Prej më shumë se dy vitesh, në qytetet e Rusisë po testohet shkëputja e segmentit rus nga rrjeti botëror i internetit. Shumica e testeve nuk u bien në sy përdoruesve. I njohur si RuNet, segmenti rus ndryshon nga “Muri i Zjarrtë” (Great Firewall) i Kinës.

Përgjatë periudhës 15 qershor-15 korrik 2021, këto teste u zhvilluan në mënyrë intensive dhe siç raporton gazeta RBC, e cituar nga Russia beyond the Headlines, në to morën pjesë të gjithë operatorët kryesorë të telekomit rus (MTS, Tele2, Beeline, Megafon, si dhe Rostelecom, Transtelecom dhe ER-Telecom Holding). Mes testeve ishte edhe një skenar i mundshëm i funksionimit të Runet në rast të ndonjë sulmi nga një shtet armiqësor.

Në dhjetor 2019, kur nisën këto teste, ato u kryen në Moskë, Rostov, Vladimir dhe qytete të tjera ruse për të lejuar operatorët e telekomit dhe agjencitë qeveritare të kontrollojnë nivelin e mbrojtjes së të dhënave personale të abonentëve celularë, si dhe rrjetet dhe pajisjet e IT të kompanive të energjisë dhe financiare kundër kërcënimeve të jashtme, përfshirë hakimin.

Ju pëlqen!

Si lindi RuNet?

Gjithçka nisi në tetor 2017, pas tre sulmeve të mëdha hakerash që prekën Rusinë dhe disa vende të tjera. Presidenti Vladimir Putin bëri thirrje për rritje të sigurisë Runet në një takim të Këshillit të Sigurisë Ruse. Putin tha se ishte i domosdoshëm përmirësimi i sigurisë dhe stabilitetit të infrastrukturës së segmentit rus të internetit.

Në dhjetor 2018, ideja kishte marrë formën e ligjit dhe ai iu paraqir Dumës. Ligji i cili më vonë u bë i njohur ndryshe si ligji “Mbrojtja me RuNnet”, “RuNeti sovran” dhe “Izolimi i Runet” merrte parasysh akuzat për hakim kundër Rusisë dhe Strategjisë Kombëtare Kibernetike të Shteteve të Bashkuara, të miratuar në shtator 2018, e cila, sipas senatorëve, rivendos parimin e “paqes përmes forcës”.

Thelbi i ligjit është krijimi i një infrastrukture të brendshme që do të lejojë Runet të vazhdojë punën edhe nëse Rusia është e shkëputur nga serverët globalë.

Ligji gjithashtu përcakton që mbikëqyrësi rus i komunikimeve Roskomnadzor dhe operatorët do të kontrollojnë të dhënat e shkëmbyera nga përdoruesit rusë dhe, nëse është e nevojshme, nuk do t’i transferojnë ato jashtë vendit dhe do të çaktivizojnë trafikun nëse bëhet një përpjekje për të hyrë në faqet e internetit me informacion të ndaluar.

Ligji u kritikua në vend dhe jashtë tij. Ekspertët rusë thanë se rreziqet që përmendeshin në ligj nuk përbënin kërcënim. Reporterët pa Kufij, një organizatë ndërkombëtare, shprehu shqetësimin se me këtë ligj, Rusia do të mund të shkëpusë rrjedhën e informacionit digjital kur të dojë. Megjithatë, Putin e firmosi dekretin dhe ligji hyri në fuqi më 1 nëntor të atij viti.

Si funksionon interneti sovran i Rusisë?

Të gjithë operatorët instalojnë pajisje speciale për të siguruar shkëmbim të pandërprerë të të dhënave në Rusi në rast se bëhet e nevojshme shkëputja e vendit nga interneti global.

Roskomnadzor synon të krijojë një qendër kontrolli për të monitoruar këtë pajisje dhe mundësinë e kërcënimeve të jashtme.

Nëse ndodh që aktorët kibernetikë të shkëpusin Rusinë nga serverët globalë, të prishin komunikimet celulare ose qasjen në internet për publikun, ose të synojnë infrastrukturën e IT të objekteve kritike, Roskomnadzor merr menjëherë kontrollin e trafikut të brendshëm.

Rregullatori shtetëror do të mund të bllokojë në mënyrë të pavarur faqet e internetit të ndaluara në Rusi pa kontaktuar operatorët dhe ofruesit përkatës (kjo aktualisht bëhet me kërkesë të Roskomnadzor). Në faqen e Dumës theksohet se ligji nuk është krijuar për të bllokuar rrjetet sociale dhe platformat e videove, si Tëitter, YouTube dhe Facebook.

Ligji nuk lë mundësi për kundërshtim. Operatorët përballen me një gjobë deri në 1 milion rubla (13 600 dollarë) për shkeljen e parë dhe deri në 3 milion (40 000 dollarë) për të dytën.

Ngjashmëritë me Murin e Madh të Zjarrit në Kinë

Dallimi kryesor midis “Runet sovran” dhe “Great Fireëall” të Kinës qëndron në arkitekturën e tyre.

Në Rusi, sistemet e filtrimit dhe menaxhimit të trafikut janë instaluar në anën e operatorëve të telekomit; por në Kinë, ajo teknologji kontrolli është e vendosur në ‘kufirin’ e saj me pjesën tjetër të botës. Facebook dhe rrjetet e tjera sociale të njohura nuk funksionojnë në Kinë, por edhe nëse sistemet e filtrimit prishen, interneti do të vijojë të funksionojë atje. Rusia, ndërkohë, do të përballet me probleme të papritura në të gjithë vendin.

Shkëputja e Google do të godiste 30% të të gjitha uebfaqeve ruse … Ekonomia do të goditej aty ku ne më së paku e presim. Çdo gjë mund të dështojë: një sistem mjekësor ose një sistem kontrolli i tubacionit të gazit, është e pamundur të parashikohet“, thotë Mikhail Klimarev, nga OJQ Internet Protection Society.

Të njëjtën gjë konfirmoi nga Dmitry Medvedev në shkurt 2021. Sipas tij, nëse Runet do të bëhej autonom, do të krijonte probleme të mëdha.

Do të duhet kohë. Por, në parim, autonomia operacionale e Runet mund të rikthehet ose krijohet“, tha Medvedev, duke theksuar se “nuk do të jetë e lehtë”.

©MekuliPress/ Dhuro sot vetëm 1 euro dhe shpëtoje MekuliPress. Ndihmo gazetarinë e pavarur nga partitë politike dhe oligarkët. FOTO: No copyright infringement is intended.