Prodhimi i mjaltit në vendin tonë ka ardhur duke u rritur. Referuar Vjetarit Statistikor Rajonal të INSTAT 2022, për vitin 2021 është prodhuar 5.1 për qind më shumë mjaltë krahasuar me vitin paraardhës. Qarqet ku është regjistruar prodhimi më i lartë, janë Shkodra me 18.9 për qind dhe Vlora me 15.3 për qind të prodhimit të përgjithshëm.

Ndërsa referuar shifrave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, edhe për vitin 2022, prodhimi i mjaltit ka ardhur në rritje me rreth 6 për qind, duke e çuar prodhimin total në afro 5 mijë ton mjaltë. Përgjatë vitit që lamë pas, nga fondi total prej 5.1 miliardë lekësh i vënë në dispozicion të mbështetjes së fermerëve përmes skemave kombëtare, bletaria përfitoi 7 për qind të tyre dhe u mbështetën në total 2889 bletarë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, aktualisht janë rreth 12 000 bletërritës në të gjithë vendin, prej të cilëve rreth 3 mijë kanë mbi 50 koshere. Numri i zgjojeve (koshereve) është rritur në 402 mijë koshere, nga 239 mijë koshere që ishin në 2012 dhe po ashtu prodhimi i mjaltit “Made in Albania” ka ardhur në rritje me rreth 2200 ton në një dekadë. Vlera e kapitalit të këtij sektori është afro 72 milionë euro, ndërsa ka njohur një rritje të lartë në dekadat e fundit.