergjojnë me problemin në funksion të shtimit të shkallës së probabilitetit, për njohjen dhe ndriçimin e të vërtetës shkencore, andaj edhe termin paradigmë (nga gr. paradigma që do të thotë, shembull; lat. exemplum) e kemi vënë në ballë të titullit të kësaj trajtese.

Termin paradigmë gjatë spekulimeve tona e kemi përdorur edhe në kuptim të modelit, të regjistrit, të vargut, të serisë, të lidhjes, të vijës, të aksit, të rendit  a  klasës, të aksit të zonës me tipar të përbashkët e që funksionojnë në sistem si komplementare, here-herë, edhe si kundërvënës të një paradigme tjetër (në funksion) krahasimi, argumentimi e edhe përgënjeshtrimi.

Një paradigmë mund t’i takojë edhe një seri dijesh a disiplinash që konvergjojnë dhe marrin pjesë në ndriçimin e ndonjë problemi kompleks si ky që e kemi në trajtim e ku, paradigmatikisht (pra në sistem), do të  merrnin pjesë gjeografia e historia, arkeologjia, biologjia e antropologjia, etnologjia, etnopsikologjia e linguistika me disiplinat e saj, etj. Pra, edhe këtu paradigma del si një formë zinxhiri  që bashkon elemente strukturore, nënsisteme e sisteme në kuadër të një makrosistemi më të gjerë njohës. Në këtë sens mund të gjejmë p.sh. në brigjet e fushat e Mar(a)gusit (Maravës) e të Bardariumit (Vardarit), në Naissus (Nish), në Scupi (Shkup) a në Astibos (Shtip) forma paradigmash arkeologjike (enë origjinash  të ndryshme: lugë, pjata, vegësh, etj.),  forma antropologjike (flokë, kafka, dhëmbë, duar, këmbë, shpatulla, etj.) që do të mund ta përcaktonin specien, racën, tipin e origjinës që tregojnë, nëse ato gjetje (gjurmë) janë autoktone mediterane, indoeuropiane (iliride, nordide)  apo aziatike (hune, avare, etj.), që, me metodat e reja (si karboni 14, ADN, etj) do të mund të përcaktohej edhe mosha e tyre,  e, të gjitha këto tok me paradigmat gjuhësore, do të ndihmonin në përcaktimin e tipologjisë dhe të (jo)autoktonisë së gjurmëve.

1. Trajtesën do ta vazhdonim me një vështrim të sekuencës zbritje nga malet që në enciklopedinë maqedonase del edhe si një lloj teze e konkludimi implicit se elementi  etnik shqiptar në hapësirat fushore dhe urbane të Maqedonisë së sotme nuk paska qenë, meqë paska zbritur nga malet! Kjo “zbritje…” ka qenë shtysë që çështjen e autoktonisë në këto hapësira ta trajtojmë më me vëmendje e seriozisht.

Andaj, mendojmë, kjo zbritje është vetëm njëri nga termat që do të mund të përfshihej në gjenerikun arkileksemë LËVIZJE nga e cila  do të mund të ndërtohej një paradigmë edhe semantikisht e segmentueshme si në skemën (1):

             1. lëvizje     :  1. ardhje

             2. tërheqje  :   2. dyndje

             3. zbritje     :   3. invadim

             4. tkurrje    :    4. ngulitje

             5. (e)megrim(e) : 5. shtrirje

Kjo paradigmë prej dhjetë termash e konceptesh mund të sistemohet në dy bashkësi serike, në serinë A (1-5) dhe në serine B (1-5) që për çështjen ne shqyrtim do të korrespondonin me lëvizje të elementit autokton iliro – arbëroro – shqiptar (A) dhe atij sllav (B) të ardhur në Gadishullin ilirik shumë shekuj më vonë; (A) korrespondon me konceptin restrikcion a tkurrje, kurse (B) me ekspansionin apo shtrirjen.

Lëvizjet, tërheqjet, ngritjet e zbritjet, shpërnguljet dhe (i)migrimet dihet se nuk janë gjithherë të vullnetshme por, megjithatë, ato ndodhin në çdo kohë, hapësirë e shoqëri, ndërsa ardhjet, dyndjet, depërtimet, invadimet, pushtimet e shtrirjet janë më të motivuara, të vullnetshme e të organizuara dhe bëhen në rrethana të caktuara, e, më shpesh me qëllime pushtimi e ekspansioni. Në anën tjetër, popullsia vendore detyrohet të vetëmbrohet dhe të gjejë forma mbijetese, duke bërë lëvizje, tërheqje në vende ku do të mbrohej e ruhej më lehtë qenia e saj njerëzore, gjenetike, gjuhësore, kulturore apo kombëtare. Por, me krijimin e kushteve më të favorshme (e edhe mbi bazë të instiktit dhe të nostalgjisë) një pjesë e asaj popullate mund të ketë bërë zbritje e rikthim(e) në trajtat e veta të mëhershme.

