Unë, Tanush Rroni,
I katundit Bardhëz,
Nuk kam letërnjoftim,
As pasaportë nuk kam,
Serbinë nuk e njoh shtet
Derisa t’i perendojë marria…

Me profesion jam mësues,
Me kombësi: Shqiptar.
Je ballkanas? – më pyesin.
Po, u them i ndrojtur.
Ballkanasit janë të marrë…
Dhe kush i bëri të tillë?
Qielli i Ballkanit, them, jo!
Dielli i Ballkanit, them, jo!
Nëna e Ballkanit, them, jo!
Atëherë pse janë të prishtë?
Pse shoqi – shoqin e therin në fyt?…
Jam Tanush Rroni,
Kam pesë djem:
Shpendi në Suedi me fëmijë,
Bardhi në Zvicër me fëmijë,
Besimi në Gjermani me fëmijë,
Lumi në Finland me nusen e tij,
Arbëri u lind më 9 prill 1992,
Është me mua e plakën,
Nuk e regjistrova në Amzën e të lindurve,
(Bëra mëkat që nuk e regjistrova),
Por Serbinë nuk e njoh për shtet
Derisa të mos i perëndojë marria!
Mërzitet Serbia për këtë?
Oh, jo. Asaj nuk i ha palla për mua,
Nuk i ha palla për ballkanasit mizë,
Kërkon miq në Siberinë e ftohtë,
Ik në Kinë, shkon në Zaire,
Mua nuk më do, jo,
Nuk më di se jam gjallë.
Kështu bëri dje, kështu po bën sot,
E nesër? E nesër çka?…
______
“Marrëzia Ballkanike”, 1992. Poezi nga Hasan Dajaku.