Shkrimtari shqiptar nga Presheva, Ramadan Rexhepi, sot mori çmimin “Esad Mekuli”, i cili ndahet nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës.

I lindur më 1940 në Preshevë, shkrimtari Ramadan Rexhepi kishte nisur krijimtarinë e tij letrare qysh në vitin 1956, kur punonte në arsimin e atyre anëve. Gjendja e rënduar politike kishte bërë që të braktiste punën si gazetar i “Rilindjes” e të mërgonte në Suedi.

Në emër të jurisë, shkrimtari Adem Zejnullahu ka njoftuar edhe emrat e fituesve të katër çmimeve “Bardi”. Ka thënë se zgjedhja e tyre nuk ka qenë e lehtë.

Poezia “Kënga të mos ketë mort” ia solli çmimin “Bardi I” poetit Nezir Prokshi, përderisa çmimin e dytë “Bardi II” e mori krijuesja që jeton në Athinë, Bardha Mançe, për punimin e saj “Protagonistët në tragjedi”. Sipas vendimit të jurisë, poetja Naxhije Kastrati ka marrë çmimin “Bardi III” për poezinë e saj “Dashurisë së Lasgushit”, ndërkohë që shkrimtari shkodran Zija Vukaj mori çmimin e katërt për tregimin e tij “Ndarja”, i cili mori edhe një komplet veprash të Institutit Albanologjik.

Gjatë takimit letrar “Esad Mekuli” u bë edhe përurimi i disa librave letrarë. Libri i parë me poezi që u përurua ishte “Zëra të dëlirë” të autorit Milazim Kadriu, i pasuar nga “Gjethnajë shpirti” i Vera Istrefajt dhe romanit “Violina e humbur” i Lutfi Dervishit. Atyre iu shtuan edhe titujt “Hapekrah” i Xheladin Mjekut, “Jeh Motesh” nga Naxhije Doçi dhe “Shenjtëresha këmishëbardhë” nga Ismet Tahiraj.