Gjatë luftës së fundit në Kosovë në vitet 1998-99, u vranë mbi 1 mijë fëmijë. Shumë prej tyre u vranë dhe u gjymtuan edhe pas mbarimit të luftës, kryesisht nga minat dhe mjetet tjera shpërthyese. Të premten, më 4 qershor, shënohet Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve Viktima të Agresionit.

Elmi Xhema nga Komuna Shtime e Kosovës ishte vetëm 12-vjeçar kur humbi këmbën dhe dorën e majtë.

Ishte maj i vitit 2001, kur ai shkeli në një minë të vendosur nga ushtria serbe në oborrin e shtëpisë së tij, gjatë kohës së luftës.

Ju pëlqen!

Elmiu tash 32-vjeç luan basketboll në oborrin e shkollës ku kishte vijuar mësimet deri në klasën e pestë.

Që nga dita kur shkeli në minë, ai e braktisi shkollën dhe nuk u kthye më kurrë.

“Kur dola nga shtëpia të luaj….edhe hasa në minë, rashë në të, më nuk dita asgjë, veç më është zbardhur. Tani të shtëpisë kanë dalë të shohin se çka është bërë, pastaj nuk kam ditur asgjë deri kur më kanë dërguar në spital….e kam marrë vesh se çka ka ndodhur me mua. Pasi më ndodhi kjo, nuk kisha vullnet(për shkollë), më humbi motivi dhe e lashë krejt”, rrëfen Xhema.

Protezën e parë të këmbës e bëri në Gjermani me ndihmën e një organizate humanitare gjermane, pasi familja e tij 9-anëtarëshe nuk kishe mundësi të financonte shërimin e djalit të saj.

“Ka qenë njëfarë gëzimi kur kam filluar të ec, ta lëshoj këmbën (në tokë), sepse e kam pasur njëfarë frike ta lëshoj”, tregon ai.

Fatin e Elmiut e kanë pasur edhe shumë qytetarë të tjerë në Kosovë, të cilët në vitet e pasluftës pësuan nga minat.

Sipas Shoqatës së të Plagosurve Civilë nga Minat, rreth 2.100 persona u plagosën nga mjetet shpëthyese pas mbarimit të luftës. Rreth një mijë prej tyre ishin fëmijë.

Njëqindetetëmbëdhjetë persona kanë humbur jetën nga minat dhe 450 të tjerë kanë humbur këmbët, duart ose sytë.

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.