Përshkallëzimi i situatës në kufirin Rusi-Ukrainë mund të finalizohet me nisjen e një lufte. Një parashikim të tillë e bën shefi i inteligjencës ukrainase, gjeneral brigade Kyrylo Budanov, në një intervistë për Military Times.

Rusia ka vendosur në kufi me Urainën 92 mijë trupa dhe sipas Budanov planet janë për një sulm që mund të nisë në fund të janarit apo në fillim të shkurtit.

Sulmi mund të kryhet nga ajri, me artileri, mjete të blinduara të ndjekura nga sulme ajrore në lindje, sulme amfibe në Odessa dhe Mariupul dhe një inkursion më i vogël përmes Bjellorusisë fqinje.

Ju pëlqen!

“Stërvitja ushtarake në shkallë të gjerë e Rusisë Zapad 21 në fillim të këtij viti dëshmoi, për shembull, se ata mund të hedhin mbi 3 500 trupa për operacione speciale”, tha ai.

Sulmi që Rusia po përgatit, – thotë Budanov, – do të ishte shumë më shkatërrues se çdo sulm i deritanishëm”, që nga koha kur filloi konflikti në 2014, kohë gjatë të cilës janë vrarë rreth 14 000 ukrainas.

Sipas Budanov, provat se një sulm i tillë do të ndodhë janë te fakti se Rusia po shton kapacitetet, duke rritur nivelet e trupave dhe sistemet e armëve në Krimenë e pushtuar dhe duke vendosur sisteme si ato të raketave balistike me rreze të shkurtër veprimi Iskandar dhe armë të tjera diku tjetër pranë kufirit.

Ai e hedh poshtë mundësinë e dekurajimit të këtij sulmi për shkak të kushteve atmosferike në periudhën më të ftohtë të vitit.

“Nuk është problem për ne dhe rusët”, thotë Budanov për temperaturat e ulëta të janarit dhe shkurtit.

Sipas tij, paralel Rusia po punon për destabilizimin e Ukrainës nga brenda.

“Ata duan të nxisin trazira, përmes protestave dhe takimeve, që tregojnë se njerëzit janë kundër qeverisë”, tha ai.

Këto përpjekje përfshijnë protesta të vazhdueshme kundër COVID-19 për vaksinimin që Budanov tha se janë organizuar nga Rusia, e cila gjithashtu po përpiqet të ndezë trazira në lidhje me ekonominë dhe furnizimet me energji.

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.