Gazmend Shpuza

Sami Frashëri e tha fjalën e  vet me mjeshtri, me ko mpetencë, jo vetëm në fush ën e mendimit politik sho qëror, në fushën e filologjisë shqipe dhe turke por edhe në atë të botimeve enciklopedike. “Kamus-ul alam-i” apo fjalori universal i historisë dhe i gjeografisë i Sami Frashërit në gjashtë vëllime, çka vlen të theksohet, arrin në gati 5000 faqe të formatit të madh me rreshta të dendura, të shkruara me alfabetin arab, në të cilin, për më tepër, mungojnë, siç dihet, edhe shumë zanore. Për hartimin, plotësimin e korrektimin e veprës është dashur shumë mund dhe djersë për 16 vjet me radhë. Shumë nisma të tilla të ndërmarra në Turqi apo në vende të tjera kishin mbetur përgjysmë apo kishin dështuar që në hapat e para, pa e parë ende mirë dritën e botimit. Gjithë kjo flet jo vetëm për përmasat e prodhimit shkencor, por dhe për karakterin e këmbënguljen e shkencëtarit tonë të madh.

Ndoshta ju pëlqen!
Loading...

Në debatet që bëhen tek ne rreth rrugëve të zhvillimit të vendit dhe të mbarë popullit tonë në të ardhmen është e natyrshme që njerëzit t’i drejtohen mendimit politik, shoqëror dhe iluminist te së kaluarës dhe, në mënyrë të veçantë, mendimit te rilindësve tanë. Në këtë mes vërehet një njëanshmëri mjaft e theksuar. Vihet në pah me plot të drejtë orientimi i tyre kah qytetërimi më i përparuar i kohës, drejt qytetërimit perëndimor. Porse ky orientim, sikur absolutizohet dhe paraqitet, gati-gati, një mohim i qytetërimeve të tjera, qytetërimeve lindore, në rastin tonë të qytetërimit islam. Me këtë mënyrë injorohet formimi kulturor i shumicës së rilindësve tanë dhe, në radhë të parë, i rilindasve tanë më të shquar Pashko Vasëri, Hasan Tahsini, Vëllezërit Frashëri e të tjerë. Në gjithë rrugën e përgatitjes së tyre kulturore dhe shkencore ata përvetësuan çfarë kishte më të mirë qytetërimi lindor. Me këtë ata krijuan një mbështetje solide për t’u orientuar në arritjet më të mira të botës perëndimore dhe të përvetësonin dhe prej andej çfarë kishte më të mirë qytetërimi evropian. Gjithë ky proçes kryhej në funksion të idealit të tyre kombëtar. Gjithë bagazhin kulturor dhe shkencor të përfituar rilindësit e vunë në shërbim të çështjes kombëtare. Idetë e reja dhe racionale të qytetërimit lindor dhe të atij perëndimor ata i panë të lidhura ngushtë me detyrat politike, kulturore dhe ekonomike e shoqërore që qëndronin para vendit të tyre. Për më tepër, ata i përpunuan këto ide dhe arritje nën këndvështrimin e realitetit shqiptar, çka i dha shkrimeve të tyre një karakter të theksuar sa origjinal po aq dhe aktual.

