Në 31 mars 2021 skadon afati i mandatit njëvjeçar të përfaqësuesit të posaçëm të BE për dialogun Beograd-Prishtinë dhe për çështjet e tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, sllovakut Miroslav Lajçak. Në vlerësimin diplomatik të ecurisë dhe përmbajtjes së misionit të tij në këtë cilësi mund të thuhet në këndvështrimin shqiptar se ai përfaqëson një dështim. Dështoi në thelbin e misionit diplomatik europian për ndërmjetësimin e dy palëve, sepse manifestoi një anësi dhe proserbizëm publik, të papajtueshëm me statusin e përfaqësuesit të posaçëm të BE që duhet të ruante ekuidistancën nga palët, të papajtueshëm me statusin e arbitrit europian të nxitjes dhe progresit të dialogut, dhe të papajtueshëm me statusin e një diplomati me stazh të gjatë në poste të rëndësishme diplomatike. Është vërtetë një absurditet dhe rast unik në praktikën e ndërmjetësimit ndërkombëtar kur arbitri jo vetëm mban anën e një pale në konflikt, por edhe e deklaron atë hapur, gjë që komprometon atë personalisht, por edhe organizatën e respektuar të BE, që e emëroi në 2 prill 2020.

Diplomati sllovak, përfaqësues i posaçëm i BE për dialogun Beograd-Prishtinë, mund të thuhet se tani e derdhi kupën që e kishte mbushur prej kohësh të qëndrimeve, tezave dhe të veprimtarisë së tij proserbe. Në datën 20 shkurt 2021, në një intervistë me portalin serb “europeanwesternbalkans.com”, Lajçak deklaroi se “Nuk ka afate për arritjen e një marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës”. Është teza dhe interesi serb për të pasur një dialog me fund të hapur midis Serbisë dhe Kosovës, që të mos mbarojë kurrë, por të torolitet në bisedimet e Brukselit me tema lokale, që vetëm konsolidojnë dhe manifestojnë raportin e një metropoli me provincën në varësi të tij. Diplomati sllovak duket se do ta shtyjë dialogun deri kur të dalë në pension, me qëllim që Serbia t’i shmanget detyrimit për njohjen e Kosovës, por edhe të përfitojë nga diplomacia e BE dividentët e avancimit të integrimit europian, nën pretekstin se po vazhdon dialogun me Kosovën.

Nuk doli rastësisht tani përfaqësuesi i posaçëm sllovak Lajçak me tezën se “BE nuk ka afate për dialogun midis Serbisë dhe Kosovës”. Në rrethanat diplomatike rajonale dhe ndërkombëtare të dialogut Kosovë-Serbi ka në vitin 2021 dy faktorë të rij. Së pari, është qëndrimi zyrtar i presidentit të SHBA, Xho Bajden, i shprehur në 7 shkurt me shkrim presidentit të Serbisë Vuçiç në telegramin për festën kombëtare serbe se “dialogu midis Serbisë dhe Kosovës duhet të përqendrohet në çështjen e njohjes reciproke midis dy shteteve”. Kjo paraqet jo vetëm pikëpamjen e qeverisë amerikane për objektin kryesor të dialogut, por në të njëjtën kohë edhe theksin se njohja reciproke duhet të vendoset në qendër dhe dialogu të përfundojë. SHBA, kanë një përvojë të gjatë dhe të hidhur me zvarritjet, hezitimet dhe dështimet e diplomacisë së BE në konfliktet ballkanike. Qeveria e re amerikane gjykon se ka ardhur koha që dialogut Serbi-Kosovë t’i jepet fund me njohjen reciproke. Vendimi i njohjes reciproke dhe statusi i barabartë prej dy shtetesh të pavarura hap rrugën e vazhdimit të diskutimeve midis tyre për çështjet e pazgjidhura dypalëshe. Qeveria e re e Kosovës duhet të zbatojë menjëherë qëndrimin amerikan për vendosjen e njohjes reciproke në qendër të dialogut.

Ju pëlqen!

Së dyti, faktor tjetër i ri është qeveria e re në Prishtinë pas zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit, ku fitorja elektorale i takoi Lëvizjes “Vetëvendosje”. Serbia, Rusia, dhe disa qarqe diplomatike proserbe në BE, janë shqetësuar se qeveria e ardhshme e Kosovës pritet të bashkohet me qëndrimin e drejtë amerikan për të vendosur në tryezën e dialogut si çështje të parë njohjen reciproke midis dy shteteve.

