Përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të marrin pjesë në samitin virtual të organizuar nga Këshilli Atlantik të mërkurën, më 29 Korrik, njoftohet në faqen e kësaj organizate ndërkombëtare.

Sipas njoftimit, pjesëmarrës në Samitin për partneritetin e Ballkanit Perëndimor do të jenë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Maqedonisë Veriore, Stevo Pendarovski.

Shqipëria do të përfaqësohet nga Kryeministri Edi Rama, Bosnje dhe Hercegovina nga Kryetari i Këshillit të Ministrave Zoran Tegeltija, ndërsa Mali i Zi nga ministrja e Ekonomisë, Dragica Sekulic.

Temat e samitit, siç thuhet, do të jenë për përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal.

“Ndikime ekonomike dhe sociale të pandemisë COVID-19 në Ballkan kërkojnë veprime urgjente rajonale, në mënyrë që të shmangin ngecjen e përhershme ekonomike dhe paqëndrueshmërinë e mundshme që vjen me të,” tha Këshilli Atlantik.

“Masat e dakorduara në Samit – të lidhura dhe të integruara me nismat dhe dialogun ekzistues rajonal – do të dërgojnë një mesazh të rëndësishëm politik për të ardhmen euro-atlantike të Ballkanit Perëndimor në një kohë të pasigurisë së shtuar,”, thuhet në deklaratën e Këshillit.

Këshilli Atlantik është një qendër e politikës së jashtme me bazë në Uashington.