Serbet dhe Shqiptaret me autor Milan Shuflajin botuar ne Tirane, 2002

Sistemi i fortifikimeve romano-bizantine. – Krahinat serbe.- Tufa e qyteteve përqark Dukles romake: themelimi i Bar-it. – Qytetet e vogla përreth Apolonisë greke: Rrethinat e qytetit të Vlorës. – Klementiana e Sarachinopolis. – Lëshimi dhe rindërtimi i akropolit të Lezhës. – Oborri mbretëror serb afër Shkodrës. – Fati i rrethimit të trefishtë të fortifikimeve të Durrësit. Rrënimi i qytetit pas tërmetit të vitit 1273. Muze në muret turke

Me dyndjen e popujve fillon në këto vise forcimi i qyteteve romake që ishin themeluar deri atëherë, pikëriësht në atë kohë fillon edhe periudha e ndërtimeve të varosheve të rinj nga mbretëria romake e Lindjes e cila për tu bërë ballë sulmeve barbare kishte filluar me kohë krijimin e sistemit vigan të kështjellave ushtarake.

Ndoshta ju pëlqen!
Loading...


Ky sistem në pjesët kryesore ishte përfunduar në kohën e mbretit Justinian. Për aq sa ishte e mundur çdo krahinë, ç’merr prej Dunavit (Tunës) e deri në Heladhë, duhej të kishte kështjellën e vet. Në Epirin e Ri, Prokopi në librin e vet mbi ndërtimet e mbretit Justinian numëron 26 kështjella të rindërtuara dhe 32 të themeluara rishtas. Prej këtyre mund të identifikohen vetëm disa. Një kështjellë e tillë e rindërtuar ishte Tyrkanol, emër i cili është padyshim i vjetër dhe duhet të kërkohet afër Tiranës. Mbi kështjellën Argyas, mbi lumin Janica, do të bëjmë fjalë më tutje. Një kështjellë e re, me emër grek është Stefaniakon, prej të cilës merr emrin e vet peshkopata e më vonëshme shqiptare.


Bazën strategjike të këtij grumbulli kështjellash e formonte fillimisht e famshmja
“Via Egnatia”, e më vonë kur barbarët e prenë këtë rrugë, Durrës-Konstantinopël, e formuan qytet e bregut, Durrësi dhe Lezha. Shi në shek. 9 bregu i fortë bizantin i Durrësit pati më shumë se 30 kështjella. Vija mbrojtëse e veriut e cila na intereson më tepër bashkohej me brezin e fortesave të ngritura prej Bizantit kundër Gotëve të Lindjes. Gjurmët e këtij sistemi kundër Gotëve mund të shihen në fortesën me katër kënde të kohës së mesme Anagastum (Onogost, Nikshiqi) në Malin e Zi të sotëm. “Zid Vuka mahnitoga” (Muri i Vukut të marrë), siç e quajnë malazezët këtë fortesë kufitare e cila gjendej ndërmjet këtyre dy vijave.
Vija e fortesave romake shkonte prej Tivarit, përafërsisht prej Lezhës për gjatë Drinit e udhës së dikurshme romake (e cila në kohe e mesme quhej “Via de Zenta”) për në Prizren. Në fund të shek. 11 ky kufi bizantin ishte forcuar në të gjitha qafat e grykat me hendeqe, me mure e pirgje dërrase ose guri. Prej kësaj kohe rrjedh emri “Krajina” (shqip “Kraja”). Me këtë emër serbët quanin bregun përgjatë liqenit të Shkodrës ndërmjet Bunës dhe fushës së Cemit. Një tjeter “Krajë” ishte afër Dibrës (1273, Sirclani et Craye).
Qytetet e vjetra që nuk ishin të zot të zhvilloheshin u shuan me shpejtësi. Kështu, u shua Epikaria që përmendet prej Prokopit për herë të fundit si fortesë (Pakoue) Trupi i qytetit të madh të Dokles romake u shkatërrua prej dorës barbare e prej fuqisë së natyrës. Në vitin 518 ai u rrënua krejtësisht prej një tërmeti të madh. Qyteti u shkretua në kohët e turbulla të shek. 7. Pjesët e tij të rrënuara u morën nga kështjellat fqinje. Përqark tyre u krijuan në atë vijë tufa e qyteteve të kohës së mesme: Suacium (Svaç), Drivastum (Drivast, Drishtë), Balecium (Balezo). Dagno ose Danji (Deje) u bashkua me fortesën romake (Dionaa). Pjesën më të madhe të popullsisë së Dukles romake e përmblodhi rreth vetes kështjella (Antihargai). Qyteti peshkopor Antibari, Bar-i a Tivari mori mbi vete edhe gojëdhanat e Dukles, sikundër Spliti (Spalato) mori mbi vete gojëdhanat e Salonës (Solinës) së shuar e Dubrovniku (Raguza) ato të Epidaurum-it romak.
Si shembull i Dukles është Apollonia në jug. Kjo përmendet për herë të fundit nën mbretin Justinian në katalogun e qyteteve të Hieroklit. Pak më vonë u shua sidomos nga shkaku i rritjes së moçaleve dhe sulmeve të armikut. Me banorët e saj u mbushën qytetet e vogla që gjenden rreth e qark, mezën e të cilave e përbënin kështjellat e vjetra bizantine. Kështu u formua Spinarica e kohës së mesme mbi grykën e Vjosës; pastaj Klisura (Këlcyra), 1319 Clissania, 1327-1335 Clausura, në vendin mbi Vjosë ku kalon udha Vlorë-Berat. Të dyja këto qytete u rrënuan në shek. 14. Vlora arriti të rezistonte por ajo nuk është identike me Vlorën e sotme as me të vjetrën.