Serbia është tallur me dialogun në Bruksel, i cili nisi që në mars të vitit 2011 në kuadrin e nivelit teknik, por që në tetor të vitit 2012 u kthye në nivel politik me takimin në Bruksel të dy kryeministrave të të dy vendeve H.Thaçi dhe I.Daçiç. U sorollatën bisedimet 10 vjet dhe Serbia me ndihmën e disa përfaqësuesve të lartë të BE arriti ta ruajë rrezen e shkurtër të bisedimeve për çështjet teknike, duke bllokuar çelësin politik të zgjidhjes së konfliktit, që është njohja reciproke. Një çështje-thembër e Akilit në konfliktet qysh në vitin 1991 midis shteteve, që dolën nga ish-Jugosllavia. Serbia nuk ka njohur me dëshirë asnjë shtet, që doli nga ish-Jugosllavia. Ajo i ka njohur të gjitha nga detyrimi ndërkombëtar. Kjo do të ndodhë edhe me Kosovën. Ndaj BE zyrtarisht ka vënë kushtin që pa njohur Kosovën, Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE. Lajçaku e ka harruar këtë kusht dhe nuk bëri detyrën që t’ia kujtojë Serbisë. Është një detyrë, që ministri i jashtëm gjerman Sigmar Gabriel e shprehu pa ekuivok kur erdhi në Ballkan në pranverën e vitit 2018 dhe afishoi qëndrimin se “Në qoftë se Serbia dëshiron të avancojë drejt BE, një konditë primare është pranimi i pavarësisë së Kosovës”.

Përfaqësuesi i posaçëm sllovak i BE në dialogun midis Serbisë dhe Kosovës duket i vuri vetes detyrën primare të ndihmojë Serbinë për rrotullimin në vend të dialogut midis dy shteteve ballkanike, duke dalë me tezën serbo-ruse për një fund të hapur të këtij dialogu. Në Beograd në 15 tetor 2020, përkrah presidentit serb Vuçiç, emisari Lajçak deklaroi se “Unë jam kundër vendosjes artificiale të afateve për përfundimin e dialogut”. Është një qëndrim strategjik, të cilit i përmbahen Serbia dhe Rusia, ambasadori i së cilës në Beograd e përsërit këtë tezë çdo javë. Në 14 korrik 2020 përfaqësuesi i posaçëm Lajçak bëri aktin skandaloz të një vizite në ambasadën e Rusisë në Bruksel, ku u pajtua me qëndrimin e ambasadorit rus se çështja Serbi-Kosovë duhet të shkojë në Këshillin e Sigurimit të OKB.

Kronika e qëndrimeve dhe tezave skandaloze të përfaqësuesit të posaçëm të BE për dialogun Serbi-Kosovo është shumë e pasur, por ne po cekim disa më shokantet. Në datën 15 tetor 2020, po në Beograd, në prani të presidentit serb, Lajçak lëshoi xhevairin diplomatik se “BE nuk mund të vendosë se çfarë është normalizimi”. Pra përfaqësuesi i posaçëm i BE për dialogun dhe normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës po e zhvillon misionin e tij diplomatik pa e ditur ai se çfarë është normalizimi i marrëdhënieve. Kjo do të thotë që duke mos e ditur ai vetë, nuk ua kërkon as palëve në dialog se ku duhet të shkojnë dhe çfarë duhet të bëjnë. Lajçaku thotë se nuk e di, por ai e di se BE e din çfarë është normalizimi, sepse BE e ka shpallur që normalizimi është njohja e pavarësisë së Kosovës si kusht që Serbia të pranohet në BE.

Qëndrimet filoserbe të përfaqësuesit të posaçëm të BE bien ndesh në mënyrë të hapur me objektivat e vetë BE për dialogun midis Serbisë dhe Kosovës. Në mandatin e Këshillit të BE për emërimin e Lajçakut si përfaqësues i posaçëm, datë 2 prill 2020, theksohet në nenin 2 mbi objektivat politike se mandati i tij “Në radhë të parë dhe mbi të gjitha ka arritjen e normalizimit gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, marrëveshje që është çelësi i rrugëve të tyre respektive europiane”. Në dokumentin e Komisionit Europian të titulluar “Një perspektivë e besueshme zgjerimi dhe rritja e angazhimit të BE në Ballkanin Perëndimor”, dokument që njihet si “Strategjia e BE për Ballkanin Perëndimor”, i miratuar në 6 shkurt 2018, nënvizohet ky formulim: ”Një marrëveshje normalizimi ligjërisht detyruese dhe gjithëpërfshirëse është urgjente dhe kryesore, me qëllim që Serbia dhe Kosova të avancojnë në rrugët e tyre respektive europiane”. Edhe një diplomat fillestar e din që baza dhe platforma e misionit të përfaqësuesit të posaçëm janë dokumentet e Komisionit Europian dhe ato e udhëzojnë se “është urgjente dhe kryesore”. Ndërmjetësi Lajçak me tezat e tij proserbe që “nuk ka afat dhe nuk duhen vënë afate” i kundërvihet realizimit të mandatit dhe udhëzimeve të Komisionit Europian. Duke sintetizuar veprimtarinë dhe misionin njëvjeçar të përfaqësuesit të posaçëm të BE për dialogun midis Serbisë dhe Kosovës mund të thuhet se ai ka dështuar për shkak të anësisë dhe paragjykimeve proserbe. Në vend të ishte dobiprurës i dialogut, ai u shndërrua në një pengesë për zgjidhjen e duhur dhe të shpejtë të dialogut midis Serbisë dhe Kosovës.