Ndjenja e vetëmbrojtjes së autoktonëve vërehet edhe në organizimin e jetës dhe jetesës: familjet shumanëtarëshe, vendbanimet rrëzë maleve dhe grykave, bri lumenjve dhe shtëpitë e “fortifikuara” e me lëndë ndëritmore prej guri siç janë kullat (karakteristike) shqiptare.

Pra, është fjala për një histori komplekse, sepse Gadishulli Ilirik (Poeninsula Ilyrica) shekuj me radhë ka qenë “provincë” e Perandorisë romake, greko-bizantine, sllave e turke, andaj redaktuesit e veprave, siç janë enciklopeditë, duhet vënë (prore) marrëdhënie me të vërtetën objektive, duke i marrë në konsiderim të gjitha rrethanat hapësinore e kohore, gjeo-klimatike, historiko-strategjike, socio-kulturore, administrative, gjuhësore madje edhe biogjenetike, sepse çdo lloj reduktimi lëndon dhe e margjinilizon të vërtetën.

Ky realitet, kjo e vërtetë, këto lëvizje e ardhje-shkuarje, këto kontakte të dëshirueshme (a të dëshiruara) apo të imponueshme (a të imponuara) kanë lënë gjurmë natyre interferenciale të ndryshme antropo dhe etnokulturore, etnopsikologjike, gjuhësore e civilizuese, që, tek (proto)shqiptarët vërehen të jenë shtresuar që nga kontaktet e para me paraindoeuropianët e hapësirave të Mesdheut juglindor, e pastaj, edhe nga kontaktet me helenë, romakë, keltë e gjermanikë, por ruhen gjurmë edhe nga kontaktet e periudhave të depërtimeve, invadimeve dhe pushtimeve barbare, sllave, turke, etj.

Të gjitha këto dëshmojnë prezencën katër – pesë – mijëvjeçare të (para – dhe) protoshqiptarëve në male dhe fusha, në katunde e fshatra, në polise e oppida, në qyteza e qytete sipas stadeve të zhvillimit të shoqërisë; edhe emrat shtëpi (< hospitium), kështjellë (< lat. castellum), qytet (< civitatem), janë gjurmë jete (edhe) urbane e iliro-arbërorëve.

Në Ilirikun Juglindor, në Peoninë dhe Dardaninë antike, pjesë të të cilave i takojnë Maqedonisë aktuale, (ende) hasen gjurmë prezence e jete të iliro-arbëroro-shqiptarëve, edhe në Luginën Moravo-Vardare,Luginat e Drinit (të Zi dhe të Bardhë) e edhe në  Luginat e Ibrit dhe të Llapit, etj., që ruajnë gjurmë të çmueshme për çështje të autoktonisë, gjurmë këto edhe arkeologjike, edhe gjuhësore; i gjejmë në fusha e male, në brigje e gryka, e bri lumenjve dhe, madje, edhe në vetë emrat e tyre; mund të sillen edhe të tjera të dhëna edhe më të prekshme që do të vinin në sprovë përgënjeshtrimi sintagmën zbritje nga malet.

Por, duhet kuptuar se termi autoktoni është koncept relativ si edhe joautoktonia si koncept kundërvënës i saj e që edhe koncepti kronologji gjithherë u gjendet pranë, andaj që të tria duhet vënë e studiuar në kontekste adekuate, si u tha, jo vetëm në kohë e hapësirë, por edhe në kontekste të tjera, aq më parë kur dihet se, si shumëkund edhe në Ilirik(um) e në drejtim të tij ka pasur lëvizje grupesh, fisesh e popujsh gjatë periudhave të ndryshme parahistorike e historike, ka pasur vajtje-ardhje, edhe ardhje-shkuarje, edhe inkursione dhe depërtime të hershme dhe të vonshme si ato të fiseve e popujve indoeuropianë dhe ato të pastajme, sidomos pas dobësimit të Perandorisë romake, kur filluan të depërtojnë popujt barbarë (hunë e avarë, sllavë e turq) andaj konceptet autoktoni, joautoktoni dhe kronologji nuk duhet marrë në mënyrë të thjeshtëzuar e të izoluar, por në sistem dhe qark raportesh kompleksesh kauzalisht të ndërthurura.

Pjesa tjetër e këtij vështrimi është konceptuar si kundërvënie ideve dhe mesazhit që kjo sekuencë zbritje nga malet sjell me vete. Këtyre ideve do t`u kundërvihemi me lëndë argumentuese të vëna në sistem ku paradigma do të jetë formë dominante përgënjeshtrimi, sepse paradigma si strukturë me komplekse sistemore i eviton më mirë rastësitë e improvizimet dhe vë në sprovë inkompatibilen. Vetëm kur argumentet inkuadrohen (dhe ballafaqohen) në paradigmë, e kjo konvergjueshëm e kompatibilisht funksionon në sistem, sprova arrin qëllimin e duhur (objektiv)

2. Problemi i autoktonisë të popujve hulumtohet dhe sqarohet mirë vetëm nëse shfrytëzojmë mundësitë që shfrytëzojnë disiplinat shkencore konvergjuese (me problemin) siç janë gjeografia fizike (e historike), historia e përgjithshme dhe societale (e popujve, e kulturave, e civilizimeve etj.), arkeologjia, antropologjia, etnologjia, etnopsikologjia, gjuhësia dhe të tjerat dije që e kundrojnë problemin nga aspekti interdisiplinar diakronik dhe sinkronik.

