SERBIA, KJO PANDEMI E PËRHERSHME!

Shkruan: Adil Memaj

Sot, kur bota po përballet me pandeminë vdekjeprurëse, virus, i cili po shpërndahet çdo ditë në pothuajse  gjithë botën, dhe e krejt vëmendja dhe kujdesi i institucioneve kombëtare e ndërkombëtare është përqëndruar  për ta parandaluar këtë pandemi dhe të shpëtojmë më shumë jetë njerëzish, neve si shqiptarë na thuhet “ngadalë”, se ju nuk  duhet të përballeni vetëm me epideminë e quajtur “Korona virus”, ju e keni edhe një epidemi tjetër të quajtur “Serbi”, e cila do t’ju shoqërojë bashkë me çdo sfidë tjetër që paraqitet gjatë rrugës.  

Në kohën kur qeveria e re po sfidohet për herë të parë me diçka të pazakontë, dhe po përdor të gjitha mekanizmat e saj në mënyrë që ta mbajë situatën në kontrollë  dhe populli ta kalojë këtë sfidë me sa më pak pasoja, u del përballë një sfidë tjetër. “Sërbia”, e cila duke shfrytëzuar fuqinë e saj kudo në botë, tenton ta pamundësojë  funksionimin e Shtetit të Kosovës, duke ndikuar në tërheqjen e njohjeve nga disa shtete të caktuara, dukë bërë presion që të hiqet taksa ndaj produkteve serbe, si dhe duke ndikuar maksimalisht në përshpejtimin e nënshkrimit të “marrëveshjes finale” mes Kosovës dhe Serbisë, me idenë që kjo marrëveshje të nënshkruhet përderisa në pushtet në SHBA është president Donald Trump dhe në Serbi Aleksandër Vuçiç, sepse të dy këta, këtë vit do të përballen me zgjedhje të brendshme, dhe se nënshkrimi i kësaj marrëveshje do të mund t’ju shërbejë për fushatë  zgjedhore si triumf për sukseset e tyre në politikën e jashtme. Është e çuditshme se si gjithmonë kur ka qenë në pyetje diçka në interes të Kosovës, madje edhe vet shpallja e pavarësisë së Kosovës qe lënë pas zgjedhjeve në serbi, si dhe shumë çështje të tjera, mirëpo kur janë në pyetje interesat e tyre, ato duhet të kryhen para zgjedhjeve dhe në nguti.

Derisa në SHBA dhe Serbi të dy liderët janë në përfundim të mandatit, dhe dëshirojnë ta mbyllin edhe çështjen e Kosovës si sukses të tyre, në Kosovë kemi një qeveri krejt në fillim të mandatit. Mirëpo kjo për ta pak ka rëndësi, sepse mbi të gjitha është interesi i tyre në pyetje,  dhe jo vullneti i qytetarëve të Kosovës, i cili në zgjedhjet e fundit votoi për herë të parë të qeveriset nga opozita, konkretisht koalicioni VV-LDK, i cili koalicion në 45 ditë e para të punës së saj tregoi që është serioz dhe e ka për synim një qeverisje më ndryshe nga ajo që e kemi parë deri më tani. Përkundër kësaj dhe kundër faktit se koalicioni kishte një marrëveshje të shkruar mbi bazën e parimeve, të dy partitë, që në fillim patën mospajtime rreth heqjes ose jo të taksës. Edhe pse në fushat zgjedhore, dhe në programin qeverisës të dy partitë kishin premtuar dhe nënshkruar se taksën do ta zëvendësonin me reciprocitet, për dallim nga Lëvizja VETËVENDOSJE, LDK-ja kërkoi që taksa të hiqet tërësisht, dhe jo pjesërisht siç kërkoi kryeministri Albin Kurti, si dhe reciprociteti të mos vendoset fare. Pra, me pak fjalë këto janë mospajtimet që quan deri në kërkesën për prishjen e koalicionit qeverisës mes LVV-së dhe LDK-së, dhe këto janë problemet që po përballemi si popull gjatë kësaj periudhe.

Arsyeja se përse ne si qytetarë të këtij vendi dhe si shumicë duhet të brengosemi, qëndron tek fakti së pazaret dhe lëshimet që i kemi bërë karshi Serbisë nuk po marrin fund asnjëherë.

