Një mëngjes gushti të vitit 1835, lexuesit e New York Sun u befasuan kur lexuan se Hëna ishte e banuar. Tre të katërtat e faqes së parë të gazetës i dedikoheshin këtij lajmi, i pari i një serie me titull: “Zbulime të mëdha astronomikë të bërë kohët e fundit nga Sir John Herschel në Kepin e Shpresës së Mirë”. Herschel, një astronom i mirënjohur britanik, ishte në gjendje që, “përmes një teleskopi me dimensione shumë të mëdha dhe një parim krejtësisht të ri”, thoshte gazeta, që të shihte objekte në Hënë sikur këta të ishin “njëqind metra larg”. Cdo lajm i ri në serinë me gjashtë pjesë raportonte zbulime më fantastikë se paraardhësi.

Teleskopi i Herschelit zbuloi pyje në Hënë, liqene dhe dete, ametistë monstruozë pothuajse njëqind metra të lartë, kodra të kuqe dhe humnera shumë të mëdha. Këtë panoramë surreale e popullonin kafshë që u ngjanin bizonëve, dhive, pelikanëve, deleve – edhe njëbrirësha. Një amfib në formë topi vinte vërdallë duke rrëshkitur. Kishte drerë brilopartë, arinj me brirë dhe zebra të vogla. Por surpriza mëe madhe i përkiste artikullit të katërt të serisë. Herscheli dhe ekipi i tij i astronomëve kishin pikasur humanoidë: krijesa me krahë si lakuriqë nate, katër metra të larta, me fytyra që ishin një “përmirësim i vogël” i orangutangëve. Quajtur Vespertilio-homo, këto krijesa vëreheshin të ishin “të pafajshme”, por ato shpesh herë silleshin në një mënyrë që autori mendonte se nuk ishte e përshtatshme për botim.

The Sun përshkruante gjithashtu tempuj të mëdhenj, ndonëse gazeta bënte kujdes të thoshte që nuk ishte e qartë nëse këta njerëz fluturues i kishin ndërtuar ato, apo ishin mbetje të një qytetërimi dikur madhështor. Disa detaje skulpturorë – një glob i rrethuar nga flakë – e çonin artikullshkruesin të pyeste nëse i referohej ndonjë fatkeqësie që u kish rënë këtyre njerëzve fluturues, apo ishin një paralajmërim për të ardhmen.

Reagimi ndaj kësaj serie varionte nga mosbesimi në habi. Vetë Herscheli ishte i mërzitur. Në një letër drejtuar hallës së tij, Caroline Herschel, edhe ajo një astronome, ai shkruante: “Jam mërzitur tej mase nga ai mashtrimi për Hënën – në anglisht, frëngjisht, italisht dhe gjermanisht!” Autori i artikullit me shumë gjasa ka qenë Richard Adams Locke, një gazetar i Sun. Gazeta nuk e pranoi asnjëherë që lajmi qe i sajuar. Eshtë tunduese të themi se ne jemi sot imunë ndaj mashtrimeve të tillë, dhe ndoshta kështu është. Por një kalim i shpejtë i asaj serie na kujton se nuk jemi aq të ndryshëm nga paraardhësit tanë të pothuajse 200 viteve më parë.

Gjendet Planeti Vullkan

Vullkan njihet më së miri sot si vendlindja në letërsi e stoikut Z. Spock tek StarTrek, por për më shumë se gjysmë shekulli ai konsiderohej një planet i vërtetë që vinte në orbitë përreth Mërkurit dhe Diellit. Më shumë se një astronom i respektueshëm ka pretenduar atëherë se e ka vënë re.

Astronomët kanë vërejtur shumë mospërputhje në orbitën e Mërkurit. Në vitin 1860, matematicieni francez Urbain Le Verrier spekuloi që një planet i pavënë re që ushtronte një tërheqje gravitacionale ndaj Mërkurit mund të ishte shkaktar i orbitës së tij të çuditshme. Ai ia vuri emrin Vullkan.

Një astronom i quajtur Edmond Lescarbault tha se e kish vënë re planetin një vit më parë. Të tjerë astronomë nisën të thonë se kishin vënë re më herët objekte që kalonin përpara Diellit. Kalimi herë pas here i objekteve që u ngjanin planeteve i bënte astronomët të ripërllogarisnin orbitën e Vullkanit. Pas eklipsit diellor të vitit 1878, që u dha astronomëve një shans të rrallë për të parë objektet që normalisht nuk shiheshin prej tij, dy astronomë raportuan se kishin parë vullkanin, apo objekte të tjerë brenda orbitës së Mërkurit.