Që në krye vlen të theksohet, se qëndrimi i rilindësve ndaj qytetërimit islam nuk ka qenë qëndrim nihilist. Pasi përqafuan idetë perëndimore, ata nuk kaluan në mohimin e çdo gjëje të trashëguar nga kultura lindore, siç mund të krijohet një përshtypje e gabuar nga mënyra, se si i drejtohemi ne sot mendimit politik dhe shoqëror të rilindësve për të argumentuar miratimin apo mosmiratimin tonë të disa qëndrimeve politike të sotshme. Trashëgimi rilindës flet për të kundërtën. Madje, trajtimi, që ata i kanë bërë zhvillimit të qytetërimeve në historinë e njerëzimit, mbetet aktual dhe mësimdhënës dhe sot e kësaj dite. Për t’u bindur për këtë mjafton t’u drejtohemi pikëpamjeve të shprehura nga Shemsedin Sami Frashëri për këtë problem.
Midis veprave, të botuara nga Samiu ynë i madh dhe të njohura deri më tani, janë dhe shkrime dhe vepra të posaçme kushtuar këtij problemi, çka nuk është aspak e rastit. Përveç a-rtikujve të shumtë lidhur me këtë temë, ai ka shkruar dhe librin “Qytetërimi islam” (Medeniyeti islàmiye). Këtë dukuri madhore dhe me rrjedhime të ndjeshme në jetën e njerëzimit ai e ka parë të lidhur ngushtë me qytetërimet paraardhëse dhe sidomos me qytetërimin europian, për të cilin mendonte të shkruante dhe të botonte gjithashtu një libër të veçantë.

Analiza, që Sami Frashëri i bën qytetërimit islam dhe qytetërimeve të tjerë, mbështetet në një koncept të plotë dhe të qartë të këtij fenomeni. Me fjalën qytetërim ai kupton përpjekjet e njeriut për të zbuluar gjithnjë dhe më shumë sekretet e natyrës, arritjet në këtë drejtim të mbështetur në mendjen e njeriut, gjithashtu përpjekjet e tij për t’i vënë në shërbim të vet, të mbarë njerëzimit këto arritje me synimin për t’ia lehtësuar vetes jetesën. Siç shihet kemi të bëjmë me një kuptim modern të këtij fenomeni, kuptim i cili i ka rezistuar kohës. Edhe sot në ditët tona, pa dashur të hyjmë në hollësira, vështirë se mund të shtohet apo të saktësohet gjë, të thuhet ndonjë gjë e re lidhur me këtë koncept. Në të janë pasqyruar qartë dhe plotësisht elementët thelbësorë të çdo qytetërimi në të kaluarën dhe sot, elementët bazë mbi të cilët vendoset dhe tërësia e atyre fenomeneve shoqërore (kulturorë, shkencorë, fetarë, moralë, estetikë e tjerë) që plotësojnë konceptin në fjalë.
Në suazën e ketij konceptimi mjaft të plotë dhe modern të dhenë për qytetërimin Sami Frashëri arrin të vlerësojë drejt jo vetëm qytetërimin grek dhe atë europian, por dhe qytetërime të tjera të lashta, të cilët çuan në qytetërimin modern. Ai u kundërvihej koncepteve sempliste mbi zhvillimin historik të qytetërimeve botërore, duke e ngushtuar spektrin e tyre vetëm në qytetërimin grek dhe atë europian. Sipas Samiut, deri para lindjes së qytetërimit grek shumë popuj si haldejasit, asirianët, hindianët, egjyptianët e të tjerë kanë dhënë ndihmesën e vet të vyer në zhvillimin e kulturës botërore, pra, dhe të qytetërimit, në përgjithësi. Dhe pas grekëve pati popuj, të cilët e çuan më tej zhvillimin e kulturës antike, duke i bërë një shërbim të veçantë lindjes dhe zhvillimit të qytetërimit europian. Këtu ai e ka fjalën për një qytetërim që ai e konsideron jo pa të drejtë të ndritshëm, siç është qytetërimi islam, i cili ka dhënë kontributin e vet në krijimin e qytetërimit europian, duke shënuar një shkallë më të lartë se qytetërimi grek.
Sami Frashëri në trajtimin e vet sqaron dhe drejtësinë e përdorimit të termit “qytetërim islam” në vend të termit “qytetërim arab”, çka nuk është pa interes edhe për sot. Në zhvillimin e këtij qytetërimi dhanë ndihmesën e vet edhe mjaft përfaqësues të popujve jo arabë, të cilët kishin përqafuar fenë myslimane. Gjuhë shkence për të gjithë këta dijetarë ishte dhe mbeti për shumë kohë gjuha arabe. Për Samiun kjo nuk ishte përcaktuese përsa i takonte emërtimit të kulturës në fjalë. Ai kujton me këtë rast që përfaqësues të shquar të kësaj kulture si Ibn Sina (Avicene) ishte persian, al-Farabi ishte turk, pra nuk qenë arabë, e shumë të tjerë si këta.

