“Rusia ka trupat e duhura në kufi për të pushtuar Ukrainën “në çdo kohë” dhe qytetarët amerikanë duhet të largohen brenda 48 orëve të ardhshme”

Ishte ky paralajmërimi që bëri Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan këtë të premte.
Sipas tij, pushtimi mund të fillojë me bombardime ajrore që do të vështirësojnë fluturimet e avionëve të pasagjerëve dhe do të rrezikojnë civilët.

Një mori vendesh të tjera u kanë kërkuar gjithashtu shtetasve të tyre të largohen nga Ukraina.
Rusia ka mohuar në mënyrë të përsëritur çdo plan për të pushtuar Ukrainën, pavarësisht se ka grumbulluar më shumë se 100 mijë trupa pranë kufirit.

Ju pëlqen!

Sullivan tha se forcat ruse tani janë “të pozicionuara në gjendje të ndërmarrin një aksion të madh ushtarak” dhe u kërkoi qytetarëve amerikanë në Ukrainë që “të largohen sa më shpejt të jetë e mundur”.

“Ne padyshim nuk mund të parashikojmë të ardhmen, nuk e dimë saktësisht se çfarë do të ndodhë, por rreziku tani është mjaft i lartë dhe kërcënimi tani është mjaft i menjëhershëm sa që [largimi] të jetë i kujdesshëm,” tha ai.

Sullivan shtoi se administrata nuk e dinte nëse presidenti rus Vladimir Putin kishte marrë një vendim përfundimtar për të pushtuar, por tha se Kremlini po kërkonte një pretekst për të justifikuar veprimet ushtarake, të cilat ai tha se mund të fillonin me bombardime intensive ajrore.

Më herët, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se forcat e reja ruse kishin mbërritur në kufi në atë që ai e përshkroi si “shenja shumë shqetësuese të përshkallëzimit rus”.

“Ne jemi në një moment kur një pushtim mund të fillojë në çdo kohë, dhe për të qenë të qartë, kjo përfshin edhe Lojërat Olimpike [të cilat përfundojnë më 20 shkurt],” tha zoti Blinken.

Presidenti Biden ka thënë se nuk do të dërgojë trupa për të shpëtuar asnjë shtetas të mbetur të bllokuar në rast të aksionit rus. Moska ka filluar stërvitje masive ushtarake me Bjellorusinë fqinje dhe Ukraina ka akuzuar Rusinë për bllokimin e daljes së saj në det.

Kremlini thotë se dëshiron të zbatojë “vijat e kuqe” për t’u siguruar që ish fqinji i tij sovjetik të mos bashkohet me NATO-n. Të premten, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se blloku ishte “i bashkuar dhe i përgatitur për çdo skenar”.

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot të paktën me 1 Euro!