Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, sikur nuk është mjaftuar me përplasjet e dikurshme me komandantin e Koshares, Anton Quni.

Haliti edhe njëherë i është kthyer Anton Qunit, tashmë Ministër i Mbrojtjes në ‘Qeverinë Kurti’, duke deklaruar se kinse ky i fundit edhe në të kaluarën është propozuar për Ministër të FSK-së, por që ndërkombëtarët e kishin penguar një emërim të tillë.

“Kam dëgjuar se Fatmir Sejdiu e ka pasur të preferuar Antonin për Ministër, por që ndërkombëtarët nuk e kanë pranuar”, ka thënë Xhavit Haliti, ditë më parë.

Ndoshta ju pëlqen!
Loading...

Mirëpo, këto deklarime të Haliti të PDK-së, janë demantuar menjëherë nga ana tjetër. Përfaqësues të lartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë deklaruar se partia e tyre nuk ka njerëz të tillë.

Kurse, bashkëpunëtorët e Anton Qunit për gazetën “Bota sot”, kanë thënë se arsyeja e këtyre deklaratave nga ana e anëtarit të PDK-së mund të jetë edhe humbja e pushtetit të Shtabit të Rognerit, me që rast si pasojë e kësaj edhe po nxjerrë në pah humbjen toruas së Xhavit Halitit.

Haziri: Ne nuk kemi njerëz të tillë në LDK

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, duke folur lidhur me deklaratën e Xhavit Halitit, ka mohuar se ka pasur një vërejtje nga ndërkombëtarët për Anton Qunin.

“Është një fakt se Anton Quni e ka lëshuar forcën e sigurisë, dhe për një kohë ka qenë këshilltar për siguri në presidencë gjatë kohës së presidentit Fatmir Sejdiu, dhe pastaj largimi i presidentit nga zyra shkon me staf dhe mandej është angazhuar politikisht në LDK, dhe në listën për deputetë, i ka fituar zgjedhjet”, ka thënë Haziri, përcjell “Bota sot”.

I pyetur nëse Anton Qunin nuk e pranuan ndërkombëtarët për ministër, nënkryetari Haziri shprehet se LDK-ja nuk ka njerëz të tillë.

“Ne nuk kemi njerëz të tillë në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Nuk e di në çfarë informacione është bazuar Xhavit Haliti, por ne nuk kemi njerëz të tillë, dhe Anton Quni është një prej njerëzve që në lideship nuk ka pasur probleme të tilla”, ka shtuar Haziri, përcjell “Bota sot”.

Kajtazi: Anton Quni është personi i dëshmuar kombëtarisht

Ish-anëtari i Ministrisë së Punëve të Brendshme në qeverinë e paraluftës në Kosovë, Fadil Kajtazi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se ministri Anton Quni është personi i dëshmuar kombëtarisht.

Sipas tij, cilësitë e figurës së tij e bëjnë Anton Qunin personin më të përshtatshëm për të qenë ministër.

“Ajo që vlerësoj është se Kolonel Anton Quni është personi i dëshmuar kombëtarisht dhe profesionalist. Cilësitë e figurës së tij e bëjnë personin më të përshtatshëm për të qenë Ministër i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës”, ka thënë Kajtazi.

Tutje, Kajtazi shton se Ministri i Mbrojtjes ka “negative”, dhe që mund t’i pengojë dikujt është vetëm një aktgjykim i Gjykatës se Nishit, ku ai atë botë ishte dënuar për shkak të pjesëmarrjes në luftime kundër forcave serbe.

“ Ajo që kolonel Anton Quni ka “negative” dhe që mund t’i pengojë dikujt është një aktgjykim i Gjykatës se Nishit me të cilën zoti Quni dënohet për shkak të pjesëmarrjes në luftime kundër forcave policore dhe ushtarake të Serbisë”, ka shtuar, Fadil Kajtazi, për gazetën “Bota sot”.

