Si e mori vesh nëna e tij se isha shtatzënë, si e çmendur më bërtiti dhe më tha të abortoja! Më akuzoi se të gjitha i kisha planifikuar që ta fitoja “vizën” për të hyrë në familjen e tyre të pasur. I dashuri im i dëgjonte me ligësi fyerjet që m’i bënte ajo dhe nuk fliste asnjë fjalë, shkruan për Portalin tonë Jeta, nga Peja.

Albani ma pat dhënë unazën e fejesës para pesë muajsh, babait tim i tha se ishte duke u përgatitur për dasmë, kurse prindërit e tij as që ishin në dijeni për fejesën tonë!

E shikoja me mosbesim, më dukej se ëndërroja, se nëna e tij e nënçmonte dikë tjetër e jo mua. Ai heshte dhe nuk e thoshte asnjë fjalë… Dhe, me heshtjen e tij të ligë i tha të gjitha… Shikimin ma mjegulluan lotët që rrodhën si shiu më i rreptë i vjeshtës, kurse nëna e tij më thoshte me ironi: “Qaj sa të duash, prindërit tu le të merren me ty!”.

Dhe, shkau i lotëve të mi nuk ishin vuajtjet, por inati me veten time se si isha mashtruar aq keq… U kisha besuar, e ata nuk e meritonin besimin tim…

Dy vjet isha me Albanin, e kur u desh të bëhem anëtare e familjes së tyre, më flakën si një leckë!

Gati ta humbja edhe foshnjën…

Prindërit më kanë dashur e mbajtur në pëllëmbë të dorës. Por, para dëshirave të mia ka qenë gjithnjë fjala e babait tim dhe këshillat e nënës.

Kur hyri Albani në përditshmërinë time, e njoha me prindërit e mi. Nuk më pengonin të dilja me të, por për ta ishte me rëndësi të kthehesha në shtëpi dhe të mos u jepja shkas farefisit të flisnin për mua. Isha e dashuruar marrëzisht, i besoja dashurisë dhe premtimeve të tij. Por, kur m’u desh më së shumti, në vend që ta dëshmonte dashurinë, princi im i ëndrrave, mungonte. I mungonte forca ta vazhdonte lojën, të cilën vetë e kishte nisur. Sikur iu frikësua familjes së vet! E dija se ai ende nuk i kishte përfunduar studimet, ashtu siç ishte rasti edhe me mua. Të dy ishim të papunë… Për të gjitha këto ne ishim të vetëdijshëm kur e filluam lidhjen tonë… Ai më premtoi se askush s’mund të na ndante…

E, kur nëna e tij më tha të abortoja, nuk qe i zoti ta kundërshtonte, s’kishte fuqi të qëndronte në anën time…

Vendosa të mos abortoja…

Mbeta e vetmuar dhe e vendosur të mos abortoja. Edhe prindërit e miratuan vendimin tim. Nëna e përjetoi rëndë, sepse i tërë farefisi ynë që ndodhej në fshat fliste për shtatzëninë time.

Ndërkohë u sëmura. Mjekët më propozuan të shtrohesha në spital, në mënyrë që ta ruaja shtatzëninë time. Të gjithë më ngushëllonin, por Albani, e që më duhej më së shumti, nuk dukej askund! Nuk ekzistonim për të as unë e as fryti im që e mbaja në bark.

A thua, kishte një gur në vend të zemrës?

Loja e fatit më bëri të vetmuar. Ndjeva vuajtje dhe zbrazësi në shpirt. Megjithatë, ende shpresoja se ai do më kthehej, prandaj përmblodha fuqitë e fundit dhe iu afrova telefonit. Mezi mora zemër dhe i thash: “Alban, të gjithë po më rrinë mbi kokë, veç teje…”.

“Më harro mua dhe numrin e telefonit tim!”, ma ktheu me mospërfillje.

“Po-po, do të të harroj, edhe pse dashuria ime për ty nuk ishte gënjeshtër, ashtu siç nuk është edhe fryti që e mbaj në bark”, ia ktheva dhe e mbylla telefonin.

A thua, a mendoi ndonjëherë se sa shumë vuajtje më shkaktoi?

A ishte e mundur t’i kishte harruar aq shpejt ato dy vjet të mrekullueshme së bashku?

A është e mundur të ketë aktruar?

Apo, ndoshta, ishte i pafuqishëm për vështirësitë që sjell jeta?