Pas deklaratës ofenduese, jonjerëzore e përçmuese së deputetit Driton Selmanaj për çështjen e të pagjeturve viktima të Serbisë zyrtare, Rrjeti i Grave të Kosovës përmes një letre dërguar kryeministrit të Republikës së Kosovës, Abdullah Hotit, ka kërkuar mënjëherë shkarkim të deputetit të LDK-së, z. Selmanaj.

E pavarura “MekuliPress” ju sjell letrën e plotë të Rrjeti i Grave të Kosovës:

I nderuar Kryeministër Hoti,

Çështja e personave të pagjetur është çështje e të drejtave të njeriut. Për më tepër, ashtu siç kanë treguar hulumtimet, duke përfshirë këtu edhe hulumtimin e ardhshëm të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) “Ku është vendi im në tryezë”, çështja e të pagjeturve është ndër çështjet më të rëndësishme që qytetarët e Kosovës duan të adresohet nga qeveria, drejt arritjes së paqes së qëndrueshme në Kosovë dhe rajon. Andaj, kjo është një çështje e rëndësishme për RrGK-në dhe anëtaret e saj.

Që nga përfundimi i luftës, populli i Kosovës dhe veçanërisht familjet e të pagjeturve vazhdimisht kanë kërkuar që të adresohet çështja e të pagjeturve, nga qeveria si dhe nga akterët ndërkombëtarë që ndërmjetësojnë proceset paqeruajtëse. Pa adresuar këtë çështje kyçe, nuk mund të ketë paqe të vërtetë për qindra familje që nuk i kanë gjetur më të dashurit e tyre.

Familjet e të pagjeturve nuk u ndalën asnjëherë. Që nga përfundimi i luftës, ata vazhdimisht kanë protestuar, demonstruar dhe kanë ngritur zërin duke kërkuar përgjigje nga qeveria. Ne kemi qëndruar me ta, duke dëgjuar rrëfimet dhe thirrjet e tyre për të vërtetën.

Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk i dha prioritetin e merituar kësaj çështjeje. Përkundrazi, për dy dekada, kemi dëgjuar një kaskadë premtimesh boshe që mbajnë pak të vërteta.

Madje, në vitin 2009, Thirrjet e Nënave – organizatë kjo që përfaqëson nënat e Gjakovës që ende nuk i kanë gjetur më të dashurit e tyre, të lodhura nga premtimet e zbrazëta të qeverisë, nisën grevën e urisë. Ato kërkonin të vërtetën. Edhe pse qeveria premtoi, kjo çështje nuk u zgjidh as atëherë.

Në mesin e udhëheqësve tanë politikë, Saranda Bogujevci ka shërbyer si një nga zërat më të fortë që kemi pasur, duke qenë vetë e mbijetuar e mizorive çnjerëzore. Që nga momenti kur u zgjodh deputete në Kuvendin e Kosovës, ajo ka përfaqësuar interesat e qytetarëve të Kosovës duke ngritur çështjen e rëndësishme të të pagjeturve. Ajo ka përmbushur detyrën e saj si deputete, për të përfaqësuar interesat tona dhe për të adresuar këtë shkelje serioze të të drejtave të njeriut.

Për dallim prej saj, në anën tjetër, kemi një zyrtar qeveritar, zëvendëskryeministrin Driton Selmanaj, i cili jo vetëm që nuk i përfaqëson plotësisht interesat e qytetarëve të Kosovës, por madje po fyen drejtpërdrejt ata dhe përfaqësuesit e tyre si Saranda Bogujevcin, e cila ka përfaqësuar zërat tanë. Si zëvendëskryeministër, deklaratat e tij nuk përfaqësojnë thjesht atë si individ, por ato përfaqësojnë Qeverinë e Kosovës. Kështu, përmes tij, qeveria po ofendon qytetarët e saj.

Në vitin 2015, Jabllanoviç, atëherë Ministër i Qeverisjes Lokale, si përfaqësues i qeverisë ofendoi familjet e të pagjeturve. Populli i Kosovës u ngrit dhe kërkoi shkarkimin e tij. Pas kësaj, kryeministri i atëhershëm, Mustafa, e shkarkoi atë. Kjo është hera e dytë që një ofendim i tillë vjen nga qeveria, dhe rezultati tani nuk do të duhej të ishte ndryshe.

Andaj, ne u bashkëngjitemi mijëra qytetarëve, duke përfshirë ata që tashmë kanë nënshkruar peticionin online, në thirrjen për shkarkimin e menjëhershëm të Selmanajt. Kjo është e drejtë e popullit: të kërkojë përgjegjësi nga udhëheqësit tanë politikë për të përfaqësuar interesat tona.

Duke qenë se grumbullimet e njerëzve dhe protestat masive nuk janë të lejuara me masat për luftimin e pandemisë COVID-19, unë personalisht kam marrë vendim që të qëndroj para qeverisë për një orë, çdo ditë pune, duke filluar nga sot në ora 12:00, derisa Selmanaj të shkarkohet. Pas shumë viteve mbështetje për zërat e të pagjeturve, nuk do të isha besnike ndaj vetes dhe bindjeve të mia si aktiviste për të drejtat e njeriut, nëse do të rrija duarkryq dhe të shikoja në heshtje teksa qytetarët ofendohen mu nga njerëzit që janë zgjedhur për të përfaqësuar dhe mbrojtur interesat tona. Unë do të qëndroj në heshtje, në solidaritet me familjet e personave të pagjetur, si dhe me shumë qytetarë të Kosovës që mbështesin thirrjet e tyre për të vërtetën dhe për veprim nga qeveria jonë.

Derisa zërat tanë të dëgjohen!