Le Verrier mori medaljen Legjioni i Nderit për shkak se kish parashikuar vendndodhjen e një planeti real: Neptunit. Ai vdiq në vitin 1877 duke besuar ende se kish zbuluar Vullkanin. U desh të vinte viti 1915, me fotografinë e përmirësuar dhe pranimin e teorisë së relativitetit nga Ajnshtaini, e cila shpjegoi çuditë e orbitës së Mërkurit, që kjo ide të harrohej.

Marsianët ndërtojnë kanale!

Percival Lowell pa nga një teleskop nga maja e një kodre në Arizonë dhe vërejti sipërfaqen e Marsit të mbushur me kanale. Qindra milje të gjatë, ata shtriheshin në vija njëshe dhe dyshe që nga polet. Shpërndarës të ujit për banorët e etur të një planeti që po thahej, kanalet u panë si një tipar spektakolar i inxhinierisë, një përpjekje e dëshpëruar e marsianëve për të shpëtuar botën e tyre.

Lowell ishte nëj astronom me influencë, dhe kanalet, të cilët ai i hartëzoi me një precizion të lartë, u bënë një temë e debatit shkencor në fillimin e shekullit 20. Ne tani e dimë që kanalet nuk ekzistonin, po si nisi ky keqkuptim?

Në 1877, Giovanni Schiaparelli, një astronom italian tha se kish parë kanale në sipërfaqen e Marsit. Kur raporti i tij u përkthye në anglisht, canali, që në italisht do të thotë kanal, u përkthye si “Canal” që në anglisht ka kuptimin e kanaleve të bërë nga dora e njeriut.

Imagjinata e Lowellit u ndez nga zbulimet e Schiaparellit. Në 1894, ai ndërtoi një observator në Flagstaff, Arizona, dhe u fokusua tek Marsi. Të tjerë astronomë kishin vërejtur se disa zona të sipërfaqes së planetit dukej se ndryshonin me stinët – blu në të gjelbër gjatë verës dhe e kuqe në dimër. Këta ndryshime dukej se korrespondonin me rritjen dhe tkurrjen e poleve. Lowelli besonte se shkrirja e tyre në verë mbushte kanalet me ujë, që furnizonin zona të mëdha vegjetacioni. Ai mbushi blloqe të tërë me shënime dhe vëzhgime e skica, si dhe krijoi globe që tregonin rrjetet e mëdha të kanaleve ujorë të ndërtuar nga marsianët.

Ngatërresa e sistemit të kanaleve të Lowellit bëhet edhe më misterioze për faktin që duket se nuk korrespondon me asnjë tipar të planetit sot – megjithatë, ai herë pas here shihte të njëjtët kanale në po të njëjtët vende. Edhe në kohën e Lowellit, shumica e astronomëve të tjerë nuk arrinin të shihnin atë që ai shihte dhe teoria e tij u diskreditua nga shumica e komunitetit shkencor. Edhe sot e kësaj dite askush nuk e di nëse hartat e Lowellit ishin rezultat i lodhjes, iluzioneve optikë, ose ndoshta, modeli i enëve të gjakut në syrin e tij.

Ashtu si çdo ide romantike, besimi tek kanalet marsianë ishte e vështirë të braktisej. Mundësia e jetës në planetin që ndodhet më pranë nesh na ka joshur prej shekujsh dhe vazhdon ta bëjë. Kanalet e Lowellit frymëzuan shkrimtarë fantastiko shkencorë, si H.G. Wells dhe Ray Badbury. U deshën misionet Mariner në Mars në vitet 60 dhe 70 që të vërtetonin se nuk ka kanale në Planetin e Kuq.

Toka është e zbrazët

Imagjinoni tokën si një top të zbrazët me nga një të hapur në çdo pol. Në sipërfaqen e brendshme ka oqeane dhe kontinente, ashtu si dhe në atë të jashtme. Kjo është toka siç e shihte Kapiten John Cleves Symmes, një veteran amerikan i luftës së 1812. Ai i ra përreth Amerikës në 1820 duke dhënë leksione për Tokën e zbrazët si dhe duke i bërë thirrje Kongresit të financonte një ekspeditë në pole. Ai shpresonte që sipërfaqja e brendshme e tokës do të eksplorohej dhe do të vendosej tregtia me banorët e saj.