Ka mjaft shënime, shkrime e udhëpërshkrime që nga Homeri, Herodoti…, Plini deri te Prokopi i Cezaresë e historianë e udhëpërshkrues të Mesjetës dhe të Kohës së re; janë me vlerë edhe të dhënat që i ofron arkeologjia, në dukje neutrale dhe e papërcaktuar. Por, sipas mendjes sonë, antropologjia, sa i përket çështjes së autoktonisë apo joautoktonisë na duket më afër problemit, përqendrohet më tepër tek objekti (qenia) njeri, tek evoluimi dhe zhvillimi i këtij në kohë dhe hapësirë deri tek tipizimi i tij në nivele të ndryshme, (habitusi, ngjyra, etj).

Të dhënat që sjell antropologjia rreth tipologjisë të popujve të Gadishullit Ilirik na duken shumë valide për çështjen që po e shqyrtojmë; do ta përdorim, ndoshta, tepër shpesh, termin Gadishull ilirik (Paeninsula Illyrica), sepse ky term ka gjalluar deri në shekullin XIX, kur u zëvendësua me termin Gadishull ballkanik. Përcaktuesi Ilirik na duket më i markuar dhe më adekuat; edhe antropologjia somatike e ka krijuar mbi këtë bazë termin (tipi antropologjik) Ilirid apo dinarid, ky i fundit sipas malit Dinara të Dalmacisë ilire.

Rreth këtij tipi dhe tipave të tjerë antropologjikë kanë diskutuar antropologë të huaj dhe vendorë, të Ballkanit dhe jashtë tij: E. Pittard, M. Boldrini, B. Bataglia, L. C. Gobineau, I. Seidetzky, J. Milaj, A. Dhima, P. Borch – Gimpera, Dr. V. L. Thalloczy, etj., dhe mbi bazë të hulumtimeve dhe rezultateve të tyre, J. Milaj sjell një tabelë matjesh somatike dhe kraniometrike shumë domethënëse për katër popuj dominantë të Ballkanit: shqiptarë, grekë dhe sllavë (bullgarë e serbë):

    Popujt                      T  I  P  E  T
Brakicefalë         BC Mezocefalë        MC Delikocefalë        DC
1. Shqiptarët 79.5% 11.60% 8.90%
2. Grekët 48.97% 17.24% 33.70%
  3. Sllavët Bullgarët 24 % 22% 24%
Serbët 29.8% 30.70% 39.20%

Skema  2.

Siç shihet nga tabela, brakicefalia është shumë e lartë te shqiptarët, është e lartë te grekët, e ulët te bullgarët dhe është edhe më e ulët te serbët. Këtu përqindjet te bullgarët janë nxjerrë mbi bazë të matjeve mbi 70 individë e jo mbi 100 individë si tek popujt tjerë (shqiptarët, grekët, serbët). Antropologu gjerman L. Sweidetzky mendon që, sidomos tek alpidet dhe dinaridet  (keltët dhe ilirët) ka pasur një kalim nga  delikocefalia në brakicefali.

Cefalometria diakronike mund të japë interpretime më kompetente përkitazi me procesin e  dedolikocefalizmit të keltëve dhe ilirëve (tani shqiptarëve) si dhe për rrethanat gjeoklimatike që e kanë favorizuar këtë proces, por edhe kohën dhe hapësirën kur dhe ku është zhvilluar ky proces dedolikocefalizimi. Nëse faktori klimë ka qenë shkak i brakicefalizimit, atëherë rezulton që keltët dhe ilirët indoevropianë, pas lëvizjevae dhe vendosjes në hapësirat me temperaturë të moderuar dhe (më) të ngrohët siç është Mesdheu, janë transformuar tipologjikisht  nga tipi nordid dolikocefalë në alpid e dinarid  me predominencë brakicefalike. Rreth periudhës (kohore) të vendosjes së këtyre popujve  (keltëve dhe ilirëve) në hapësira të moderuara a të ngrohta, ndoshta mund të ndihmonte edhe Rregulla e Bergmanit (por edhe ajo e karbonit 14 si dhe ADN-ja). Sipas kësaj Rregulle të Bergmanit  qenieve të gjalla (pra edhe njeriut) për të mbijetuar  në vendet e ftohta (veriore e nordike) u nevojitet një masë (e madhe) trupore (koka, trupi).

Nga të gjitha këto që u thanë, mund të konkludohet se brakicefalia  iliro-shqiptare indikon për largimin e hershëm të ilirëve nga hapësirat e ftohta dhe vendosjen (e hershme) të tyre në Gadishull përpara grekëve dhe sllavëve.