Samiu thekson, se qytetërimi islam në krahasim me atë grek nuk mbeti i kufizuar në pak qendra, ai u përqafua nga disa popuj. Autori parashtron, se si u përvetësua dhe u zhvillua më tej kultura greke nga dijetarët islamë, si trashëgimi kulturor i grekëve të lashtë iu transmetua Europës nga këta dijetarë. Emrat e mjaft dijetarëve grekë u bënë të njohur për herë të parë përmes shkollave islame të Spanjës, ku studjonin dhe mjaft europianë.
Një vend të veçantë në librin e Sami Frashërit “Qytetërimi islam” zënë arritjet e përfaqësuesve të kulturës islame të popujve myslimanë, në përgjithësi, në fusha të ndryshme të dijes, të kulturës dhe të shkencës, në disiplina të veçanta si astronomia, kozmografia, matematika, fizika, kimia, gjeografia, shkenca natyrore, mjekesi, filozofi, jurisprodencë, letërsi, historiografi, duke u ndalur në zbulime të ndryshme, siç ishin zbulimi i letrës, i barutit, i busullës e të tjera.

Duke përshkruar shkallët e zhvillimit të qytetërimeve të ndryshme, Samiu, jo rastësisht, sqaron dallimin midis diturisë dhe qytetërimit. Ai shkruan që në Aleksandrinë e lashtë u ngjall dituria dhe jo ndonjë qytetërim i ri. Aty u kultivua, siç shkruan Samiu, një filozofi që i thonë e “skolaksur edhe e cila mundon shumë dhe mëson pakë”. Merita e kësaj shkolle, po, sipas Samiut, është, se nuk la të humbasin dijet e antikitetit grek, por pa a arritur t’i zhvillojë dhe t’i çojë më tej ato. Dijet e ruajtura nga shkolla e Aleksandrisë u morën dhe u çuan më tej nga qytetërimi islam për t’ia transmetuar qytetërimit të sotëm europian, të cilin autori e vlerëson shumë lart. Sami Frashëri shkruan:
“Mundimë të themi që shërbim’ i vetëmë q’i ka bërë njerëzisë shkoll’e Aleksandrisë është ky që s’la diturinë e Grekëve të vjetërë të humbasë edhe mbajti, në një vent, q’është quajturë edhe dot të quhetë gjithë jetënë mez’i dheut, nënë një hi filozofie të skolaksurë, ca kongjinj të ndezurë prej qytetërisë së Grekërvet e ng’ata kongjij u ndes një qyteteri e re, qytetëri e Arabëvet prej së cilësë qe për të ndezurë një ditë qytetëri e vërtetë, qytetëri pa anë e funt, e cila ditë më ditë po shtohet’e po përhapetë, edhe shpejt a vonë, një ditë do të mbulonjë gjithë dhenë e të ndritonjë gjithë kombet e dheut!”