A nuk i mjaftuan Serbisë gjithë ato të drejta që iu dhanë me anë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës që burojnë nga “Paketa e Ahtisarit”, lëshimet si: Krijimi i 10 komunave me shumicë serbe, ku mes tyre edhe Komuna e Mitrovicës Veriore, e cila e ndan qytetin në gjysëm vetëm për të plotësuar kërkesat e Serbisë ; 10 vende të rezervuara në Parlamentin e Kosovës, ku sot pa votat e minoriteteve, e sidomos listës serbe nga e cila varet edhe vetë krijimi i  qeverisë; dhe përveç vendeve të rezervuara, së paku një ministër duhet të jetë nga komuniteti serb, dhe së paku dy zëvendësministra në qeveri; Partia e minoritet serbe e quajtur “Lista Serbe”, e cila udhëhiqet drejtpërdrejt nga Beogradi, i shantazhon institucionet e Kosovës, sa herë merr urdhra nga lart ; Iu dhamë të drejta ekskluzive Kishave dhe Manastireve serbe; Iu dhamë Televizion të vetin të pavarur të licencuar në gjuhën serbe.

Kjo “pako” detyroi shqiptarët të heqin dorë nga flamuri, i cili sipas tyre nuk i përfaqësonte minoritetet, të cilët në fakt nuk e përbejnë as 10 %  të popullsisë, duke imponuar një flamur me anë të një konkursi, sikur të ishte ndonjë tender, dhe jo simbol i një populli që përfaqëson historinë dhe sakrificën e tij. Flamuri u ndryshua më shumë për hatër të minoritetit  serb, i cili minoritet te njejtin nuk e respekton aspak, dhe në komunat e tyre valon vetëm flamuri i Serbisë. Kemi lejuar që gjuha serbe të jetë gjuhë zyrtare, edhe pse ka komuna ku nuk jeton as edhe një serb i vetëm, duke harruar që qytetarët shqiptarë të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit nuk i gëzojnë as të drejtat minimale. Në një nga qeveritë e kaluara iu dha amnisti të gjithë  të dyshuarve për krime që gjendeshin në pjesën veriore të Mitrovicës, të cilët tashmë quheshin “Roje të Urës”, që garantonin një lloj ndarje de fakto të asaj pjese, duke bllokuar çdo investim të mundshëm nga qeveria e Kosovës, si dhe duke kryer sulme dhe presion të vazhdueshëm ndaj shqiptarëve të asaj ane. Si shpërblim për gjithë atë që bënë, në vend të ndëshkimit, atyre iu ofrua edhe punësim në Policinë dhe institucione të tjera të Kosovës madje  një pjesë e tyre sot e atëherë marrin nga dy rroga, një nga Beogradi si dhe një nga Qeveria e Kosovës.

Përtej të gjitha këtyre lëshimeve si dhe shumë të tjerave, Serbia vazhdon të mos e njohë Kosovën, ta luftojë kudo ku i jepet mundësia, në çdo konferencë Evropiane dhe Botërore, vazhdon ta bllokojë anëtarësimin e saj në Interpol, etj. dhe për me keq, të huajt vazhdojnë ta ledhatojnë, duke mos i bërë presion asaj, mirëpo politikanëve të Kosovës, në mënyrë që ata gjithmonë të jenë të dëgjueshëm karshi Bashkësisë Ndërkombëtare, edhe kur ata nuk kanë të drejtë, dhe se kërkesat e tyre janë në kundërshtim me vullnetin e popullit të Kosovës. Mirëpo, historia në raport me ta na mëson se Serbia është e pangopur, prandaj ndaj saj duhet të sillemi me të njëjtën monedhë, duke përdorur një të drejtë ndërkombëtare të quajtur reciprocitet. Pasi, besoj se vetëm reciprociteti i plotë ndaj Serbisë na bënë të dukemi si shtet, jo vetëm si emër por edhe si përmbajtje, dhe se një herë e përgjithmonë do t’i ktheheshim problemeve tona të brendshme.

 

Shkruan: Adil Memaj  

Data: 21.03.2020