Duke u bazuar në paradigmën tipo-cefalike, cefalometrike dhe shkallët e përqindjeve mund të supozojmë se vendosja e këtyre popujve në Gadishull është bërë sipas këtij rendi kronologjik: (proto)shqiptarët, grekët, sllavo-bullgarët dhe serbët.

3.0. Që në titull të kësaj trajtese vërehet se qëllimi ynë ishte kundërvënia dhe përgënjeshtrimi i  idesë, që, përmes sintagmës ZBRITJE NGA MALET, lansohet në Enciklopedinë maqedonase rreth (jo-)autoktonisë  së shqiptarëve në hapësirat  fushore e urbane të Maqedonisë së sotme, andaj, ne përdorëm paradigmën  si formë solide e efektive argumentimi, por edhe përgënjeshtrimi; edhe sintagma Zbritje…,  edhe paradigma Naissus, Scupi, Astibos, ishin spiritus movens   i kësaj kundërvënieje dhe qasjeje metodologjike.

Problemi i autoktonisë së popujve të Ilirikut dhe Mediteranit është kompleks, ngase në këto hapësira kanë jetuar popuj mediteranë pindoeuropinë, pastaj, depërtuan dhe u vendosën fise indoeuropiane, ndër të cilat u dalluan katër grupe të mëdha  që dominuan dhe mbijetuan epokat: Iliro-arbërorët, greko-bizantinët, latino-romanët dhe sllavo-jugorët.  Këto entitete etnogjenetike, etnokulturore e gjuhësore i shënjuam me emra sintagmatikë  bikomponencialë nga se, ata, (popuj) evoluan, u zhvilluan dhe u individualizuan në saje të disa tipareve dalluese, sidomos në gjuhë; këta popuj jetuan pranë njëri-tjetrit, e edhe me njëri-tjetrin, herë si pushtues, herë si të pushtuar apo edhe si bashkëjetues, duke dhënë e marrë nga njëri-tjetri elemente kulturore e gjuhësore .

3.0. 1. Derisa në pjesën e parë të kësaj trajtese koncepti Zbritje (nga malet) përmbante elemente semike substrukturore të arkisemantemës LËVIZJE që u zbërthye në seri e klasë kundërvënëse A/B (si tek skema 1.), në pjesën e dytë u sollën shembuj që ishin të natyrës antroposomatike, përkatësisht cefalike, ku edhe tipologjikisht, nga aspekti kroniometrik, shqiptarët, grekët, bullgarët e serbët tregojnë (sipas këtij rendi që u dha) dallime të ndjeshme (skema 2). Në pjesën e tretë të analizave tona do të ofrojmë shembuj kundërvënieje nga fushat e gjuhësisë, gjithnjë, duke u bazuar në evidencat onomastike që i kanë lënë historianët e gjeografët (hartografë), arkeologët dhe antropologët si dhe gjuhëtarët onomastë të periudhave të ndryshme kohore.

Në këtë tërësi dijesh njohëse janë shumë të vlefshme, sidomos, evidencat e shkruara që i referohen hapësirës së Ilirikut dhe disa pjesëve të tij; janë me vlerë shënimet e tyre  rreth popujve që banonin në Ilirik, shënimet rreth emrave të fiseve, të maleve, të liqeneve e lumenjve, të vendbanimeve dhe madje, edhe të emrave të njerëzve, që gjuhësia  me sukses i sistemon dhe i interpreton.

Kur vështrohet me kujdes gjeografia onomastike e Ilirikut, që nga alpet austriake deri te jugu grek, vërehen gjurmë onomastike që u kanë mbijetuar epokave e që dëshmojnë lëvizje, ngulitje, vendosje, interferenca, ndikime, presione, mbivënie e (pre)dominime të ndryshme  (etno-gjenetike, kulturore, civilizimi e, gjithsesi edhe gjuhësore).  Në tërë hapësirën e  Ilirikut  mund të ndërtohen, mbi baza gjurmësh të tilla seri paradigmash, sidomos të atyre onomastike, por në këtë rast do të përqëndrohemi vetëm në arealin e Ilirikut juglindor, përkatësisht në  Peoni dhe Dardani e në pjesët  limitrofe gjeografike e gjuhësore të tyre.

3.1. Duke hulumtuar gjurmë dhe argumente për prezencën iliro-arbërore në hapësirat e Ilirikut juglindor hasim në vargun  ojkonimik  Naissus, Scupi, Astibus (Astibos) që e kishin vërejtur ballkanologët  P. Skok, H. Barić dhe R. Katičić. Ky shembull u kishte shërbyer për t’i diskutuar disa probleme të gjuhësisë diakronike ballkanike. Këta gjuhëtarë trajtat autoktone apo të latinizuara, apo të greqizuara,  Naissus, Scupi, Astibus (Astibos) i shohin të evoluara në të sotmet  Nish, Shkup, Shtip vetëm përmes ligjeve fonetike të shqipes. Këtë mendim të tyre e aprovon edhe njohësi më i madh  i gjuhësisë diakronike shqipe Eqrem Çabej. Sigurisht, që arsyetimet e konkludimit të tyre, këta gjuhëtarë i kanë mbështetur tek veçantia e disa zhvillimeve në sistemet konsonantike të gjuhëve të Ballkanit, e sidomos të shqipes, duke pasur (vë)mendjen tek fërkimoret, e në veçanti tek fërkimorja alveolare /s/, por edhe tek evoluimi i saj në  /sh/ tek Naissus, Scupi dhe Astibus… Sistemin e konsonanteve të shqipes në përgjithësi, sidomos të fërkimoreve, e ka trajtuar dhe shpjeguar (edhe diakronikisht), mirë e qartë, gjuhëtari K. Topalli në monografinë Fonetika historike e gjuhës shqipe.