Nën mbretërimin e Harun Rushidit dhe të birit të tij, Memunit, u përkthyen arabisht veprat e autorëve klasikë grekë si Aristoteli, Platoni, Ipokrati e të tjerëve. Porse arabët nuk u mjaftuen me një transmetim mekanik të dijeve të autorëve antikë, të cilat ata i çuan shumë përpara në të gjitha fushat si në gjeometri e degë të tjera. Në ndonjë drejtim, siç është algjebra, ata hapën rrugën në një fushë të re të shkencës të panjohur deri më atëherë, të cilën siç shkruan Samiu e shpikën rishtazi, çka e tregon dhe vetë emri i saj në arabisht.
Zhvillimin e qytetërimit islam Samiu nuk e ndan nga zhvillimi ekonomik i kohës, i botës së atëharëshme, që pasqyrohej, sipas tij, në tregëtinë e gjërë, që bëhej aso kohe përmes karvanesh të shumtë dhe të mëdhenj që përshkonin territoret që nga mesi i Azisë e deri në mes të Afrikës.
“Një ngjallje, një shpirt, një fuqi, një pasje, një dituri mbretëronte në gjith’ato anë, në ato kohëra që (kur) vend’i Sokratit e i Platonit kishin mbeturë si të shkretë, dhe Evropa, Evrop’e ndriturë e ditëvet tona ish një vendt i papunuarë me njerëz gjysëm të egërë” – kujtonte jo pa të drejtë Samiu i madh, duke u përpjekur të vinte në vend ndihmësen e çdo populli, të çdo breznie në zhvillimin e qytetërimit modern.

Qytetërimi islam, i cili lulezoi për pese gjashtë shekuj ra nën sulmet e egëra të mongolëve, nga njëra anë, dhe të europianëve, nga ana tjetër. Të dy palët “u hodhën me fuqira të mëdha mi ta, i vranë, i copëtuan, u shuanë dritën’e diturisë që kishin e i lanë në një errësirë e padije, nga e cila gjer më sot nuk kanë shpëtuarë dot. “ Kështu autori i librit “Medenijeti islamije” kërkon të vërë në pah shkaqet e rënies së qytetërimit të popujve myslimanë. Lidhur me këtë ai thekson gjithashtu: “Dritat e tyre u hapnë udhënë Evropianëvet, ata vetë mbetnë në t’erëtë”.
Në të gjithë trajtesat e veta rreth zhvillimit të qytetërimeve të ndryshme Samiu ka vënë në pah karakterin historik dhe progresiv të tyre. Si rrjedhim ai është në gjëndje të bëjë vlerësimin relativ të tyre, duke theksuar, që qytetërimi europian shënon kulmin e zhvillimit të qytetërimit botëror. Por se ky kulm do të ishte i pamundur pa arritjet e mëparshme të kohërave dhe të popujve të ndryshëm.

Duke folur në një shkrim të veçantë për qytetërimin europian, Sami Frashëri i ndohur përballë qëndrimesh nihiliste të mbajtur ndaj qytetërimeve të herëshme dhe mbivlerësimeve të pa vend të qytetërimit europian në kurriz të atyre qytetërimeve paraardhëse, nënvizon vlerën që kanë arritjet e herëshme të njerëzimit, rëndesinë që kanë patur ata aso kohe për t’i hapur rrugën rezultateve më të larta të më pastajshme. Ato arritje, në përqasje me arritjet e sotme të qytetërimit europian, do të dukeshin, sipas Samiut, si foshnje të dështuara. Porse çdo gjë që është më e parë dhe më e vjetër eshtë, sipas tij, më me vlerë, sepse ka shënuar një hap më përpara në kushtet e një zhvillimi më të ulët. Prandaj ato qytetërime përbejnë rrënjën e qytetërimit të sotëm, rrënjë të cilat shtrihen deri thellë në kohëra të vjetëra dhe të harruara. Prej këtej Samiu arrin në një konkluzion tjetër me shumë interes, se qytetërimi është një dhe i pandarë. Zhvillimi i qytetërimeve të ndryshme ka ra nga një dorë në një tjetër, nga një komb tek një tjetër. Nga një herë ka qenë, si shkruan Samiu “e vrejtur ‘e veniturë, po kurrë s’ka qenë e shuar fare”. Më tej ai vazhdon: “edhe me qenë që të parëtë kanë qenë kurdo mjeshtërit’ e mësonjësit’ e të pastajmët, çdo qytetëri e më pastajme ka pasur qënë më e gjërë e më e plotë nga më e para… “ Në këtë raport kanë qenë qytetërimi grek ndaj qytetërimeve të vjetra të Azisë dhe të Egjyptit, qytetërimi arab ndaj atij grek e keshtu me radhë për të arritur tek “qytetërim e Evropianëvet”, e cila “eshtë m’e mbarë nga të tëra të shkuaratë”.
Përvetësimi i qytetërimit islam nuk u bë, siç vëren Samiu, pa pengesa dhe vështirësi, të cilat e kishin bazën tek qëndrimet obskurantiste të kohës. Si pasojë e tyre u dogjën jo vetëm librat, që silleshin nga vendet arabe, por edhe njerëzit që i sillnin ato. Megjithatë, bashkë me tregëtinë apo, siç e thotë më mirë Samiu, pas saj erdhi dhe dituria. Në këtë mënyrë filluan të “ndritoheshin me dituri” edhe europianët. Porse për shumë kohë, siç konstaton, me të drejtë, Samiu, ata nuk bënë asnjë hap përpara në krahasim me arabët. Vetëm pas zbulimeve të Galileut, Keplerit, Kopernikut, Njutonit dhe të tjerëve, europianët e kapërcyen këtë prag, këtë shteg edhe e zgjeruan shumë horizontin e dijeve ekzistuese.