Vlora e kohës së mesme shtrihej përgjatë “skelës” (scalo) së sotme të shkretuar afër kështjellës tetëkëndëshe të rrënuar. Kjo kështjellë turke është ajo “castrum Avellone”e kohës së mesme e cila në shek. 13 nën Anzhuinët pati një rëndësi të madhe por që më vonë atë ia mori qyteti i epërm Kanina që ishte shumë më i fortë dhe më i lartë. Kështjella e Vlorës në kohën e mesme kishte prejardhje bizantine (Antiwn ke Prokopi gabimisht në vend të Aulon). Duke qënë pranë detit kjo kështjellë thithi banorët e Apollonisë në kohën e dyndjes së popujve. Ajo tërhoqi mbi vete edhe krejt Vlorën e vjetër e cila në veri mbi gjuhën ndërmjet kënetës së Vlorës e të detit afër katundit të sotëm Plakë ka lënë rrënojat e veta. Varoshi përqark kësaj kështjelle u shkretua pas murtajës së madhe të vitit 1481 e nga shkaku i luftës për kështjellën ndërmjet mbrojtësve turq e sulmuesve napoletanë e shqiptarë.
Pas shek. 9 u shuan pak nga pak të gjitha kështjellat romako-bizantine që nuk morën karakter qyteti. Për një kohë më të gjatë duket se qëndroi fortesa (Klementiana) (ke Prokopi) e cila duhet kërkuar afër doganës së kohës së mesme të Shën Shelbuemit mbi Drin; prej kësaj fortese mori emrin e vet në shek. 17 fisi i fortë i Klementinëve (fisi i Kelmendit), fara e të cilit në kohën e mesme gjendej mbi udhën ushtarake romake Shkoder-Pukë-Prizren.
Qyteti i këtyre në shek. 9 gjendej ndoshta në bregun e detit afër Shën Gjinit dhe shërbente si fole e kusarëve arapë. Këtë na e kujton katundi Sarachinopoli në kadastrën e Shkodrës të vitit 1416. Me siguri me burim bizantin është edhe fortesa Ob1iquus (in Ob1iquo ad custodiendum castellum) në bregun e djathtë të Bunës ku sipas tregimit të priftit të Dukles, mbreti bullgar Samueli (para vitit 998) rrethoi edhe zuri rob princin serb Vladimirin. Ky vend që sot quhet Ob1ikë gjendet për të parën herë ndër akte e vitit 1398 (Oblich) e më vonë si katund, pronari dhe “paesium”.
Por edhe qytetet e vjetra që qëndruan në periudhën e rëndë të seleksionit në kohën e mesme pësuan ndryshime me rëndësi në strukturat e veta. Lezha në kohën e mesme u zmadhua dyfish: si qyteti i epërm, akropoli mbi mal edhe varoshi i forcuar mbi Drin. Me zhdukjen e sundimit bizantin, në shek. 13 u shkretua qyteti i epërm. Varoshi mbi Drin u quajt “castrum de Leexio”. Në kohën kur Dukagjinët ua dorëzuan këtë qytet venedikasve (1393) akropoli mbeti vetëm si rrënojë ndërsa muret ishin ruajtur mjaft mirë. Venedikasit deshën që të rindërtonin qytetin e epërm (1398). Por këtë synim e realizuan turqit në kohën e Selimit I (1512 -1520). Këtë gjë e bënë sepse venedikasit patën rrënuar fortesën e varoshit mbi Drin kur në vitin 1501 ishin të shtërnguar më në fund ta lëshonin Lezhën. Sot akropoli që në vitin 1614 u quajt “castel novo” është fare i shkretuar.
Shkodra e kohës së mesme “slavnyi grad Skadar” (italisht Scutari i krijuar prej rasës vendore Skadari) qendra e princave Duklanë dhe e mbretërve të rinj serbë nuk gjendet plotësisht në vendin e qytetit romak. Natyrisht, qyteza ka mbetur siç ka qënë por qyteti i forcuar ka lëvizur përreth qytezës pak në perëndim. Qyteti ka patur edhe paralagje të hapura. Në Shkodrën mbi Drisht përmendet oborri i mbretërve serbë me pallate shumë të bukura. Ajo u rrënua në vitin 1331 në luftën për marrjen e fronit por pastaj u rindërtua përsëri. Atë e morën Balshajt. Më pas u rrënua fare në kohën e pushtimit të përkohëshëm të Shkodrës nga turqve (1392-1395). Vendi ku gjendej oborri mbretëror ishte quajtur në vitin 1416 “la corte de lo imperator”.
Themelet e fortesës të kohës së mesme të Durrësit i hodhi mbreti bizantin Anastasi (491-518) që kishte lindur aty. Shtytjen për këtë ia dha gjendja e mjerueshme e Durrësit pas ikjes së Gotëve e ndoshta edhe dëmi që shkaktoi tërmeti katastrofal i vitit 345, pas të cilit nuk ishte merimetuar plotësisht.