U pa nga shembulli i paradigmës Naissus, Scupi, Astibus se veçantia e fërkimoreve në trajtimin e çështjeve gjuhësore  (në diakroni) ka rëndësi të dorës së parë, ngase ajo jo vetëm që shënonte (dhe shenjonte)  një periudhë kohore dhe zhvillimore gjuhësore, një dukuri dhe një proces si ky i qiellzorizimit të fërkimores aleveolare  /s/ në fërkimore alveolare qiellzore /sh/ që në iliro-arbërishte kishte vepruar gjatë tërë mileniumit të parë  të erës sonë. Kjo dukuri qiellzorizimi kishte bërë që të dallohen sistemet fonologjike të fërkimoreve midis atij të shqipes në njërën anë dhe të latinishtes, greqishtes e prasllavishtes në anën tjetër, që nuk i kishte prekur dukuria e qiellzorizimit të fërkimores alveolare  /s/.

Kjo veçanti e (proto)shqipes është bërë një saxum ponens  mbi të cilin kemi ndërtuar një korpus topo-onomash dhe një skemë zonash dhe aksesh  të shtrira në hapësirën e Ilirikut dhe zonat limitrofe të veriut e të jugut të tij, zonat që kishin rënë nën trysninë sllave (në veri) apo që akoma kishin mbetur nën supremacinë gjuhësore e kulturore  greke (në jug):

A.  1.  Siscia                 Sisak

2. Patissus            Tissa

   :

B.a. 3. Lissus          Lesh              Lezh

 4. (Rascia)            (Rash(k)a

  5. Naissus              Nish

         :

 b.  6. Isamnus)           Ishëm

7. Scardus                Sharr

8. Scupi                Shkupi

  :

c.  9. Scampinus        Shkumbin

    10. Episcopia                       Peshkopi

    11. Astibos            Shtip

       :

    12. Stobi                 Stobi

    13. Strymon            Struma

Ky korpus  toponimesh është i renditur në paradigma zonash e aksesh që shtrihen përgjatë Ilirikut nga brigjet e lumenjve  Savus (Sava) dhe Ister (Danub a Dunav)  deri në jugun e Peonisë antike, nga brigjet e Adriatikut – në perëndim, deri në brigjet e lumenjve  Mar(a)gus (Morava) dhe Bardarium (Vardar) a Axios – në lindje.

Korpusi  përmban shembuj të sistemuar në tri zona  dhe pesë tipa paradigmatikë sipas disa tipareve (në nuanca) përcaktues:

1. Zona A, në veri, me shembujt (1-2), ku prototipi i fërkimores indoeuropiane  /s/ kishte mbijetuar nën ndikimin e keltishtes dhe pastaj të sllavishtes;

2. Zona  B apo qendrore (Ilyrii proprie dicti) , me shembujt e serive paradigmatike  a: 3-4-5,  b: 6-7-8 dhe  c: 9-10-11, ku shtrihen evidenca onomastike që në strukturën e tyre formale përmbajnë fërkimore alveolare /s/ por që, nën ndikimin e dukurisë së qiellzorizimit (palatalizimit) që ishte shfaqur (në rrethana që duhet hulumtuar) në iliro-arbërishte, kjo fërkimore alveolare e origjinës indoeuropiane, në këta shembuj autoktonë ose të huazuar, është shndërruar në fërkimore alveolare qillzore /sh/;

2. Te zona C, në jug, me shembujt (12-13) ku, mbi bazë të prestigjit të greqishtes e pastaj edhe të sllavo-bullgarishtes, është ruajtur alveolarja /s/:

                                                            Skema  3                         

3. 2. Që nga Thalesi, konceptet tokë, ujë, ajër e zjarr   konsiderohen substanca bazë për ekzistencën dhe zhvillimin e qenieve të gjalla. Edhe specia homo evoluoi dhe u zhvillua në to. Nëse u lind në tokë, njeriu jetoi me ujin, ajrin dhe me zjarrin, e, në tokën mëmë, ndërtoi vendbanime në male e gryka, në ultësira e fusha  gjithherë pranë ujërave që,   në tërësinë e Universit, ujërat janë kategori e markuar, nga se ata janë në tokë dhe në sipërfaqe të saj, rrjedhin në të dhe krijojnë rrjedha, subsisteme e sisteme ujore që njomin dhe mbajnë në jetë botën e gjallë. Vetëm në hapësirën e Ilirikut gjenden tri sisteme të mëdha rrjedhash që derdhen në tre pellgje detesh (Adriatik, Egje dhe Det të Zi apo Pontus); edhe në Ilirikun juglindor rrjedhat ujore derdhen në të njëjtat dete.