Nëpër këtë rrugë të gjatë dhe shumë të mundimshme njerëzimi arriti në këtë shkallë zhvillimi dhe qytetërimi. Pas përshkrimit real të tij, tingëllon dhe më bindës dhe vlerësimi që Sami Frashëri i bën qytetërimit modern të kohës së vet, në fund të shekullit XIX çka i takon dhe qytetërimit të sotëm, në këtë fillim të ketij shekulli të XXI.
“Kjo është qytetëri e vërtetë, e përgjithshme, e përjetëshme, e pavdekur, – shkruan si përfundim Samiu, – Si lum ato kombe që janë ndrituarë a që përpiqen të ndritohenë me këtë qytetërim”.

Konceptin e tij shkencor mbi karakterin unik dhe progresiv të zhvillimit të qytetërimeve në historinë e njerëzimit Sami Frashëri e materalizoi me kulturë dhe me mjeshtëri në veprën e vet madhore, Enciklopedinë e tij gjashtë vëllimeshe, në Fjalorin universal të historisë dhe të gjeografisë, tek Kamus-ul-alami i i tij i mirënjohur jo vetëm në Shqipëri dhe në Turqi, në një rreth shumë gjerë studjuesish, kryesisht orientalistë qënga Kina e Afrika e Veriut dhe në për Europë.

Afirmimi i plotë i vlerave qytetëruese të popujve të Lindjes në “Qytetërimi islam” dhe në “Kamus-ul-alam” i shërbente forcimit të besimit dhe të optimizmit të tyre në luftën për liri dhe një jetë më të mirë. Njëkohësisht, Samiu me orientimin përparimdashës që e karakterizonte, shfrytëzoi me mjeshtëri arritjet e qytetërimit perëndimor dhe i vuri ato në shërbim të luftës së popujve të Lindjes kundër shtypjes së huaj, kundër regjimeve despotike dhe koloniale dhe kundër prapambetjes shekullore të këtyre vendeve.
Enciklopedia e Sami Frashërit shënonte në të gjithë drejtimet një hap shumë të madh përpara në krahasim me botimet e bëra para saj në turqishten osmane nga Ali Suavi dhe Ahmet Rifati, apo edhe nga Mehmet Syreja-i. Gjithashtu kjo vepër madhore, si përsa i përket kohës së botimit, përmasave, kritereve të përpilimit dhe karakterit origjinal, nuk mbetej prapa botimeve të këtij lloji të ndërmarra në vendet ballkanike e në vende të tjera. Keshtu shohim që në vitet 1869-1890 të dalë në Stamboll greqisht fjalori i historisë dhe i gjeografisë i Vutira-s në 9 vëllime. Më 1887 e 1890 doli enciklopedia kroate, nën redaktimin e Ivan Zoch. Më 1896 botohet në Hermanshtad enciklopedia rumune e Diakonoviçit. Në vitet 1899-1907 shohin dritën e botimit tre vëllimet e fjalorit enciklopedik bullgarisht. Fjala është për autorë, vendet e të cilëve kishin kohë, që kishin fituar lirinë. E, megjithatë, botimi i disa prej këtyre veprave u bë jashtë shteteve të tyre të pavarur. Për hartimin e tyre, siç është rasti i Enciklopedisë kroate, u mobilizuan rreth 30 bashkëpunëtorë, profesorë, priftërinj e mësues. Në këtë punë të madhe ndihmoi edhe profesori austriak Mencin.

