Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se Rusia nëpërmjet Serbisë synon destabilizimin e rajonit. Deklarata është bërë në një postim në Facebook, e cila ka folur në lidhje me takimet dhe aktivitetet në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

Ajo shkruan se bashkë me kryeministrin Kurti kanë përçuar mesazhin se Kosova është shembull i shkëlqyeshëm i kontributit për paqe e stabilitet në rajon, duke kryer njëkohësisht një sërë reformash brenda vendit të cilat po përkrahen fuqishëm nga qytetarët por edhe nga partnerët ndërkombëtarë.

“Përkushtimin tonë në procesin e integrimit në struktura euro-atlantike, përtej aspektit deklarativ, po e dëshmojmë me veprime konkrete, prandaj është imperative që e ardhmja e vendit tonë në këto struktura të garantohet duke pasur parasysh ndikimin çdo ditë e më të madh të Rusisë, nëpërmjet Serbisë që ka për qëllim destabilizimin e rajonit. Në takime me presidentë, kryeministra, ministra të jashtëm, ministra të mbrojtjes, senatorë, udhëheqës të organizatave ndërkombëtare e përfaqësues të shoqërisë civile, gjithnjë synojmë avancimin e raporteve me shtete të tjera dhe shtyrjen përpara të interesave të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj”, ka shkruar ajo.

Sipas saj, Kosova ka miq të shumtë në botë, e këto miqësi vetëm sa do t’i shtojnë e t’i thellojnë.