Anastasi dha urdhër që qyteti të forcohej me rrethime fortesash trefishe (trusi peridaleiu stefanois) të cilat pas tërmetit të vitit 518 i përmirësoi mbreti Justin dhe i përfundoi Justiniani. Sikundër e kërkonte nevoja në kohën e dyndjes së popujve dhe për vetë fuqinë e madhe detare të Bizantit sistemi i fortifikimeve ishte i ndërtuar kundër sulmeve nga ana e tokës.
Fortifikimin e fundit e përbënte mbyllja e rrypit të ngushtë prej 7 km në veri të qytetit në rrugën nga ana e Bishtit të Pallës. Ideja e këtyre lloj fortesave u vu në veprim në atë kohë edhe në “murin e gjatë” para Konstantinopolit, mandej në Thermopilet, më vonë në gadishullin Kasandrës afër Selanikut dhe në Hersonez të Thrakis. Ky mur ishte 200 m. i gjatë, 1 m. i trashë e me tulla të bukura bizantine. Edhe sot rruga kalon nëpër portën e këtij muri e sipas emrit të tij të gjitha rrënimet quhen Porta. Qysh prej kohës kur venedikasit pushtuan Durrësin (1392) këto fortesa kanë mbetur rrënoja.
Nga ana e tokës qyteti kufizohej deri në kohën e Venedikut me rrethimin e dytë, me muret e varoshit të cilat ishin aq të gjëra sa mund të ecnin katër kalorës përbri njëri-tjetrit. Këto mure i rindërtoi despoti i Epirit dhe mbreti i më vonëshëm Theodor Dukë Komneni, i ati i Ana Dukës e cila u martua rreth vitit 1220 me mbretin serb Stefan Radoslavin dhe që pas thyerjes së të atit në betejën afër Klokotnicës iku në Durrës bashkë me burrin e saj (1234) dhe u la në vullndetin e njëj “Frankut të madh”. Prej këtyre mureve natyrisht jashtë varoshit të vogël sot shihet një pirg me një mbishkrim greqisht të vitit 1225 që thotë se këtë ndërtesë të vjetër, të jashtëzakonshme e ka ngritur Theodor Komneni. (ton purgon duper kaQoras, ktisma xenou)
Rrethimin e tretë të përforcuar e formonte në anën juglindore të qytetit kështjella ose qyteza. Kur Anzhuinët pas tërmetit të vitit 1273 (rreth 1280) ndërtuan mbi limanin e Durrësit kështjellën e re, kështjella e vjetër bizantine quhej ‘’castrum superius’’.
Fillimin e rrënimit të Durrësit e shënon tërmeti katastrofal i vitit 1273 që i ngjan atij të Raguzës të vitit 1667. Shumë qytetarë me këtë rast gjetën vdekjen, shumë të tjerë ikën nëpër male dhe në Berat prej nga vetëm një pjesë guxoi të kthehej në shtëpi në vitin 1284. Mbas tërmetit ndodhi një zi buke e gjatë, pastaj një murtajë e tmerrshme, në vitet 1348 dhe 1363, më vonë luftime për pushtimin e Durrsit të shoqëruara me egërsinë e tiranëve shqiptarë. Nga këto shkaqe një pjesë e madhe e popullsisë u shtërngua të shpërngulej në Apuli ku jetonte me të lypura. Megjithëkëto, Durrësi ndoshta do të mund të duronte gjithshka nëse tërmeti do t’i mbyllte kënetës së madhe rrjedhën për në det, e të shkaktonte kështu ‘’ajrin e lig’’. Në një masë më të madhe se në Vlorë e në Medonë malarja bënte dëm në popull e veç kësaj frika prej turqëve i shtynte qytetarët të shkonin në vende të huaja.
Në vitin 1403 venedikasit zvogëluan rrethin e mureve të qytetit për arsye se ai nuk mund të mbrohej kurrësesi prej madhësisë që kishte e prej numrit të vogël të ushtareve; në vitin 1428 qyteti u shkretua gati fare. Venedikasit shpallën se ata që donin të vendoseshin në Durrës nuk do të paguanin taksa. Më në fund Republika e Venedikut vendosi të plotësonte dëshirën e vjetër të qytetarve që qyteti të shndërrohej me ndihmën e hendeqeve e të gërmimeve, në një ishull d. m. th.. që këneta të bashkohej nga ana e veriut dhe e jugut me detin kështu që ujët e detit t’a rrethonte plotësisht. Në krye të kësaj pune, për të cilën edhe zotërit shqiptarë dhanë një numër punëtorësh ishte në vitin 1455 një inxhinier venedikas. Por ky mundim i madh u tregua i pamjaftueshëm kundrejt fuqisë së natyrës. Kanalet, ekzistencën e të cilave e vërtetojnë edhe sot kallzime e banorëve mbylleshin me shpejtësi me rërën e detit. Ishte e nevojshme që ata të pastroheshin vit për vit, si për shembull në Trogirin (Trau) e kohës së mesme por kjo punë nuk u bë. Përsëri filluan ankimet për ‘’ajrin e keq’’ por në verë, në Gusht të vitit 1501, turqit kapërcyen kënetën që në shumë vende ishte tharë dhe pa pritur e pa kujtuar e sulmuan Durrësin.
Turqit përnjëherë e zvogëluan të gjithë qytetin në vendin e zbrazur ndërmjet të dy pirgjeve, në anën e pirgut bizantin. Këta atje, paralel me muret e vjetra romake, një km larg dhe me muret e vjetra bizantine gjysëm km, ngritën në drejtim të veriut një mbrojtje të re të ndërtuar me gurë rrënimesh të vjetra. Ky mur, me një pirg katërkëndësh mbi ‘’porta grande’’, me copa mermeri, me skulptura të vjetra, me mbishkrime romake, bizantine e venedikase, mandej me gurë varresh e me stema duket si një muze i vërtetë.