Ndoshta (edhe) për shkak të vlerave utilitare e të natyrës së markuar në raport me substancat tokë, ajër e zjarr, lumenjtë mund të kenë qenë ndër të parat objekte që njeriu i kishte emërtuar.

Emra ujërash, pellgjesh, rrjedhash, lumenjsh hasen në shkrimet e autorëve antikë që nga Homeri e Herodoti deri tek Tit – Livi e Plini; sidomos kanë qenë evidencuar emrat e lumenjve të mëdhenj.  Midis emrave të lumenjve të hapësirës së Ilirikut tek shumë autorë dalin hidronimet Dravus, Savus, Patissus, Danubius (Ister), Urpanus, Basanus, Drinus (Drilo), Mar(a)gus, Axius (Bardarius), Scampinus, etj. Siç shihet nga këto forma hidronimike, edhe në format aktuale të tyre Drava, Sava, Tisa, Dunav, Vrbas, Bosna, Drina e Drin, Morava, Vardar, Shkumbin, etj., ruhet tema e formave që u shënuan nga autorët antikë dhe, me të drejtë, mendohet se hidronimet (sidomos emrat e lumenjve të mëdhenj) janë relikte onomastike që, më së miri i kanë mbijetuar epokat dhe janë treguar rezistentë ndaj trysnive sistemore e kategoriale të gjuhëve të popujve të ardhur më vonë. Këtë mendim e arsyeton prezenca e gjuhëve paraindoevropiane tek emrat e lumenjve Buenë, Ibër, Llap dhe Mar(a)gus, por edhe tek ato hidronime të origjinës ilire, si tek emrat e lumenjve Drava, Sava, Drina, Drin, Drilon etj.

U përmend më sipër rezistenca e emrave të lumenjve të mëdhenj në plan sistemor dhe kategorial, andaj një paralele midis trajtave të hidronimeve të periudhës të parainvazioneve të popujve barbarë të Mesjetës së hershme dhe të trajtave të sotme të emrave të këtyre lumenjve, do të sillte dëshmi valide në favor të karakterit konservator në ruajtjen e disa elementeve të gjuhës burimore të këtyre hidronimeve.

Në studimet komparative në fushë të hidronimisë rëndësi të veçantë ka kategoria e gjinisë, ku gjinia e gjenerikut (gn), ka rol determinues në konceptimin dhe përcaktimin e gjinisë (m.,f.) të specifikut të hidronimit “individual”, emrit të lumit. Në latinishte gjeneriku (pak më i përcaktuar) për rrjedhat fluvius është i gjinisë mashkullore (M) po sikur i shqipes lumë (M), kurse në sllavishtet është reka i gjinisë femërore (F), prandaj edhe gjinia e hidronimeve (t`i quajmë emra individualë), që shenjojnë sidomos lumenj të mëdhenj, në latinishte e në shqipe (në shumicë) i takojnë kategorisë masculina që tek sllavishtet është e kundërta, i takojnë kategorisë feminina  të emrave. Në këtë sens kemi ndërtuar katër skema ekuacionale:

  1. lat. : M:  m   =    shq.: M:m

                  lat.                                   alb.

FLUVIUS (M) Drinus (m) =    LUMI (M) Drin (m)

            Bardarius (m)    =   Vardar (m)

*Ibar (m)                   =                     Ibër (m)

*Lab  (m)                  =                     Llap (m)

Në këtë seri paradigmatike latinishtja me shqipen përkojnë në gjini si në nivel të gjenerikut ashtu edhe në atë të specifikut.

  1. at.: M:  m  =  sll.: F : m

lat                                      sll.

FLAVIUS (M) Drinus (m) =  REKA (F)       Drin (m)

Bordarius (m)       =                      Vardar (m)

*Ibar (m)   =                      Ibar (m)

*Lab (m)   =                      Lab (m)

Në këtë seri paradigmatike kemi “mospërputhje” te sllavishtet në gjini midis gjenerikut dhe specifikut, ku gjeneriku reka është në gjininë femërore por specifiku është i gjinisë mashkullore që ne e konsiderojmë gjurmë arbroro – shqiptare.    

c)  lat.: M:  m = sll.: F : m

          lat.                                  shq.

FLUVIUS (M) Dravus(m) = REKA (F) Drava (f)

Savus   (m)    =    Sava (f)

Drinus  (m)     =  Drina (f)

Mar(a)gus  (m)   =   Morava (f)

Kjo seri është e ndërtuar konform rregullave sistemore të secilës gjuhë.

 d)  lat.: M : m =   shq.: M : f

   Lat.                                            shq.

