Radio Televizioni Dukagjini ka reaguar pasi Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se ka ndërprerë bashkëpunimin ndaj këtij mediumi, derisa LDK ka deklaruar se do ta shqyrtojnë të njëjtën gjë.

Drejtori i RTVD, Ermal Panduri, përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se ka ndjekur me shumë shqetësim sulmet e bëra nga partitë politike.

Pamduri ka thënë se RTV Dukagjini në sondazhin të cilit po i referohen subjektet politike, që po kërcënojnë me mospjesëmarrje, ka respektuar me përpikmëri të gjitha kriteret që kërkohen nga Komisioni i Pavaruar i Mediave.

Ju pëlqen!

Ai ka kërkuar nga dy subjektet e përmendura më lartë që të tërhiqen nga gjuha kërcënuese dhe të kërkojnë falje.

“Bazuar në Rregulloren e KPM-së, mediat janë të obliguara të bëjnë të ditur se kush është: Porositësi, kryerësi, numri i respodentëve dhe Margjina e Gabimit. Ne presim që subjektet politike që po e atakojnë RTV Dukagjinin të tërhiqen nga kjo gjuhë dhe të kërkojnë falje”, ka thënë ai.

Më tej ka shtuar se debatet politike gjatë gjithë kohës në RTV Dukagjini kanë qenë të balancuara politikisht dhe do të vazhdojnë të jenë të tilla.

“Përmes kësaj gjuhe që po përdorin partitë politike po rrezikojnë qindra gazetarë që punojnë në terren! RTV Dukagjini është platformë e të gjitha qëndrimeve”, ka shkruar Panduri.

Ndryshe, reagimi i Pandurit erdhi pasi PDK ka shkëputur komunikimin me TV Dukagjini dhe e akuzon për propagandë politike.

Shefi i shtabit të Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi i në një konferencë për media ka njoftuar se PDK-ja nga sot e ka shkëputur çdo komunikim me ‘TV Dukagjinin’ dhe e ka akuzuar këtë televizion për propagandë politike.

Gjatë ditës edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka shfaqur akuza ndaj ‘RTV Dukagjinit”.

Në një komunikatë për media thuhet se LDK fton qytetarët të mos bien në kurthin propagandistik të TV Dukagjinit dhe Lëvizjes Vetëvendosjes.

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.