Një punë të tillë titanike Samiu ynë i madh, megjithëse në kushte shumë të rënda, e përballoi edhe e çoi deri në fund i vetëm. Ai ia doli mbanë me sukses, megjithë vështirësitë që paraqiste kjo ndërmarrje me karakter poliedrik e përgjithesues, çka kërkonte një horizont shumë të gjerë. Vështirësitë materiale dhe financiare nuk qenë më të pakta dhe më të vogla. Vlen të theksohet ky fakt për të bërë më të qartë motivet nga është udhëhequr autori në këtë punë kolosale, motive këto të karakterit thellësisht politik-atdhetar-kulturor-iluminist e shkencor.
Përkundrejt ndonjë pohimi banal, që thotë, se Samiu, sikur qe nisur nga interesa thjesht materiale, mjafton të përmendim këtu faktin, se honorari i kësaj pune 16 vjeçare nuk hapte as shumën e rrogës jo të madhe të 3 vjetëve të autorit të saj.

Në kushtet kur shërbimi bibliotekar në Turqi as që ekzistonte, si bazë për këtë punë të madhe enciklopedike ka shërbyer biblioteka personale e Samiut, e cila kishte të paktën 12000 libra, e sipas një të dhëne tjetër, arrinte në 20000 libra. Për pasurimin e saj S. Frashëri nuk kurseu asgjë. Ekziston një listë librash prej 25 titujsh e përpiluar nga vetë Samiu, me çmimet përkatëse që kapin një shumë prej afro 350 franga. Ndërkohë ai kishte hyrë borxh te një librashitës gjerman në Lajpsig, 1500 lira ar, shumë kjo më e madhe se sa gjithë honorari që mori nga të 6 vëllimet e Enciklopedisë së tij. Botuesi rrallë herë i dha ndonjë paradhënie për të kapërcyer përkohësisht gjendjen e rëndë financiare. Për më tepër, ai nuk i pagoi as honorarin e vëllimit të fundit dhe gjysmën e vëllimit të parafundit. Ndërkohë shtëpia e re e sapo ndërtuar e Samiut qe vënë peng për 500 lira borxh. Vazhdimisht të zotin e saj e kërcënonte rreziku i shitjes në ankand, çka u realizua sapo Samiu vdiq, duke e lënë familjen e tij në mes të katër rrugëve. Honorari i papaguar i gati dy vëllimeve të “Kamus-ul alam-it” do të mjaftonte për shlyerjen e këtij borxhi, për nxjerrjen e shtëpisë prej pengut, për ta shpëtuar atë nga shitja në ankand. E, megjithatë autori i dha për botim, pa asnjë shpërblim, të dy vëllimet me qëllim që vepra e tij të shihte dritën e botimit të plotë dhe t’i shërbente e tëra çështjes së cilës i qe përkushtuar: ndricimit të mendjeve të njerëzve, çlirimit ekonomik-shoqëror e politik-kombëtar të popujve të të Perandorisë Osmane, përfshijë këtu në radhë të parë popullin e vet shqiptar dhe vetë popullin turk.
Për hartimin e veprës së vet ai mori si model, siç është shkruar, fjalorin Enciklopedik të Historisë dhe të gjeografisë të Buje-së (Bouillet, 1798-1864) botim i mirënjohur në atë kohë dhe i rishtypur 7-8 herë. Që më 1876 Samiu kishte shkruar në gazetë për nevojën e shkrimit të librave në formë fjalori, pra, të librave me karakter enciklopedik. Madje, kishte shprehur mendimin për përkthimin e veprës së Bujesë. Kjo ide nuk u realizua. Me kalimin e kohës u pa, që ajo vepër nuk përputhej plotesisht me synimet shkencore, iluministe dhe sidomos patriotike të Sami Frashërit. Për këtë arsye atdhetari dhe shkencëtari ynë i madh i hyri punës për të përpiluar, mund të thuhet pa e tepruar, një enciklopedi origjinale. Dhe jo vetëm origjinale, por edhe shqiptare, pavresisht nga gjuha në të cilën u botua.