Bajraj: Humbja e pushtetit të të Shtabit të Rognerit, nxjerrë në pahë humbjen toruas së

Ndërsa, analisti politik, Fatmir Bajraj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, është shprehur se arsyeja e këtyre deklaratave nga ana e anëtarit të PDK-së mund të jetë edhe humbja e pushtetit të Shtabit të Rognerit, me që rast si pasojë e kësaj edhe po nxjerrë në pah humbjen toruas së Xhavit Halitit.

“Anton Quni, ky ushtarak i karrierës, ushtar besnik i atdheut dhe i çlirimit të Kosovës, u shqua në beteja me armikun shekullor në vija fronti dhe në beteja dhëmb për dhëmb më forcat pushtuese serbo-sllave, i rreshtuar në hierarkinë subrdinuese të komandimit institucional dhe shtetëror të Republikës së Kosovës, pra si ushtar i UÇK-së në kuadër të FARK-ut me Komandant Suprem, presidentin Rugova dhe Ministër lufte, Kolonel Ahmet Krasniqi. Anton Quni, ishte bashkëluftëtarë i heronjve të Kosovës në luftën për liri, strategët dhe luftëtarët me nam, komandantët, Sali Çekaj e Agim Ramadani të rënë në altarin e lirisë në Betejën e Lavdishme të Koshares legjendare”, ka thënë Bajraj.

Tutje, ai deklaron se Quni si ushtarak profesionist dhe si një njeri i virtyteve të larta njerëzore dhe kombëtare, luftën për liri, e kishte të shenjtë dhe amanet të brezave, duke luftuar forcat armike në vija fronti, kurrë s’ka shkel ligje lufte e konventa ndërkombëtare të luftës, dhe këtë gjë e di mirë krye-shtabisti i Rognerit bashkë me shokët e tij të ‘idealit’.

“Anton Qunin nuk ka furtunë që e lëkund dhe nuk ka stuhi që e tundon, pavarësisht tendencës obstruksioniste të sabotuesve të luftës për liri, siç është Shtabi i Rognerit, në krye me Xhavitin, Azemin, Kadriun e Hashimin. Përpjekja e ulët, denigruese dhe linçuese ndaj personalitetit të Qunit, është e destinuar të dështojë edhe kësaj radhe, dhe e njëjta lexohet si një ofshamë dëshirimi dhe thyerje për humbjen e pushtetit dhe frikën nga Gjykata Speciale për krimet kundër shqiptarëve dhe atdheut të tyre. Shpifjet, truqet dhe insinuatat e ‘Rogneristëve’ dhe veçanërisht të Xhavit Halitit për Anton Qunin, janë qëllimkëqija dhe tendencioze, dhe të njëjtat do i kthehen bumerang Xhavit Haliti me shokë”, ka deklaruar ai.

Me tej, ai shprehet se është vet Haliti që është në listat e zeza të shërbimeve informative të shteteve perëndimore.

“Vet Haliti dhe Shtabi i Rognerit, në kuadër të cilit ishte edhe SHIK-u famëkeq, ishin dhe janë në listat e zeza të shërbimeve informative të shteteve perëndimore që ndihmuan çlirimin e Kosovës dhe lirinë e shqiptarëve, për krime lufte dhe shkelje të konventave ndërkombëtare të luftës. Paslufta, nxori në shesh fytyrën e vërtetë të Halitit, me vrasjet politike të bashkëpunëtorëve të Presidentit historik Rugova, që nga Ministri i Mbrojtjes, kolonel Ahmet Krasniqi dhe deri të komandant Smajl Hajdaraj e Koloenl Tahir Zemaj”, tha Bajraj.

Ai gjithashtu shton se, “ministrat e LDK-së në ‘Qeverinë Kurti’, përfshi këtu edhe Anton Qunin, janë ministra të spikatur të fushave dhe resorëve që mbulojnë, me një dije dhe eksperiencë unike, por ajo që u mungon dhe do tu mungojë gjithë jetën, është përvoja e Xhaviti Halitit me shokë, në krim të organizuar, nepotizëm dhe në vrasje dhe e eliminim të kundërshtarëve politik, para gjatë dhe pasluftës si dhe në kapje të shtetit nga Pronto-mafia në krye me Xhavit Halitin dhe kompaninë e tij”.