Perëndimi i formimeve të fiseve shqiptare të dorës së dytë: Arjanitët, Zenevizët, Masrekët, Shpatët, Skurajt, Matesët, Letinët, Buzëzezët, Logoresët, Arbënt. Vdekja e tyre është lindje e dinastive. – Dita e madhe e katundit të Zetës e të Shqipërisë.

Për syrin e historishkruesit boshti politik bizantin fsheh për një kohë të gjatë rregullimin e kaosit të fiseve që ngjau kur pushtimi romak pati shkatërruar fiset e para ilire të Labeatëve, të Pirustëve, të Sardeatëve, të Batiatëve, të Partinëve. etj. Vetëm në shek. 11 duke përshkruar kryengritjet me burim në Durrës, shkrimtarët bizantinë përmendin shqiptarët (Arbanët) (Albanitai Albanoi) Nuk ka dyshim se në kohët e turbullta e të errta të dyndjes së popujve u bënë ndërmjet Matit e Vjosës formime të reja e të fuqishme fisesh të cilat duke marrë parasysh formimet e para ilire ishin formimet e dyta.
Në një listë anzhuine (Acta Albaniae 1. 563) përmenden 13 fise të cilat në vitin 1304 banonin ndër ato vise. Lista origjinale në bazë të së cilës u punua shkresa mbretërore anzhuine e ruajtur duket se është shkruar në gjuhën greke. Kjo statistikë del në dy lista e në tre vende; megjithate sipas tekstit emrat e fiseve lypsej të ishin në rasën dhanore. Statistika stereotipisht thotë kështu: ‘’Albos, Spatos, Catarucos, Bischesini, Aranitos, Lecenis, Turbaceos, Marchaseos, Scuras, Zeneuias. Bucceseos, Logoreseos, Mateseos fidelibus suis”.
Atje pra përmenden Aranitasit të quajtur kështu sipas lumëzit që në kohën romake kishte emrin Argyas (mbishkrim në Bilidi: item pontes in Argya flumine), dhe që ishte një afluent i Devollit (Semanit), të Janicës së sotme. Në listën e kështjellave që mbreti Justinian kishte dhënë urdhër të rindërtoheshin në Epir të Ri, Prokopi përmend kështjellën (Arguas). Atje ishin Zenevët e jugut. Mbi këta do të flasim si edhe do të bëjmë fjalë mbi fisin Mazrek (Mazarakaion), emri i të cilëve në statistikën e përmendur është padyshim i gabuar sepse i quan: Marchaseos. Fisi i Shpatave, i quajtur me këtë emër sipas shpatave të gjata greke i dha emrin krahinës së Shpatit në jug të Skampës (Elbasanit). Mbas Skurajve, mori emrin krahina e kohës së mesme Skurija afër Durrësit e që sot quhet Manskurija (slav. dudova Skurija, Skurija e manave). Matesejet u quajtën me këtë emërn sipas lumit të Matit. Diku nën vijën Lesh-Krujë, afër Mises, krahinës së kohës së mesme, (il paese dela Misia) pranë Kepit të Rodonit duhet kërkuar qendra e ‘’Latinëve” (Lecenis në vend të Letenis, 1272 sevastus Petrus Leti, shqip Lëtin, Latin, katholik; emri i të cilëve është një burim fetar; pastaj fisi “Buzëzezë” (Bucceseos, 1274 savasto Tanusius Bessossia; në kadastrën e Shkodrës së vitit 1416 gjendet shpesh herë Busesessi, Busessia). “Logoresejt” mendoj se do të kenë banuar në malet Akrokeraune, një pjesë e të cilave quhet sot Lungarë.
Në krye të të gjithëve përmenden Albët. Emri i këtyre sikundër e shkoqitëm më përpara u bë i përgjithëshëm për krejt grumbullimin gjuhësor. Këta përmenden për herën e fundit si fis në këtë statistikë anzhuine.
Të gjitha këto fise përveç Zenevjev-ve e Mazrekve të cilët u shtynë deri në Thesali në këtë kohë janë në rrugën drejt zhdukejes. I prishi sistemi pronësor feudal e më vonë i asgjësuan titujt bizantinë, serbë, papnorë e anzhuinë që pranuan kryetarët e tyre. Fisi i Mesve i quajtur kështu në kundërshtim me emrin Letinë që sipas zakonit ortodhoks merrte prosforën (shqip mesha “prosfora”) nuk përmendet më në statistikën anzhuine. Por më përpara (1272) përmendet “sevastus Petrus Messia”. Në shek. 14 vendin e këtyre fiseve e zunë dinastitë e Dukagjinëve, të Topiajve, të Aranitasve, të Muzakve, të Matarangëve e të Shpatave.