FLAVIUS(M) Dravus(m)=LUMI(M) Dravë apo Drava(f)

    Savus (m)       =  Savë apo Sava (f)

    Drinus (m) =  Drinë apo Drina (f)

    Mar(a)gus (m) = Moravë apo Morava (f)

Te kjo seri latinishtja është konform sistemit të vet, por tek shqipja specifiku nuk e përcjell gjininë e gjenerikut; specifiku është nën ndikimin e sllavishteve.

Pas këtyre paraleleve paradigmatike, mund të konkludohet se latinishtja dhe shqipja në a), b) , c) dhe d)  përkojnë në gjini në rrafsh të gjenerikut, por në rrafsh të specifikut përkojnë vetëm tek a). Specifiku i shqipes, pra emri i lumit tek d) është i gjinisë femërore nën ndikimin e sllavishteve, por specifiku te b) i sllavishteve është i gjinisë mashkullore nën ndikimin e protoshqipes. Ky rast, pra gjinia mashkullore e specifikut të trajtave janë  marrë nga shqipja, e hidronimeve Drin (m), Ibar (m), Lab(m) dhe Vardar(m) është gjurmë kategoriale iliro-arbërore, që dëshmon se iliro-arbërishtja në këto hapësira të Dardanisë antike ka qenë gjuhë parësore (primare), dominuese dhe me prestigj me të madh në raport me sllavishtet.

*

Antikiteti dhe Mesjeta e hershme dhe e vonë kanë lënë evidenca antroponimike që dëshmojnë prezencë të fuqishme etnike, kulturore e gjuhësore iliro-dardane dhe iliro-peone në Ilirikun Juglindor. Shënimet për mbretërit iliro-dardanë e peon tek autorët antikë dhe tek ata në kapërcyell të dy epokave (antikitetit dhe mesjetës) janë të shumta, por këtu do të përmendja të dhënën rreth origjinës etnike iliro-dardane të perandorëve Justin e Justinian, që e sjell Prokopi i Cezaresë në veprat De Aedificiis  dhe Historia arcana .

Në fushë të antroponimisë iliro-dardane punë të madhe kanë bërë Radosllav Katičić dhe Zef Mirdita, por edhe disa medievistë Muhamet Tërrnava e Jahja Drançolli, si dhe osmanologu Ilaz Rexha. Lëndë të vlefshme onomastike (ojkonimike e antroponimike) haset edhe në Krisobulat dhe Povelat e Deçanit e të Graçanicës, si dhe ne defterë të periudhës turke.

Në studimin monografik Onomastika mesjetare arbane në arealin e Dardanisë, të Iljas Rexhësgjejmë forma të shumta ojkonimike dhe antroponimike të ndërtuara sidomos mbi bazat arban-  dhe bard-, të cilat hasen që nga veriu i Dardanisë (Nishi) deri në jug të Peonisë në rrethinat e Shtipit.

a) Mbi bazën arban – janë ndërtuar emra lokalitetesh e fshatrash, si :

      Arbanash, te Nishi

      Arbanash, te Prokupla

      Arbanash, te Kurshumlia

      Arbanashik, te Vranja

      Arbanashka, te Kumanova

      Arbanas, te Shkupi

      Arbanasa, te Prilepi

      Arbanasinofc, te Prilepi

      Arbanas, te Kërçova

      Arbanashki, te Kërçova

      Arbanas, te Krusheva

      Arbanas, te Manastiri

      Arbanas, te Shtipi

      Arbanashki, te Shtipi

Edhe në krisobula e defterë dendur ndeshim forma etnikësh si arbanas, arnaut, arnavud.

b) Edhe mbi bazën bard-, hasen emra lokalitetesh e fshatrash që shtrihen që nga aksi: Rozhajë – Tutin – Nish  (në veri) deri në Dibër – Shkup – Shtip  (në jug):

      Bardon, te Rozhaja

      Barllovi, te Tutini

      Bardiç, te Nishi

      Bardin, te Prokupla

      Barllovo, te Kurshumlia

      Barduz, në Llap

      Bardovci, te Shkupi

      Barduz, te Dibra

      Bardovci, te Shtipi

Emri, antroponimi Bardo, në Krisobulen e Deçanit del më tepër se njëzet (20) herë.

Rezyme

Në këtë studim vërehet se ka pasur shtysa dhe motiv(im)e për ta shtruar problemin e autoktonisë që del nga sintagma zbritje nga malet. Kjo sintagmë ka qenë spiritus movens për të reaguar kundër mesazhit që kjo bart. Kjo “zbritje” është kundruar nga aspekti semantik që në fillim të trajtesës.

Pasi që çështja e autoktonisë është problem kompleks, na  është imponuar qasja interdisiplinare; andaj, në pjesën e dytë çështja është kundruar nga aspekti antropologjik e tipologjik. Siç shihet edhe te skema 2, këtu janë radhitur katër popuj dominantë të Ballkanit (shqiptarët, grekët, bullgarët e serbët), që tek dy të parët predominon brakicefalia, kurse tek të dytët dolikocefalia, elemente dalluese me rëndësi për hulumtimin e autoktonisë së ndonjë entiteti etnik në këto hapësira të Mediteranit.

