Revista italiane “Panorama” shkruan sot për situatën në vendin fqinj ku politika ka inkastruar ministrin e Brendshëm, Matteo Salvini, vënë në procedim për shkak të refuzimit të zbarkimit më 20 gusht 2018 të refugjatëve nga anija e rojes bregdetare “Diciotti”.

Salvini lejoi zbarkimin e 29 minorenëve nga 177 refugjatë duke argumentuar se Italia nuk mund ta bënte më shumë në kushtet kur nuk kishte një marrëveshje me BE-në për riatdhesimin. Sjellja e ministrit italian kushtëzohej me retorikën e tij elektorale dhe faktin se imigracioni është bërë çështje dite në Itali. Sot mediat flasin se Salvini mund të dënohet me 15 vjet për shkak të një procedimi nga Katania dhe Palermo.

Revista sjell në vëmendje një ngjarje të vitit të largët 1991, kur anija “Vlora” u nis nga Durrësi drejt Brindizit dhe mandej drejt Barit për shkak se prefektura e Brindizit refuzoi akostimin.

Ku qëndron problemi me Italinë dhe maninë e saj për të bërë zhurmë? Qëndron në faktin se edhe atëherë si tani, Kushtetuta italiane dhe ligjet në fuqi detyronin autoritetet të ndihmonin refugjatët që drejtoheshin drejt tokës italiane. Kjo nuk ndodhi. Në atë kohë në pushtet ishte Giuliano Andreotti, ministër I Brendshëm, Vincenzo Scotti, ministër i Jashtëm, Gianni de Michelis, kurse ministër oër Emigracionin, Margherita Boniver. Shkruan “Panorama” – ajo e Italisë – që sjell në vëmendje se 20 mijë shqiptarët e “Vlorës” u izoluan me tela me gjemba në stadiumin e Barit, “Vittoria”:

Për tetë ditë me mijëra shqiptarë qëndruan të mbyllur në atë ferr, me ujin dhe ushqimin që u hidhej nga lart…Ndërkohë, refugjatët e mbetur në mol imbarkoheshin me forcë në tragetin “Tiziano”, ndërsa të tjera trensferoheshin në aeroportin “Palese”, ngarkoheshin në bordin e një C -130 të Aeronautikës. Sapo mbaroi kjo punë, shefi I policisë, Arturo Parisi u ngarkua të negocionte me shqiptarët e mbyllur në stadium, duke u premtuar se do të transferoheshin në qytete të tjera italiane. Në realitet edhe ata u hipën nëpër tragete dhe avionë dhe u ridërguan në Tiranë.

E keni pyetur veten se përse humba kohë për rievokuar një histori të varrosur në kujtesën e thuajse 30 viteve më parë? Sepse në atë kohë asnjë prokuror nuk mendoi të hapte një fashikull në ngarkim të ministrit të Brendshëm apo të qeverisë me akuzën e sekuestrimit të personit. Dhe të mendosh që në atë rast sekuestrime kishte me të vërtetë dhe për më tepër që me përdorimin e stadiumit  – siç është vënë re pas grushtit të shtetit të Pinoçetit në Kili – në funksion të rendit publik, evokohet klima e regjimeve më të këqija të mundshme. Por në vitin 1991 asnjë gjykatësi nuk i shkoi në mend që të vinte në bankën e të akuzuarve Andreottin, Martellin, Scotti, De Michelis, Boniver apo Parisin. As edhe u çua ndonjë konstitucionalist që të thoshte se qeveria kishte shkelur Kushtetutën dhe se ligji imponon që të ndihmohen të gjithë ata që duan të zbarkojnë në brigjet tona

Kohë të largëta, që ndoshta janë harruar nga shqiptarët të cilëve edhe sot nëpër sportelet e qytetërimit perëndimor, të Evropës që mbeti ëndrra më e gënjeshtërt e një populli që nuk duhet t’i ulte brekët kështu, u kërkohet pasaporta, shikohen me  dyshim, u thuhet “prit aty”, “eja pak”, “ku po shkon”, “sa do rrish”. Por përndjekja duket normale kur është e vazhdueshme dhe ajo na ka bërë të kuptojmë se ne nuk kemi të bëjmë me Europën siç na është shfaqur këto 28 vjet, me përdhunën e burokracisë së saj që është asgjë më shumë se vazhdimi i përdhunës së armëve që përdori në shekullin e 20-të.

Ajo çfarë irriton në këtë histori që tregohet për atë që është nga autorë itaianë, nuk është racizmi i barezëve, apo indiferenca cinike e një Andreotti, që kishte lëkurën të tillë, por katundaria dhe servilizmi bythëlëpirës i tyre që përditë dalin e betohen e stërbetohen në emrin tonë. Dhe gjoja për ne. E ca më keq, që ta pështiros të gjithën këtë, është fakti se në krye të këtij bizantinizmi dhe kompleksi qëndrojnë atë që shiten për qytetarë dhe se rrjedhin nga familje të mëdha. Në vitin 2011, ish-presidenti i Republikës Bamir Topi, një individ që mishëron një ndër kapitujt më bulevardeskë dhe qesharakë të institucioneve shqiptare, dekoroi Bashkinë e Barit me “Medaljen e Mirënjohjes” me motivacionin:

Me mirënjohje të thellë Komunës së Barit dhe gjithë popullit të Rajonit të Puljas, për solidaritetin e rrallë dhe përkrahjen e pakufishme që i dhanë në momente të vështira dhe dramatike, 20 vjet më parë, mijëra qytetarëve shqiptarë që mbërritën në Portin e Barit, në kërkim të një jete më të mirë

Tallja e italianëvve është e pritshme. Fundja mesdhetarët mund t’ja falin njëri-tjetrit cinizmin dhe karnevalizimin e marrëdhënieve. Por kjo medalje është një pështymë në fytyrën e shqiptarëve që ishin në atë stadium që sot duhet të lexojnë sesi vetë italianët pranojnë turpin, ndërkohë që ish-presidenti i tyre, ky qylaxhi i politikës së mejhaneve lëshon medaljet e mirënjohjeve personale. Turpi sigurisht që është për Ne, jo për atë që e ngazëllen veten edhe me modelin unik të flokëve.  Zotëria në fjalë, që është rastësi kudo, duhet ta kuptojë se shqiptarët si refugjatë i pritën fillimisht vetëm në Greqi, pasi më vonë edhe aty nuk i kishin më qejf. Në vendet e tjera shqiptarët shkuan vetë dhe u imponuan nga rruga. Por në Europë edhe rrugët janë më të ndriçuara dhe shikon më qartë sesa mejhanet ku tymi të zë edhe sytë edhe mendjen. 

VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët. Këta nuk e kontrollojnë e as nuk e financojnë gazetarinë tonë kritike. Ndihmoje sot MekuliPress - Mbështete median e pavarur