Kur në shek. 14 nën pushtimin turk filluan të prisheshin nga themelet organizimet shoqërore të shtetit bizantin e serb, të rregulluara qëndërsisht; kur në shek. 15 turqit fshinë dinastitë e vogla; kur qytetet shumë të vjetra vdiqën prej vdekjes filetike atëherë ra ora e katundit të bariut që kishte trashëgimin e kohës së lashtë, i armatosur me hobe, me një shkop të trashë dhe me një shigjetë të helmatosur, i shtyrë prej instinktit për mbrojtjen e vendit: me hakmarrje, me besë e duke bërë lidhje gjaku. Ai përlau katundet e buta në fusha, e me to përlau edhe organizimet juridike bizantine-serbe. Kështu për të tretën herë dhe për të dytën herë mbas zhupanëve sllavë të mëparëshëm mbulohet Shqipëria e Mali i Zi me formime fisesh të fuqishme që qëndrojnë edhe sot.
Edhe Jireçeku pohon se fiset e sotme malazeze fillimi i të cilave është prej shek. 14 kanë dalë prej katundeve të mëdha barinjsh. Këto fise janë: Zubcët nën malin Orjen -1305, Meleshevcët në qarkun e Bileçës 1397, Banjanët, 1389, Drobnjakët mbi Dormitor 1354, Bjeloglavcët në fushën e Zetës 1348, Ozrihniçët e Njegushët mbi Kotorr 1435, Piperët mbi Moraçën 1416, Vasojeviçët afër kullës së Medunit 1444.
Edhe fillimi i shumë fiseve të sotme shqiptare është prej shek. 15 poene prej shek. 14. Kastratët embrioni i të cilëve ishte afër rrënimeve të ‘’tabor-it’’ romak, pranë rrënojave të Kastrës që në vitin 1559 banonin mbi Shkodër-Orosh; pastaj Prekalët, Malësorët, Shkrelasit dhe Mirëditasit dalin si mbiemra familjesh në kadastrën e Shkodrës në vitin 1416. Emri i Kelmendëve, që më vonë ishin të fuqishëm (shqip Këlmend, shumës Këlmendët) del prej kështjellës bizantine Clementiana që e përmend Prokopi dhe të cilin duhet t’a kërkojmë mbi udhën romake Shkodër-Prizren afër doganës së kohës së mesme të Sh. Spasit (slav. Svetoga Spasa, shqip të Sh. Shëlbuesit). (1353, dominus Geourgius filius Georgii Clementi de Spasso).
Gjaku i thjeshtë i barinjve bashkëvepronte edhe në krijimin e fiseve malazeze. Mbi bashkëveprimin e rumunëve flasin emrat Piperi e Mogushi. Trazimin e fortë të gjakut shqiptar e tregojnë emrat e disa vëllazërive të vjetra malazeze. Të tillë ishin: Mataguzët afër Podgoricës (1335), Mahinët përgjatë bregut (1435) të cilët na kujtojnë Mavioi-t ilirë mandej Malonshiçët në fushën e lumit Zetë pastaj Matagurët e shuar prej shumë kohësh (të quajtur me këtë emër sipas shpatave që mbanin) e që sot rrojnë ndër përralla në Grahovën. Një kujtim i vëllazërisë shqiptare baritore është ruajtur në vendin ‘’Gojmadhe’’ (1444), thellë në Malin e Zi e ku sot askush nuk kupton shqip. Në këtë pikëpamje janë karakteristike edhe përrallat të cilat përqendrojnë burimin e fiseve shqiptare e serbe në stërgjyshë të përbashkët. Kështu për shembull, serbët e sotëm, Vasojeviçët, Piperët dhe Ozrihniçët si dhe shqiptarët, Krasniqët, Hotët dali prej pesë vëllezërish.
Por ndonëse vërtetohet se të gjitha këto fise janë formuar prej katundeve, megjithatë fara e tyre po të shikohet hollësisht është shumë e koklavitur dhe e trazuar.

Gjurmët e racës paraindoevropiane mbi Atlasin, ndër Pirenejtë, ndër Alpe, në Kaukaz dhe mbi malësitë dinarike. – Përhapja e Ilirëve të vjetër. – Zona e përzierjes iliro-thrake. – Thyerja e shtretërve të parë në kohën romake. – Romanizimi intensiv i bregut të Adriatikut: Huazimet latine në shqipe. – Gjuha telefonike e Malësorëve. -Romanizimi përhapës mbi Tunë; kompromiset e gjuhëve rumune.

Përpara dyndjes së sllavëve dhe përpara kolonizimit romak, Ballkani në veri të Heladhës u përkiste fiseve ilire përgjatë detit Adriatik, e fiseve Thrake në mbrendësi të ketij vendi. Në kohën e pushtimit romak, në Malin e Zi të sotmin ishin Dokleatët: fqinjët e këtyre ishin Labeatët përgjatë liqenit të Shkodrës; përqark grykës së Kotorri ishin Pirustët. Sikulotët banonin në viset përreth Drinit të bashkuar, e siç duket prej këndej kishin ardhur herët një pjesë e Sardeatve që ishin më në veri. Ndërmjet Lezhës e Durrësit banonin Batiatët; mbi Shkumbinin (Genussos) ishin Partinët; nga ana e liqenit të Ohrit Dasaretët; mbi Vjosën e sipërme Atintanët, Amantët, Bulinët; në kufi të Maqedonisë banonin Linkestët e Orestët.
