Një i ri ishte ulur i vetëm në autobuz dhe e mbante shikimin jashtë autobuzit. Nuk ishte më shumë se njëzet vjeç, me një paraqitje të bukur dhe një fytyrë të ëmbël. Afër tij ulet një grua dhe fillojnë të shkëmbejnë disa fjalë për motin e ngrohtë veror. Më pas djali i rrëfeu gruas :
“Kam qenë në burg për dy vjet. Kam dalë sot në mëngjes dhe po shkoj në shtëpi!”, – fjalët e tij dilnin rrjedhshëm ndërsa i tregonte gruas që ishte rritur në një familje të varfër, por të ndershme, dhe se sjellja e tij e keqe iu kishte sjellë prindërve vetëm dhimbje dhe ia kishte ulur kokën nga turpi! Këto dy vjet nuk kishte patur lajm prej tyre! Ata ishin shumë të varfër, nuk kishin para të shkonin ta takonin në burg. Djali nuk iu dërgonte as letra, sepse ata nuk i kthenin përgjigje…

Tre javë para se të dilte nga burgu, kishte tentuar i dëshpëruar që të kontaktonte me prindërit. Në letrën që u dërgoi, i kishte shkruar se i kuptonte arsyet e tyre dhe i kërkonte që ta falnin.Pasi doli nga burgu i hipi autobuzit, i cili ndalonte përpara oborrit të shtëpisë ku ishte rritur dhe ku akoma banonin prindërit e tij. Për t’i bërë gjërat më të thjeshta, u kishte kërkuar prindërve të tij në letër që t’i bënin një sinjal që të shihej nga autobuzi. Nëse e falnin, ata duhej të lidhnin një shenjë të bardhë në pemën e mollës që ishte në kopsht! Nëse ata nuk e lidhnin, ai nuk do të zbriste nga autobuzi dhe do të dilte përgjithmonë nga jeta e tyre!
Ndërsa autobuzi po i afrohej shtëpisë, djali po bëhej nervoz, aq sa kishte frikë të shikonte jashtë dritares, sepse ishte i sigurtë që nuk do ishte lidhur shenja e bardhë…

Gruaja pasi e dëgjoi deri në fund, i thotë: – “Ndërrojmë vendin bashkë, nëse do. Do të shikoj unë në vendin tënd”. Autobuzi eci dhe pak metra dhe gruaja pa pemën në oborrin e shtëpisë. Preku me kujdes supin e djalit dhe duke mbajtur lotët, i tha: – “Shiko, shiko! E kanë mbuluar komplet pemën me fjongo të bardha, sepse familja mbetet gjëja më e shtrenjtë që kemi në jetë, biri im!”. /