SHBA do të zhvendosë 12 mijë trupa nga Gjermania drejt Belgjikës dhe Italisë. Mediat amerikane citojnë sekretarin e Mbrojtjes, Mark Esper, sipas të cilit procesi do të zgjasë disa vjet dhe do të kushtojë miliarda dollarë, ndërkohë që mbi këtë temë ka edhe një debat të karakterit politik.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka mbrojtur vendimin e vet duke nënvizuar faktin se Gjermania nuk përmbush detyrimin për të paguar 2% të PBB-së për NATO-n, por edhe vendet pritëse, Italia dhe Belgjika nuk e arrijnë këtë kuotë.

CNN shton se me lëvizjen në fjalë që e redukton numrin e trupave amerikane në Gjermani në 24 mijë, do të ndryshojë edhe qendra e komandës amerikane në Europë.  Kreu i Komandës europiane të ushtrisë amerikane, njkohësisht Komandës Supreme të NATO-s në Europë, gjenerali Tod Wolter ka deklaruar se shtabi amerikan do të zhvendoset drejt Belgjikës, ndërkohë që nga Gjermania do të zhvendoset edhe Komanda Amerikane e Afrikës.

Ne po ashtu synojmë ripozicionimin e tre shtabeve me përmasën e brigadës, një batalion të artilerisë kundërajrore dhe një batalion xhenioje nga Gjermania në Belgjikë si dhe dy organizata mbështetëse të kontraktuara në Itali. Po ashtu një skuadron F-16 do të zhvendoset nga Gjermania në Itali, citohet gjenerali.