Të dielën në mesditë një grua ishte cak i një sulmi fizik, të cilin e ushtroi ndaj saj një burrë në një market në Prishtinë. Pamjet e rrahjes brutale u publikuan në media pasditen e së hënës, të cilat nxitën reagime të shumta gjithandej në rrjetet sociale.

Policia e Kosovës në raportin 24 orësh të së hënës kishte njoftuar për rastin, të cilin e ka cilësuar si “Lëndim të lehtë trupor”.

Por sot, shkruan MekuliPress, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se personi i cili ka ushtuar dhunë fizike ndaj gruas në market po dyshohet për veprën penale “Sulm” dhe se për të njëjtin ka kërkuar t’i shqiptohet masa e paraburgimit.

Ju pëlqen!

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Departamenti i Përgjithshëm, me aktvendim të prokurorit të shtetit ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh personin me inicialet F.B., për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale ‘Sulmi’, nga neni 184 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Rasti ka ndodhur më 24.10.2021, në njërin market në Prishtinë, ku personi i lartcekur dyshohet se me grushte ka sulmuar një grua dhe të njëjtës i ka shkaktuar lëndime trupore, me ç’rast e dëmtuara ka pranuar trajtim mjekësor, andaj prokurori i shtetit, më 25.10.2021, ndaj të dyshuarit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente”, ka bërë të ditur Prokuroria.

Lidhur me këtë rast Rrjeti i Grave të Kosovës, në një përgjigje për Telegrafin ka thënë se gratë nuk janë të sigurta askund, dhe se në shoqërinë tonë vazhdon të mbizotëroj mentaliteti patriarkal.

“Dhuna iu ndodh grave pikërisht vetëm pse janë gra. Dhuna ndaj grave nuk është e shprehur vetëm brenda ambienteve shtëpiake por kudo dhe ndaj secilës grua. Gratë tashmë nuk janë të sigurta askund në Kosovë. Mentaliteti patriarkal që mbizotëron në shoqërinë tonë ua lejon burrave të zotërojnë pushtet dhe me këtë mendësi ata besojnë që kanë të drejta më shumë se gratë, në këtë rast duke pretenduar se hapësira publike iu takon burrave dhe gratë duhet të ua lëshojnë hapësirën atyre”, thuhet në përgjigjen e RrGK-së.

RrGK më tej ka kërkuar nga institucionet e drejtësisë që ta hetojnë këtë rast dhe personi përgjegjës të dënohet sipas ligjit.

Kujtojmë se viktima në këtë rast ka pësuar lëndime trupore dhe ishte dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Kështu kishte njoftuar policia në raportin 24 orësh të së hënës.

“LËNDIM I LEHTË TRUPOR-Prishtinë, 24.10.2021 – 14:20. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për tretman mjekësor në QKUK, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, ka bërë të ditur policia.

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.