Për t’ia arritur këtij synimi autori nuk mund të mbështetej vetëm në botimet enciklopedike ekzistuese. Botimet perëndimore të këtij lloji jepnin një pasqyrë të zbehtë të gjeografisë së vendeve të Lindjes dhe sidomos të historisë e të zhvillimit kulturor të popujve të tyre, të kontributit të tyre në thesarin e kulturës botërore. Në botimet fare të pakta turko-osmane ngjarjet revolucionare e përparimtare të kohëve më të reja dhe ndryshimet, që kishin ndodhur në Evropë, -ose zinin një vend të vogël ose nuk përmendeshin fare, si për shembull në fjalorin historik dhe gjeografik të Ahmet Rifatit. Ndërsa “Sixhili-osmani” (Shënime biografike osmane) i Mehmed Syriait përfaqësonte një punim me karakter krejt të njëanshëm. Ai qe një fjalor biografik i personaliteteve shtetërore ushtarake dhe fetare turko-osmane, ku për personalitetet shkencore, letrare e kulturore, kryesisht teologë e juristkonsultë, kishte jo shumë vend.
Për më tepër, botimet enciklopedike, qofshin ato perëndimore qofshin ato lindore, me njoftimet e tyre krejtësisht anemike e të pasakta për botën shqiptare nuk mund të kënaqnin kurrsesi, atdhetarin e madh shqiptar. Ahmed Rifati në veprën e vet ven në pikpyetje origjinen pellazgjike të shqiptarëve, injoron lidhjet shqiptaro-ilire, shkruan pa kurrfarë simpatie dhe me mjaft lajthitje për Skënderbeun tonë. Mehmet Syrjaj në shkrimet e tij biografike për personalitetet osmane, ndërsa nuk ka lënë grua sulltani, princ osman e dhëndërr të familjes sulltanore pa përmendur dhe ndërsa rreshton të dhëna për dhjetra e dhjetra Skënderbej të dalluar në jetën politike dhe ushtarake të Perandorisë osmane, harron, apo si ta quajmë, të shkruajë për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun.
Pra, botimet enciklopedike ekzistuese perëndimore e lindore nuk përputheshin me kriteret shkencore turkologjike e politike, shumë të përparuara për kohën e sidomos atdhetare të Shemsedin Sami Frashërit. Prandaj ai qe i detyruar t’i drejtohej drejtpërdrejti burimeve, literaturës, çka donte kohë, mund, e mbi të gjitha kulturë, horizont e njohje gjuhësh, të Lindjes e të Perëndimit. E Samiu këto i kishte, mund të themi pa e tepruar, në shkallë sipërore. Para së gjithash ai qe pajisur me shprehitë e punës shkencore, me vullnet, pasion e këmbëngulje. Ishte shumë sistematik në punë. Ndryshe nuk mund të çohej deri në fund dhe me sukses një vepër e tillë madhore. Nuk duhet të harrojmë, që ai i hyri kësaj pune me përgjegjësi, mjaft i përgatitur. Puna e tij për një kohë të gjatë në fushën e gazetarisë, ku ai trajtoi me aftesi probleme nga më të ndryshmet, jo vetëm të aktualitetit Osman, por sidomos botimet e shumta shkencore të përgatitur prej tij për tokën, qiellin, e njeriun e plot të tjera qenë një shkollë e madhe përgatitore për enciklopedistin e ardhshëm.
