Sulmi i organizuar mbi ambasadën amerikane në Baghdad ka rihapur mundësinë e ndërhyrjes ushtarake amerikane në rajon, duke e vënë presidentin Donald Trump në kushte të favorshme politike tani që në Kongres kërkohet të ngrihet akuza ndaj tij. Dje media pranë tij, Fox News raportonte se pas sulmeve të mbështetura nga milici proiraniane, në Washington po diskutohej vendimi për dislokimin e 4000 trupave amerikane në Kuvajt, pjesë e divizionit të 82-të ajror. Për të përballur situatën e krijuar, 750 trupa u dërguan menjëherë, ndërkohë që Trump akuzoi publikisht Iranin si nxitës të sulmit duke kërcënuar se do ta paguante shumë shtrenjtë veprimin e tij.

Mirëpo një ditë më pas nga Florida, Trump korrigjoi të folurën duke deklaruar se ai nuk do luftë, por paqe dhe se një gjë të tillë e do edhe Irani.

A dua unë një gjë të tillë? Jo. Unë dua paqen. E pëlqej paqen. Dhe Irani duhet ta dojë paqen më shumë se kushdo tjetër. Kështu që nuk shoh se një gjë e tillë mund të ndodhë

deklaroi ai nga Florida.

Oportunizmi mund t’i kërkonte Trump thellimin e tensioneve çka do të relativizonte situatën e krijuar në Kongres ku ai akuzohet për pengim të hetimeve apo dhënie rryshfeti në funksion të qëllimeve personale politike. Presidenti i SHBA po bën të kundërtën dhe si një njeri si spektaklit ai e kupton shumë mirë se po humbet një shans këtu që do ta shndërronte atë nga të akuzuar në eventualisht një hero.

Kjo sjellje e Trump u verifikua në Siri, por edhe në raport me Korenë. Kërcënim, paralajmërim pastaj marrëveshje. Por edhe në Kosovë dhe Serbi. SHBA nuk këmbënguli deri në fund që sugjerimi i ish-këshilltarit Bolton për shkëmbim territori të merrte formën e një marrëveshjeje. Mund të imagjinohet lehtë që nëse në Washington do të ishte një administratë tjetër, qoftë edhe ajo e Klinton dhe të kishte në axhendë këtë opsion, ai do të ishte zbatuar pa asnjë mëdyshje. Madje duke e shpallur si paqen më të mirë të mundshme.

Është e qartë se me Presidentin Trump politika e jashtme amerikane ka marrë goditje në thelbin e vet të mënyrës sesi ëstë manifestuar ajo në dekada. Trump i ka dhënë fytyrën e vet mënyrës sesi arrihen interesat, duke luajtur si biznesmen dhe duke shmangur deri në fund përplasjen e armatosur, apo përdorimin e forcës ushtarake në arritjen e objektivave. Ai po e mbyll mandatin pa asnjë ndërhyrje ushtarake, ndonëse ka provokuar jo pak probleme në fushën tregëtare, aty ku edhe luhen interesat.

Ka shumë arsye për këtë qëndrim, por duam apo nuk duam, në praktikë ai i ka hequr politikës së jashtme amerikane dimensionin e mendësisë së kaubojsit, kaq e pranishme kurdoherë.

Ky frenim dhe kjo vetëpërmbajtje qëndrojnë ndoshta në themel të atij sulmi të paprecedent që vazhdon prej katër vjetësh ndaj tij brenda në SHBA. Në një opinion të publikuar në Mises Institute – që është pranë të djathës dhe idesë së tregut – nënvizohet se ndoshta një ndër arsyet e Impeachment të Trump është pikërisht qenia e tij kundër luftës.

Duke iu referuar raportit të paraqitur në Kongres, autori Ryan McMaken shkruan se arsyetimet e këtij dokumenti paraqesin një realitet të pavërtetë çka e bën edhe akuzën në thelb të rreme:

Së pari SHBA nuk është “në gjendjen e deklarimit të luftës apo të luftës së hapur” me Rusinë. Kongresi nuk i ka deklaruar luftë Rusisë – apo ndonjë vendi tjetër – siç mandaton Kushteuta. Nuk është SHBA as në “luftë të hapur” me Rusinë përbveçse në mendjet e makertistëve të ditëve të sotme dhe mbështetësve të tyre…

Së dyti, duke qenë se Rusia  nuk është përkufizuar si një kundërshtar I SHBA-ve në përputhje me Nenin 1 të Kushtetutës, është e vështirë të shohësh sesi ndonjë agjent amerikan kryen tradhëti duke refuzuar financimin me paratë e taksapaguesve amerikanë të regjimit të Ukrainës.

Sipas këtij autori mes “shkeljes së ligjit” dhe “tradhëtisë” ka dallim thelbësor, por inkuadrimi I kësaj akuze në raport jep të besojë se akuzat e rryshfetit dhe pengimit të hetimit janë të pamjaftueshme.

Statistika e presidencës amerikane bën të besojë se në SHBA ka një segment shumë të fuqishëm që quan politikë normale bombardimin e vendeve të tjera.

Çdo president që nga Regani ka bombarduar të huajt pa ndonjë justifikim legal. Secili prej tyre ishte në kushtet e impeachment për këtë çëstje. Por nuk kemi dëgjuar ndonjë thirrje për impeachment nga liderët e Kongresit mbi këto premisa. Në vend të kësaj ne tani kemi një proces të udhëhequr nga dëshira për të dënuar një president që nuk provokon luftë, vijon autori.

Teza e një politike të jashtme të militarizuar nuk është e re dhe ajo asociohet përherë me fuqitë e mëdha. Por largimi nga skena i Trump në këtë mënyrë, kaq pranë zgjedhjeve të reja në fakt është i dyshimtë. Trump megjithë zhurmën që provokon ngado që shkon ka arritur të neutralizojë të gjitha akuzat ndaj tij edhe pse në nivel organizativ ka krijuar jo pak probleme. Por akuza kryesore ndaj tij, ajo se ai është rrezik për Qytetërimin, e artikuluar edhe nga zëdhënës mjeranë dhe çirakë shumëpërdorimësh nga gjithfarë vendesh, është e rrëzuar tërësisht. Ndoshta Trump nuk meriton Nobelin e Paqes si dikush tjetër që përdorte dronët kundër civilëve, por ai nuk meriton as akuza të kësaj natyre. Sepse qytetërimi ka mësuar një gjë: rreziku më i madh ndaj tij vjen nga moralistët, nga dhaskalët e moralit që veshin të gjitha kostumet për të hedhur hi syve njerëzisë.