Pjesët vijuese të këtij studimi i janë kushtuar konkordancave, por edhe dallimeve kundërvënëse në fushë të onomastikës me përqëndrim të veçantë tek gjinia e gjenerikut të emrave të lumenjve, cilësi kjo dalluese e gjuhës shqipe edhe kundërvënëse në raport me gjuhët sllave.

Por vëmendje të veçantë u është kushtuar disa çështjeve të domenit të fonologjisë diakronike, përkatësisht evoluimit të fërkimores (frikativit) /s/ në /sh/ në protoshqipe.

Këto fërkimore u kanë shërbyer shumë gjuhëtarëve që nga Skoku, Bariqi e Çabeji, t`i trajtojnë etimologjitë e disa toponimeve (ojkonime e oronime) si tek seria Naissus, Scupi, Astibos, Lychnidus, Scardus, të cilat në saje të ligjeve fonetike të shqipes kanë evoluar në të sotmet (forma): Nish, Shkup, Shtip, Ohër dhe Sharr.

Ky fenomen evolutiv ka bërë që protoshqipja të dallojë nga greqishtja, latinishtja dhe prasllavishtja dhe të ndihmojë në diskutimin rreth autoktonisë së elementit etnik shqiptar në këto hapësira dhe lokalitete urbane.

Kalimi i fërkimores alveolare /s/ në /sh/ u ka shërbyer shumë gjuhëtarëve të huaj e të vendit ta shikojnë në sistem zingjirin ojkonomik Nish – Shkup – Shtip – Sharr, që rrjedhin nga trajtat Naissus – Scupi – Astibos – Scardus, ku fërkimorja alveolare /s/, sipas mendimit të Skokut, Bariqit e Çabejit ka evoluar në fërkimore alveolare qiellëzore /sh/ vetëm mbi bazë të ligjeve fonetike të shqipes.

Se ky arsyetim ka bazë solide shkencore po e përforcojmë me mendimin e njërit ndër linguistët më kompetentë të kësaj fushe linguistike, filologut klasik, indoeuropianistit dhe profesorit të universiteteve të Zagrebit dhe Vjenës Radosllav Katičić:

“On the other hand Niš from Nαϊσσόs, Štip freom Ασστίβοs, Šar from Scardus, and Ohrid from Lychnidus presuppose the sound development characteristic for Albanian”.

Bibliografia e përzgjedhur

Ceka, N. Ilirët, Tiranë, 2004

Çabej, E. Hyrje në indoeuropianistikë, Tiranë, 2008

Çabej, E. Kontributi i shqipes në formimin  e lidhjes gjuhësore ballkanike, “Përparimi”, nr. 3. Prishtinë, 1972

Demiraj, Sh. Gjuhësi ballkanike. Shkup, 1994

Demiraj, Sh.  Epiri, pellazgët dhe shqiptarët, Tiranë, 2008

Hagège, C. La structure des langues. P. U. F. Que sais-je” Paris, 1999

Hadžibegić et alt., Oblast Brankovića. Opširi katastarski popis iz 1455. I. Sarajevo, 1972

Hamm, J. Staroslavenska gramatika. Zagreb, 1958

Ilirët dhe Iliria te autorët, I. Tiranë, 1965.

Jireček, K. Romani u gradovima Dalmacije. Zbornik. I. Beograd, 1962

Katičić, R. Ancient langues of the Balkans. Mouton, The Hague – Paris, 1976

Luka, D. Studime gjuhësore V. Shkodër 1999

Meje, A. Uvod u indoevropsko proučavanje indoevropskih jezika. Beograd, 1965

Milaj, J. Raca shqiptare, Tiranë, 1944

Milošević, M. Dečanska Krisovula. Glasnik srpskog učenog društva, II. Beograd, 1880

Mirdita, Z. Antroponimia  e Dardanisë në kohën romake, Prishtinë, 1981

Patch, K. Ilirët, Tiranë, 2004

Procopius Caesarensis, Historia arcana. Editi O Academiae Reipublicae Socialis Romaniae, 1972

Pulaha,  S. Defter i regjistrimit  të Sanxhakut të Shkodrës të vitit 1485, Tiranë, 1975

Raduman, Teorije organske i evolucije. Beograd, 1971

Rexha, I., Onomastika mesjetare arbane në arealin e Dardanisë, Prishtinë, 2005

Rostaing, Ch., Les noms des lieux. P. U. F.  Que sais-je? Paris 1997

Sejdiu, Sh., Sprova etimologjike. Prishtinë, 2002

Simeon, R. Enciklopedijski rječnik lingvističkih  izraza, I, II, Zagreb, 1969

Skok, P., Etimologijski rječnik hrvatskog ili srpskoga jezika I.,  II. III. Zagreb, 1971, 1972, 1973

Tërnava, M., Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV – XVI, Prishtinë 1995

Thalloczy, V. L., Vëzhgime iliro-shqiptare. Shkodër 2004

Topalli, K., Fonetika historike e gjuhës shqipe. Dituria, Tiranë 2007 – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën MekuliPress