Ilirët e vjetër gjuhësisht hyjnë në grumbullin indoevropian (arian). Por, kur erdhën në Ballkan gjetën, sikundër Thrakët e Helenët, një shtrat më të vjetër, të një race e cila sipas gjakut e gjuhër nuk ishte ariane. Racat e humbura dhe gjuhët e tyre i ruan mirë malësia. Mbi Atlas kanë qëndruar kabilët e tuarekët, në Piranej baskët e në Kaukaz kemi një muze të vërtetë të kombeve të humbura. Linguistika moderne ka treguar një kujdes të madh për teprica gjuhësore të malësive si për gjuhët e plota ashtu edhe për dialektet. Në bazë të këtyre studimeve ka hyrë thellë në kohën e kaluar e ndër elementët e gjuhëve evropiane, shumë më thellë se ka mundur deri tani të futet me krahasimin e thjeshtë të gjuhëve ariane.
Edhe në gjuhën e malsorëve shqiptarë janë dalluar shenja prej kohës së kaluar para të vjetër; paraindoevropiane, paleoevropiane. Atje gjenden fjalë, sidomos fjalë blektorie që nuk mund të shkoqiten me mjete ariane e të cilat shihen nëpër dialektet alemane të Alpeve nëpërmes Helvetisë e në dialektet romake mbi liqenin e Gjenevës: (shqip mës – zdrijebe, lopë – kvara, berr – ovca). Për disa fjalë të përbashkëta të gjuhës shqipe e rumune (shqip – mal, rum. mal) na jep dritë gjuha ilire (Dimallum – mal me dy krena) e gjuha thrake (Dacia maluensis – Dacia ripensis). Kjo gjë na tregon se këto dy gjuhë ishin të ekspozuara ndaj një idiome parahistorike. Kjo hipotezë forcohet edhe me atë se ndër shqiptarët janë ruajtur gjurmë të forta të numërimit vigezimal joindoevropian njëzet (20), dyzet (40), trezet (60) që i gjejmë plotësisht tek pasardhësit e iberëve të vjetër, ke Baskët e sotëm ndër Pirenej. Ndërmjet këtyëe dy gjuhëve gjenden edhe krahasime të tjera: (shqip bisht, në gjuhën baske buston). Padyshim që materiali toponomastik në Iliri e në Thraki “ka ruajtur nënshtratin e përbashkët të vjetër evropian përmbi të cilin u derdhën në kohët e ndryshme fise të shumëllojshme indoevropiane.
Zgjerimi i përgjithshëm i popullsisë ilire është punë e vështirë për tu caktuar sepse edhe palci i saj ishte në një lëviz je të pandalshme. Porsi fqinjët e tyre të lindjes ashtu pra edhe Ilirët ishin të ndarë në grumbuj më të mëdhenj e më të vegjël; gjendeshin në luftë fisesh ndërmjet njëri tjetrit e përveç kësaj paraqitnin një plazëm të tundshëm mbasi mënyra e jetesës së tyre ishte ajo e barinjve.
Në këndet e palcit ilir mund të vërtetohet shumë herët një e përzier e fortë me popujt fqinjë. Japudët që banonin në Kroacinë e sotme, Straboni i quan “popull kelto- ilir”. Shi në atë krah ku më vonë shihet cikloni i madh serbo-shqiptar e bullgaro-vllah në Epir, në Akarnani e në Etoli popullsia e përzier iliro-greke u bë shkak i përhapjes së fiseve ilire, (mixobarbaroi) të Euripidit, gjuhën e të cilëve Tukididi e tregon fare të pakuptueshme e të cilën shkenca e sotme nuk e numëron në ilirishten e vërtetë.
Kur kolonizimi romak mbaroi në Ballkani, nënshtrati etnik i atjeshëm nuk formonte një njësi homogjene. Ndërmjet popullsisë ilire e thrake ishte një zonë e madhe e përzier e cila sa më në jug aq më e gjërë ishte. Shtretërit etnikë të mëparshëm ishin të shpërndarë ose kishin humbur; mbrendia e vendit ishte më pak e populluar se bregu i detit. Përveç kësaj. autoriteti politik romak kishte shtrirë duart në shtratet e fiseve me fuqi të pakët; këtë gjë na e tregon dyndja e fisit të pirustëve nën mbretin Trajan prej maleve ilire për në grykën e Rizanit, në vise të largëta me ar, të populluara nga Thrakasit (Vicus Pirustarum afër vendit të sotem, Abruzbanya në Erdely). Njësitë luftëtare ilire (numerus felicium Illyricianorum) i kishin banimet e veta edhe në shek. 6 në vende të huaja. Pakësimi i ngadalshëm por i vijueshëm i popullsisë bëhet i kuptushëm kur krahasojmë numrin e njerëzve që nxorrën fiset ilire në kryengritjen kundër perandorit August, megjithëse në kohën e dyndjes së popujve këto vende ishin fare te dobta.
Ai medium etnik i rrjedhshëm dhe me një qëndresë të ndryshme ishte pulla-pulla në të cilin thyheshin rrezet gjuhësore të kolonizimit romak për 800 vjet mbi bregun e Shqipërisë e të Dalmacisë e për 500 vjet mbi Danubin e poshtëm.
Përgjatë bregut adriatik ku bashkit romake mundën të ngrinin folet e veta në qytete të forta deri në Durrës e Skampa në jug e ku mundën të qëndronin në pjekje me Italin, romanizimi u zhvillua intensivisht. Atje qëndroi gjuha romake e pastaj u zhvillua, gjuha dalmate e cila nga të gjitha bijat e pastajme është më e afërta me italishten. Gjuha latine influencoi me shumë fuqi mbi Ilirët përreth Durrësit e Shkodrës qëndrimin e të cilëve e theu më së pari administrata ushtarake e civile romake.