Për realizmin e veprave të tilla madhore si fjalorët gjuhësorë dhe sidomos enciklopedinë tij prej gjashtë vëllimesh për të siguruar përdorimin e njëkohshëm të disa librave në disa gjuhë ai porositi, sipas skicës së tij, një etazher special. Ajo gjendet e ekspozuar në Muzeun tonë Kombëtar në Tiranë dhuruar bujarisht nga nipi i Samiut zoti Emin Erer.
Për të pasur një përfytyrim qoftë edhe të pjesshëm rreth mbështetjes bibliografike të Sami Frashërit në punën e tij shkencore mjafton t’i hedhim një sy dy-tre listave të përgatitur prej tij dhe të ruajtur nga trashigimtarët, rreth 150 tituj, ku shumë prej tyre përbëheshin prej më tepër se një vëllimi. Midis tyre është një listë botimesh perëndimore kushtuar qytetërimit arabo-islamik, prej afro 50 titujsh. Krahas botimeve më të reja, më të fundit i takojnë vitit 1881, ka edhe botime mjaft të vjetra, me siguri të rralla, të fillimit të shekullit të 18-të (1728). Nuk ka diskutim që kjo listë si dhe listat e tjera, është përpiluar në prag të fillimit të punës për enciklopedinë. Në një listë tjetër të literaturës frëngjisht prej më se 70 titujsh janë rreshtuar vepra të autorëve si Volteri, Kanti, Fihte, Lesingu, Lamartini, Monteskjë, Madam de Stal, Lajbnici, Prudoni, Kont, Gizo, Herder, Byfon e plotë të tjerë. Në të përfshihen literaturë historike, filozofike, sociologjike, ekonomike, psikologjike, pedagogjike, etike, juridike, çka flet për horizontin dhe interesat shumë të gjëra të Samiut dhe përgatitjen e tij si enciklopedist. Atij, veç të tjerash, i interesonte historia e shkencës, problemi i reformave shoqërore, problemet e organizimit të punës, tema e demokracisë, jeta e Dekartit e deri te çështja e stilit.
Me këtë përgatitje shkencore dhe mbështetje bibliografike Shemsedin Samiu i hyri punës për hartimin e Enciklopedisë së vet. Se sa ka përfituar autori nga botimi i Bujesë apo i ndonjë tjetri mbetet detyrë për t’u sqaruar. Porse pavarësisht se ndonjë zë Samiu e ka marrë që andej tekstualisht ai me punën e vet, siç pohon edhe prof. Omer Faruk Akyn, autori i zërit kushtuar Shemsedin Samiut në Enciklopedinë Islame; e ka kapërcyer e tejkaluar modelin, që mori si bazë, jo vetëm përsa i takon vëllimit, por, do theksuar, edhe përsa i takonte përmbajtjes se veprës së tij madhore. Në gjithë këtë punë të madhe ai udhëhiqej nga formimi i tij ideologjik antifeudal, antiabsolutist, e demokratik udhëhiqej nga ideali i tij i lartë kombëtar. Pra, janë të gjithë këta premisa dhe faktorë që i dhanë kësaj vepre të madhe karakter origjinal dhe fytyrë shqiptare. Gjithë kjo ishte fryt jo vetëm i aftësive dhe i punës së madhe të Samiut, por edhe i kurajos civile dhe i guximit patriotik e përparimtar të tij.

/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike.
Loading...