Kjo teori nuk ishte krejt e re – ideja e hapësirave brenda tokës ishte sugjeruar nga mendimtarë të lashtë si Aristoteli, Platoni dhe Seneka. Shpellat dhe Vullkanet mbështesnin këtë teori, dhe kultura është e mbushur me rrëfime dhe legjenda për qytetërime të fshehur poshtë kores.

Në vitin 1691, për të shpjeguar variacionet në polet magnetikë të Tokës, astronomi Sir Edmond Halley i njohur më së miri për përllogaritjen e lëvizjes së një komete të shndërritshme, propozoi një tokë të zbrazët që përbëhej nga katër sfera koncentrike. Pjesa e brendshme duhet të jetë e ndriçuar dhe e banuar, tha ai; ideja e Krijuesit që nuk kish arritur të popullonte tokën dhe të siguronte dritë popullsisë dukej e pamendueshme. Halley thoshte se hapësira e brendshme ndriçohej nga një substancë që jepte dritë dhe tha se aurora borealis shkaktohej nga dalja e saj mbi kore, në pole.

Për ta bërë një ide të çuditshme edhe më të çuditshme, Cyrus Teed, një fizikan, alkimist dhe eksperimentues me elektricitetin i shekullit 19, konkludoi se bota ishte jo vetëm e zbrazët por edhe që në sipërfaqen e brendshme të saj jetonin qenie njerëzore. Ai e pati këtë ide në 1869 kur një vizion ëngjëllor i tha (pasi kish rënë në gjendje shoku pas një eksperimenti) se Teed ishte Mesiah. Sipas ëngjëllit, dielli dhe trupat e tjerë diellorë ngriheshin dhe uleshin brenda tokës së zbrazët falë një atmosfere që përthyente dritën në zonat ekstreme. I gjithë kozmosi, pretendonte ai, ishte 8000 milje në diametër.

Teed e ndryshoi emrin e tij në Koresh, krijoi kultin e tij, Koreshaniti dhe ndërtoi një ndërtesë për ndjekësit e tij, 250 vetë në jugperëndim të Floridës.

Sulmi i Venusit!

Në 1950, Immanuel Velikovsky botoi “Botë drejt përplasjes”, një libër që ngrinte pretendimin e ngjarjeve historike kataklizmike të shkaktuara nga një kometë e hallakatur. Një psikanalist, Velikovsky përmendte librin e Joshuas në Testamentin e Vjetër, ku thuhet se si Perëndia ndali Diellin nga lëvizja në qiell. Hapja e Detit të Kuq nga Moisiu, pretendonte Velikovsky, mund të shpjegohet prej tërheqjes gravitacionale të Kometës. Ai hodhi teorinë që në vitin 1500 para Krishtit, Jupiteri lëshoi një masë materiali planetar që mori formë komete përpara se të shndërrohej në Planetin Venus.

Velikovsky ishte njëri në një linjë të gjatë katastrofistësh, mbështetës të teorisë që janë kataklizmat e papritura shpesh herë në formë planetesh që kanë shkaktuar shfarosjet në masë apo formimin e tipareve gjeologjikë. Libri i tij është i njohur jo aq shumë për shkak të teorive të tij, por për shkak të popullaritetit dhe jetëgjatësisë. Një bestseller i New York times për 11 javë, ai mund të gjendet në raftet e shkencës edhe sot.

“Botë drejt përplasjes” ndeshi në talljen e shkencëtarëve. Mes problemeve të tjerë, përbërja e Venusit dhe Jupiterit është e ndryshme, dhe energjia që kërkohet për të nxjerrë kaq shumë material do ta kish avulluar planetin që po lindte. Gjatë një debati të 1974 të sponsorizuar nga Shoqata Amerikane për Përparimin e Shkencës, Carl Sagan, astronomi i njohur ishte mes panelistëve që i kundërviheshin Velikovskyt. Por sulmet mund ta kenë forcuar pozicionin e tij; për shumë njerëz ai ishte i vogli që i kundërvihej establishmentit të shkencës.

Idetë e Velikovskyt dukeshin radikale një gjysmë shekulli më parë – shumica e astronomëve besonin se ndryshimet planetare ndodhnin me një ritëm të ngadaltë dhe konstant. Ata që kanë mbetur nga mbështetësit e tij përmendin impaktin e asteroidëve të 65 milionë viteve më parë, që shkaktoi zhdukjen e dinosaurëve. / New Scientist – Bota.al