Prej shek. 3 para K. deri në shek. 6 kur këtu gjuha latine ishte ende gjuhë zyrtare parashqipja edhe për pak ishte duke u transformuar në një gjuhë romake. Gjuha e sotme shqipe e marrë rreptësisht nuk mund të thuhet se është një gjuhë gjysëm romake por është e mbushur me elementë të latinishtes. Fjalët që shqipja mori nga latinishtja nuk janë vetëm ato të kulturës që Romakët sollën me vete por janë edhe asosh shtasësh, metalesh, ushqimesh, veshjesh e pjesësh të trupit dhe në kuptimet që kanë të bëjnë me banim. Influenca latine ka prekur edhe ndërtimin shtëpijak; në zgjedhimin e foljes shqip gjejmë kohë e menyra prej latinishtes ashtu edhe shumësi në lakimin e emrave është në mënyrë latine.
Sikundër mbi gjuhën ilire ashtu edhe mbi format e fjalëve shqipe ka vepruar sigurisht një moment anthropo-gjeografik duke mbuluar përherë e më tepër burimin e tyre indoevropian. Dihet, se malësorët shqiptarë mund të merreshin vesh njëri me tjetrin në largësi të madhe prej malit në mal. Këtë gjë na e vërtetojnë burimet e kohës së mesme (1285. audivi unam vocem clamantem in monte in lingua albanesca). Ky zakon i natyrëshëm është shumë i vjetër dhe gjendet në të gjithë popujt malësorë; ky ka vepruar në ndërtimin e gjuhës, ka influencuar në elipse, në kontrakcione e në gjymtimin e fjalive. Parimi i emrave të përveçëm të gjatë indoevropianë të cilët formojnë fjalët e përngjitura shihej ndër Ilirët e vjetër por ka humbur tek shqiptarët e sotëm e ndër malësorët e tjerë arjanë (Frigasit, Armenët), e ndoshta nga shkaku i të folurit në largësi të mëdha.
Prej gjuhës së Baskëve ndër Pirenej ky zakon krijoi gjuhën telefonike klasike. Përsëri ky zakon bëri që fjalët e marrura prej latinishtes në shqip të bëhen rrokje të theksuara.
Kolonizimi romak ishte krejt ndryshe mbi brigjet e Danubit imperii (të mbretërisë), ku pati një karakter fare ushtarak. Lëvizjet e veteranëve të legjioneve të kufiri arritën deri thellë në jug, në qarkun e Prizrenit e të Shkupit. Këtu bëheshin qendra etnike romanizimi jo qytetet e forcuara por legjionet ushtarake të veteranëve. I mbartur prej legjionarve të vjetër e prej familjeve të tyre në brendin e vendit, romanizimi veproi në këto anë ekstensivisht. Gjuha latine u përhap me të shpejtë por u egersua e u larguea përherë e më tepër prej asaj të Italisë e të Dalmaticisë. Në viset ku banonin “militares et paene barbar”. romakë nuk qëndronte asnjë gjuhë autoktone por formohej një grup “gjuhësh kompromise” e ky sipas fuqisë së kolonizimit e sipas cilësisë së shtatit etnik vendas (Ilir e Thrak). Grumbulli kryesor e madhështor u formua në bregun e Danubit; atje ku shtrati latin ndër viset e Danubit të poshtëm kishte gjërësinë më të madhe gjendej qendra pararomune; por nga ana e jugut deri afër viseve parashqiptare gjendeshin formime të tjera me palc romak. Përqark këtyre formimeve do të kristalizoheshin sikundër në gadishullin e Pirënejve, dialekte romake po të mos mbërrinte stuhija e madhe e dyndjes së popujve e veçanërisht sulmi sllav.

…………………..Me paqen e bërë në Zarë (1358), mbreti hungarez Ludviku Anxhu shtrëngoi republikën e Venedikut që të hiqte dorë prej çdo influence mbi bregun lindor të Adriatikut (a medietate Quarnerii usque ad confines Duracii). Ky breg deri në Raguzë e Kotorr hynte kryekëput në qarkun e Anzhuinëve veriorë i cili pak nga pak u zgjerua edhe mbi Shqipëri. Qyteti i Raguzës me rrjetin e vet të fortë tregtar i shërbeu si vështrues i shkathët më parë për Zetën e pastaj edhe për viset më jugore.
Natyrisht mbreti Ludvik gjendej në një lidhje të drejtë me Durrësin deri sa ky ishte i anzhuinëve. Dërgimtarët e tij kaluan përmes Raguzës (1366, barca que portavit Bernardum nuncium regis Duracium). Ky qysh herët kishte lidhje edhe me princin Karl Topia i cili më vonë (1379), u bë anëtar i lidhjes hungareze kundër venedikasve. Rol të madh në këtë lidhje luante ungji i Karlit, vëllai i Tanush Topisë, Domeniku.
Domeniku ishte rregulltar: kishte hyrë në urdhërin e domenikanëve që kishin ardhur në Durrës qysh në vitin 1278. Si i tillë u bë kapelan i oborrit e këshilltar i mbretit Robert të Napulis (attendentes merita fidei fructuose religiosi viri fratris Dominici ordinis Predicatorum germani viri nobilis comitis Thopie de regno Albanie.) Më vonë (1245-1351) si “vikar i përgjithshëm i urdhërit të vet për Dalmacinë e Durrësin” u përpoq duke banuar në Raguzë për themelimin e mungadave të Shkodrës, të Kotorrit e të Shibenikut. Rreth vitit 1358 u bë peshkop i Kurçulës; por një vit më pas ndodhej në Shqipëri (quia ipse est et stetit iam diu in partibus Albanie). Një shkresë e shkruar greqisht me të cilën mungada e Domenikanëve të Durrësit nxirrte në ankand vreshtat e përmend në rend të parë si administrator të atij ankandi. Shi në atë kohë, mbas vdekjes së Tanushit, Karli mori në dorë fuqinë e shtëpisë së Topisë.
