Seanca e turpit qentë shijojnë lirinë

Ilir Muharremi

Në kuvend mbahet seanca e turpit. Seanca për rrëzimin e Qeverisë Kurti. Heshtja ka zaptuar rrugët e Prishtinës. Liria e qytetarëve tashmë është e kufizuar nga Qeveria. Derisa në kuvend hienat sulmojnë e macet mjaullojnë, rrugët e Prishtinës  janë kapluar nga urtësia e përjetshme e cila po qesh me kotësinë e jetës dhe kotësinë e luftës. Vendit duket shumë i qetë, por edhe i humbur, është kjo shkretëtirë nga mungesa e frymorëve. Vendi është i ngrirë deri në palcë, por edhe lirë. Por diçka e gjallë lëvizë në të.

Ju pëlqen!

Nëpër rrugën kryesore të sheshit të Prishtinës po kalon një turmë qensh. Leshi i tyre i shpupurishur është i mbuluar me fjolla të lehta të borës, fryma ngrinte në erë dhe fjollat që binin  dukeshin si kristale në lukurë të tyre. Qentë nuk kanë rripa dhe përpara e as prapa, por as anash, e as në mesin e tyre,  nuk lëvizte as një njeri. Qetësia dhe lëvizja e lirë e qenve nëpër shesh  thyen qëndresën e njerzve, dhe njeriu i uritur për karrige  është qenia më rebele në botë.

Këta qenë që janë të lirë në shesh shtrëngoheshin njëri me tjetrin, hungërojnë dhe kërcejnë sapo sytë e njerëzve ju afrohen afër. Disa janë të shtrirë dhe po rrinë të mbështjellur kuspull afër njëri tjetrit. Disa nga ta janë kockë e lëkurë, duket sikur kanë shumë kohë pa ngrënë, kopeja është e madhe dhe s’kanë me çka të ngopen. Janë ligur shumë. Disave u numërohen brinjët dhe u është puqur barku me kurrizin. Thjeshtë janë të lirë të festojnë, por janë katandisur keq. Ja tek vërej njërin matanë kthesës është plot qime të gjata, po i merr erë asfaltit, sapo më vërejti, qeni u ndal duke zgjatur turirin dhe duke thithur me flegrat e hundës që fare nuk i dridheshin. Të tjerët rrinin të shtrirë në asfalt. Qeni hodhi vështrimin drejt në sytë e mi , duket sikur ishte i kapluar nga një brengë, por prapë kishte besnikërinë e qenit. Ishte qimekuqë, të tjerët bojë kafe në të kuqrreshmë.

Qentë ishin të lirë dhe të trimëruar sa leshi i tyre po shndërrohej tamam në lesh ujku. Kishte disa qime edhe të murrme, e ngjyra në dritë ishte e kuqerreshme e lehtë, andaj leshi dukej herë i murmë e herë i kuq. Disi të gënjente. Ishte aq i mirë sa që për asnjë sekond nuk pushoj së tunduri bishtin.

Derisa zgjatë ky virus dhe njerzit janë të mbyllur nëpër shtepitë e tyre, qentë festojnë. Hungëritjet e tyre te tmerrshme mungojnë. Ata tash janë Zot të këtij qytetit të heshtur e të pastër nga njerzit. Natyra tok me qentë i bindet ligjeve të veta, ndërsa njeriu është ai që i përzë qentë, i përbuzë, i dhunon, sjellë mortjen e çka keq e më keq. Njeriu është tradhëtar, ndërsa qeni besnik dhe kam dëgjuar se qeni vdes me pronarin e tij. Kam menduar se në këtë situatë dashuria dhe besnikëria e qenit ndaj njëri tjetrit do të rritet, por jo lufta për inate dhe karrige po ndriçohet në Kuvendin e Kosovës. Besnikëria e njeriut është vetëm punë interesi dhe njeriu është kanibal i pistë dhe qeni për nga dashuria dhe besnikëria ose butësia është më i lartë se njeriu. Andaj, koronavirusi le të vazhdojë, ndoshta njerëzit do të zbuten dhe të dashurohen njëri me tjetrin e qentë le ta vazhdojnë në sheshë lirinë dhe festën.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike! FOTO: No copyright infringement is intended.