Rastet me diabet të tipit 2 janë shtuar shumë së fundmi – diagnozat janë shtuar katërfish nga vitet 1980 deri në 2014. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me prediabetin (kur vlerat e glicemisë esëll janë midis 95- 105 mg/dl). Mund të çuditeni kur të mësoni se rreth 90% e njerëzve me prediabet nuk janë në dijeni të tij.

Prediabeti është një gjendje kur nivelet e sheqerit në gjak janë vazhdimisht të larta, por jo dhe aq shumë sa për t’u konsideruar diabet. Mënyra më e lehtë për të përcaktuar nëse keni diabet është të bëni një test të thjesht të gjakut. Testi më i saktë është A1C, që përcakton përqindjen e glukozës (sheqerit) në gjak.

Shoqata Amerikane e Diabetit rekomandon që njerëzit mbi 45 vjeç të kontrollojnë vazhdimisht nivelet e sheqerit në gjak. Nëse jeni mbipeshë, vuani nga sindroma policistike e vezores (PCOS), apo keni një familjar që vuan nga diabeti, duhet ta bëni më herët testin A1C.

Ja cilët janë alarmuesit e fshehur të diabetit.

E dini si duket tualeti gjatë natës

Sepse e vizitoni shpesh. Me rritjen e niveleve të sheqerit në gjak, simptomat e diabetit, si urinimi i shpeshtë, fillojnë të përkeqësohen.

Nëse para 4 muajsh shkonit vetëm njëherë në mesnatë për të urinuar dhe tani shkoni më shumë se 3 herë, ka një gjë së s’shkon. Urinimi i shpeshtë mund të jetë shenjë paralajmëruese se rrezikoheni nga diabeti, ashtu siç mund të paralajmërojë edhe për shumë sëmundje të tjera, përfshirë edhe problemet e prostatës. Ja cilat janë disa nga shkaqet e urinimit të shpeshtë.

Lëkura duket shumë e pisët

Keni njolla të zeza në pjesën e pasme të qafës dhe pavarësisht sa fortë i fërkoni, përsëri nuk hiqen? Atëherë duhet të bëni patjetër një vizitë tek mjeku sepse këto vija mund të jenë shenja të para të diabetit. Rezistenca ndaj insulinës mund të shkaktojë një gjendje të quajtur “acanthosis nigricans” që shfaqet gjatë prediabetit. Njollat e errëta, të vijëzuara, mund të rrethojnë qafën si dhe bërrylat dhe gjunjët. Ato mund të zhduken sapo të merrni nën kontroll nivelet e glukozës.

Keni probleme në lexim

Nivelet e larta të sheqerit të gjak për një kohë të gjatë dëmtojnë enët e vogla të gjakut në retinë, duke ju shkaktuar turbullim të shikimit në njërin ose të dy sytë. Në gjuhën mjekësore kjo gjendje njihet ndryshe si retinopatia diabetike.

Edhe pse një dekadë më parë mjekët mendonin se vetëm personat me diabet të tipit 2 mund të preken nga kjo sëmundje, tani e dinë se mund të shfaqet më herët.

Në fakt, afro 8% e personave prediabetikë vuajnë nga retinopatia diabetike. Përveçse duhet të mbani nën kontroll nivelet e sheqerit në gjak për të parandaluar progresin e sëmundjes, duhet të kontrolloheni edhe tek një oftamolog të paktën njëherë në vit për të kontrolluar sytë.

Pantallonat kanë filluar t’ju bien lirë

Normalisht do të ishte lajm i mirë nëse humbisni disa kile dhe vazhdoni të shijoni një dietë me pica dhe birra. Megjithatë rënia në peshë në mënyrë të pashpjegueshme mund të jetë shenjë e diabetit.

Duhet të shqetësoheni nëse hani shumë dhe përsëri bini në peshë. Është një shenjë që trupi nuk po i përdor kaloritë siç duhet dhe ju thjesht po i nxirrni jashtë këto vlera ushqyese.

Nivelet e tensionit të gjakut kanë filluar të rriten

Herën e fundit kur matët tensionin e gjakut ishte 140/90mmHG ose më sipër? Ky nivel konsiderohet tension i lartë i gjakut dhe ju vë në rrezik nga diabeti. Nëse lihen pa trajtuar, ato mund të çojnë në dëmtimin e veshkave me kalimin e kohës.

Kështu që shpëtoni jetën duke mos i injoruar këto shenja.

Shënim: Informimi rreth sëmundjeve të ndryshme dhe këshillat e mjekëve nuk kanë qëllim diagnostikimin, trajtimin apo mjekimin, por informimin dhe edukimin në mënyrë që të realizohet parandalimi dhe identifikimi i sëmundjeve në kohë.