Duket se Karli në marrëveshje me Domenikun përgatiti një plan të madh e të guximshëm se si të merrte në dorë pushtetin mbi Raguzën.
Në Shqipërinë veriore gjendeshin atëherë shumë qytete (Drivasti, Svaçi e Balezi e ndoshta edhe Sappa) në të cilat peshkopi ushtronte edhe krejt autoritetin laik. Këtë shembull sigurisht e kisht parasysh edhe Domeniku, kur filloi (1360) intrigat e veta të mëdha që të zinte selinë kryepeshkopore ende të lirë të Raguzës. Në këtë punë ndihmë kryesore i dha një farë Theodori prej Drishti.
Por këshilli i Raguzës nuk rrinte fjetur; ia kishte ndjerë erën rrezikut të sidomos kryepeshkopi i ndjerë Illija Saraka, patric i Raguzës (+1359). Sikundër tregon një kronist i mëvonshëm i Raguzës ai kryepeshkop ndërsa ishte në shtratin e vdekjes i kumtoi parësisë së Raguzës “disa fshehsi (arcana et acculta quadam), të cilat në qoftë se nuk ishin syçelur mund t’i kërcënonin një rrezik të madh lirisë së qytetit; sepse me lehtësi të madhe edhe ai vetë mund ta fitonte autoritetin e qytetit ose duke e bërë këtë nëpërmjet të tjerëve”.
Raguzanët syçelë zunë disa letra qe kishte shkruar ndihmësi i Domenikut, Theodori të cilat “përmendnin synomin” (que faciunt mentionem de symonia). Këto letra çuan peshë një fortunë të madhe.
Më 4 Maj 1360 qyteti dërgoi tek Papa kancelarin e vet që “të kërkonte një kryepeshkop për kishën e Raguzës”. Në shënimet e dërgimtarit lexohet edhe kjo pikë: “E në qoftë se parashihet rreziku që ndonjë dalmatin, shqiptar, venedikas a ndonjë prej anës sonë të Raguzës do të donte të merrte kryepeshkopatën tonë, ti sëbashku me miqtë tanë do t’i kundërshtosh me çdo mënyrë” Më 6 maj, Këshilli i lartë vendosi që të thirrej peshkopi Domenik e të urdhërohej të linte qytetin. Më 8 maj u dëbua Theodori i Drivastit.
Natyrisht, Domeniku iku prej Raguzës e shkoi drejt e tek mbreti Ludviku I. Ai e ngacmoi këtë aq shumë kundër Raguzës sa raguzanët ishin të shtrënguar (më 16 dhjetor) të dërgonin një dërgatë të veçantë tek mbreti me “ato letra gënjeshtare, të falsifikuara e të rreme të cilat i dërgonte peshkopi i Korçulës që të bëhej kryepeshkop i Raguzës” (illas proprias litteras, quas mittebat episcopies Cuzulensis, fraudulentas, mendaces et falsas pro essendo archiepiscopus Ragusinus).
Në vitin 1362 raguzanët kishin kryepeshkopin e ri; ky ishte Hugo Cigala gjenovez. Me këtë u prishën të gjitha planet e Domenikut. Ky u bë kryepeshkop i Zarës (1367). Mbas vitit 1374 gjurmët e tij humbin fare.
Thashë më lart se Domeniku ndërmjetsoi tek nipi i tij Karl Topia kur ky pushtoi Durrësin (1368). Tani po shtoj se pak pas humbjes së këtij qyteti, hercogu i Durrësit Karli u bë “dux Dalmatie et Croacie” (1369-1376). Si i tillë banoi rregullisht në Zarë. Sikundër dihet, ky më vonë (1385) duke u mbështetur mbi bujarinë kroate e sllave u bë mbret i Hungarisë por mbaroi shpejtë në një mënyrë tragjike.
Në kohën e Ludvikut të Madh e të luftërave të tija kundër Venedikut dhe në kohën e Sigismundit e të luftërave të tija kundër turqëve, ishte gjë krejt e natyrëshme që edhe Balshajt e Zetës të shikonin nga veriu. Këtu ishin në marrëdhënie të drejta me banët e Dalmacisë e të Kroacisë (1382 unam litteram domino Balse per illum ambassiatorem domini Detrici; 1395 ambassiatoribus bani Croacie ad dominum Juram de Balsa).
Pushteti i Balshajve u shtri edhe mbi ishujt e Dalmacisë. Mbas luftës së pafat afër Nikopoljes (1396) duke qëndruar në Raguzë (21-28 dhjetor), mbreti Sigismund i dha Gjergji II Balshajt titullin “princeps Albanie” dhe e emëroi zhupan të vetin mbi Korçulën e Hvarin. Këtë nderim Gjergji e mbajti deri në fund të jetës së tij (+ mjeseeca marta 1403 në muajin mars). Përmenden me rradhë tre vikarë të tij në Korçulë. Dy prej tyre ishin patricë të Tivarit.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. Na ndihmoni!