Në këtë stanjacion të misionit diplomatik të përfaqësuesit të posaçëm të BE në Ballkan qeveritë dhe diplomacitë e Kosovës dhe të Shqipërisë nuk mund dhe nuk duhet të rrinë spektatorë. Ato duhet të lëvizin dhe të intensifikojnë përçapjet e tyre zyrtare në kanalet diplomatike lidhur me mosefikasitetin e veprimtarisë dhe qëndrimeve të diplomatit sllovak. Kosova është palë shtetërore në bisedimet dhe në dialogun me Serbinë. Të jesh palë biseduese nuk do të thotë t’i bindesh pa folur përfaqësuesit të posaçëm sllovak, që shet tezat serbe i veshur me uniformën e BE. Kosova ka të drejtën e saj diplomatike dhe shtetërore të protestojë në BE dhe të paraqesë kërkesën zyrtare që mandati i Lajçakut të mbyllet ditën e 31 marsit 2021, kur skadon zyrtarisht. Të njëjtin hap duhet të ndërmarrë edhe Shqipëria, e cila është shtet kandidat i BE dhe shtet anëtar i NATO-s, dhe ka gjithashtu detyrimin e mbrojtjes në arenën diplomatike ndërkombëtare të interesave të Kosovës si interesa të kombit shqiptar. Kosova dhe Shqipëria vërtet nuk janë anëtarë të BE, por ata kanë mundësi të pakufizuara të lobojnë pranë shteteve anëtare të BE dhe të NATO-s, sepse Shqipëria ka marrëdhënie diplomatike me të gjitha shtetet e BE dhe të NATO-s, kurse Kosova ka me shumicën dërrmuese të shteteve të NATO-s dhe të BE. Dhe në mënyrë të veçantë Kosova dhe Shqipëria duhet të lobojnë në Uashington për ikjen e Lajçakut.

Koha i dha të drejtë ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili e kundërshtoi qysh në fillim emrin e Lajçakut si përfaqësues i posaçëm i BE për dialogun Serbi-Kosovë, sepse ka qenë ministër i jashtëm i një shteti, që nuk e njeh Kosovën. Koha i dha të drejtë gazetarëve të njohur gjermanë Tobi Vogel dhe Bodo Ëeber, që në prag të emërimit të Lajçakut nga BE, në datën 21 shkurt 2020, paralajmëruan në “Eurobserver.com” se “Lajçak është një zgjedhje e gabuar, një zgjedhje e tmerrshme” dhe i kujtonin BE-së se Lajçaku në misionin e tij të mëparshëm si përfaqësues i BE në Bosnjë-Hercegovinë ishte dalluar për anësi proserbe.

Argumentet dhe provat janë të shumta që Shqipëria dhe Kosova të ndërmarrin përçapje diplomatike me kërkesën që BE të mos ia rinovojë Lajçakut vazhdimin e misionit, por të caktojë një emisar tjetër nga një shtet i BE, që njeh edhe Serbinë, edhe Kosovën.Të drejtën e përçapjes ia jep diplomacisë së Kosovës dhe të Shqipërisë vetë mandati i Këshillit të BE për përfaqësuesin e posaçëm, ku përfshihet si detyrë edhe “çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor”. Kjo do të thotë që Shqipëria dhe Kosova kanë për detyrë të paraqesin në Bruksel dhe në kryeqytetet e rëndësishme të BE pikëpamjet e tyre për ecurinë e misionit të përfaqësuesit të posaçëm në Ballkan.

Prishtina dhe Tirana duhet të angazhohen në një aksion diplomatik, të paktën për t’i bërë të njohur BE se dy shtetet shqiptare kanë rezerva dhe nuk mund të pajtohen me misione diplomatike të paekuilibruara si ky i përfaqësuesit të tanishëm sllovak të BE për dialogun midis Serbisë dhe Kosovës.

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.