Latifi: Kështu nuk i shërbehet informimit të drejtë të shqiptarëve të kudondodhur

Kurse, veprimtari i LDK-së, Haki Latifi, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se të tilla deklarata janë dhënë vazhdimisht, duke treguar edhe për gënjeshtrat falsifikuese, deri në mohimin e ekzistencës të Forcave të Armatosura të Republikës të Kosovës.

“Vazhdimi me gënjeshtrat falsifikuese, deri në mohimin e ekzistencës të Forcave të Armatosura të Republikës të Kosovës (FARK), mendoj se nuk i bënë nder askujt. Ndërsa pjesë e këtij falsifikimi të historisë është edhe vet Xhavit Haliti me shokë të LPK-së të rreshkur me ideale staliniste. Ku, me deklaratat e tij që janë aq banale lidhur me formacionet të FARK-ut, njeriu kujton sikur ngjarjet e luftës për çlirimin e Kosovës të jenë zhvilluar në kohët e lashta dhe jo në kohën digjitale”, ka thënë fillimisht Latifi.

Ai shpjegon se përpikëmëria e Qunit dhe të tjerëve në betejat e luftës treguan se ata e udhëhoqën me sukses luftën në Koshare.

“Fal përgatitjeve të këtyre formacioneve të FARK-ut në mënyrë profesionale nën udhëheqjen e ish-ministrit të Mbrojtjes Kolonel Ahmet Krasniqi aksionet për thyerjen e kufirit ndërshqiptar, në Koshare, ishin veprim ekskluziv i ushtarakëve të FARK-ut. Këtë e dëshmojnë me përpikëri edhe ushtarakët si Rrustem Berisha, Anton Quni, Xhafer Gashi etj. bashkë me heronjtë e luftës Salih Çekaj, Agim Ramadani, në të cilën e udhëhoqën me sukses luftën në Koshare. Rrëfimet e këtyre duhen të merren si të bazuara në fakte, sepse janë kallëzime të përjetuar, janë protagonistë të Betejave të luftës”, shpjegon ai.

Tutje, ai shprehet se deklaratat se ndërkombëtarët e kanë penguar për një emërim të tillë si Ministër i Mbrojtjes mendon se bien ndesh me deklaratat e LDK-së dhe vetë Anton Qunit.

“Të dalësh tani me deklarata se nuk ka luftuar FARK-u, ose Anton Qunin, ndërkombëtarët e kanë penguar për një emërim të tillë si Ministër i Mbrojtjes mendoj se bien ndesh me deklaratat e LDK-së dhe vetë Anton Qunit. Ku përveç se Anton Quni është Nënkryetar i LDK-së, ai udhëheq edhe Degën e LDK-së në Prizren në të cilën përherë të parë falë angazhimit dhe besimit tek qytetarët e Kosovës, vetëm nga LDK-ja në Prizren në zgjedhjet e fundit fitojnë për deputet: Anton Quni, Driton Selmanaj, Haxhi Avdyli, Hatim Baxhaku dhe Xhavit Ukaj”, është shprehur Latifi.

Krejt në fund ai ka theksuar se kështu nuk i shërbehet informimit të drejtë të shqiptarëve të kudondodhur, madje me bindje e konfirmim faktik, deklaron se FARK-u ekzistencën e tij e ka dëshmuar e faktuar në Betejat e Loxhës nën udhëheqjen e Kolonel Tahir Zemës, ashtu edhe në Koshare dhe tërë Kosovën, ku me tytën e armëve luftuan për çlirimin e Kosovës nga pushtuesi serb, duke e ditur se garda si pararojë e 16 oficerëve të FARK-ut, kishin përgatitje superiore, ishin diplomantë të Akademisë Ushtarake, madje, disa syresh eprorë me grada të larta ushtarake.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. Na ndihmoni!