News Corp arriti një marrëveshje globale me Google e Alphabet Inc. Kjo është një nga marrëveshjet më të mëdha që kompania e Rupert Murdoch nënshkruan me një nga gjigantët e teknologjisë, raporton Reuters.

Kompanitë do të zhvillojnë një platformë abonimi, do të ndajnë të ardhurat nga reklamat përmes shërbimeve të teknologjisë së reklamave të Google, do të bëjnë gazetari audio dhe do të zhvillojnë gazetari video nga YouTube. Marrëveshja vjen pas disa viteve përplasjeje mes Murdoch dhe Google, së fundmi në Australi, ku Google ka kërcënuar të mbyllë motorin e saj të kërkimit për të shmangur ligjet e “pazbatueshme” të përmbajtjes.

Kjo është një arritje për manjatin 89-vjeçar të medias, që ka kërkuar prej kohësh kompensim për përmbajtjen premium nga platformat. Murdoch ia doli t’i merrte pagesat nga Apple Inc dhe Facebook Inc për produktet e Apple News dhe Facebook News.

Nuk dihen me saktësi detajet financiare të marrëveshjes, por kompania thotë se bëhet fjalë për “pagesa të konsiderueshme” nga Google.

Në Australi, dy transmetuesit më të mëdhenj televizivë të vendit kanë arritur marrëveshje kolektive me Google me vlerë 60 milion dollarë (47 milion dollarë) në vit, sipas raportimit në mediat vendase.

Marrëveshjet në fjalë u arritën disa ditë para se qeveria të planifikojë të miratojë ligje që do t’i lejonin asaj të caktonte një arbitër për t’i vendosur Google tarifa për përmbajtjen.

News Corp ka në pronësi dy të tretat e gazetave kryesore të Australisë.

Marrëveshja e kompanisë me Google vjen pak kohë pasi gjiganti i teknologjisë ra dakord të paguante 76 milion dollarë për tre vjet për një grup prej 121 botuesish francezë të lajmeve për t’i dhënë fund një kontestimi 1-vjeçar mbi të drejtat e autorit.