Kur topi të rrokulliset prej orës 19:30 në Torino-Parma, tifozët europianë të futbollit do të kenë fat: tri ligat kryesore, që u pezulluan nga Covid-19, do të kthehen në veprim. Me përjashtim të Ligue 1, të mbyllur para kohe, garat e tjera kombëtare do të shijojnë emocionet e munguara për më shumë se dy muaj e gjysmë, në kërkim të verdikteve sezonalë. Disa ditë pasi Napoli fitoi me penallti Kupën e Italisë, kundër Juventusit, mbetet të shihet nëse do të ndikojë ky dështim në luftën e bardhezinjve për të nëntën “Scudetto” radhazi.

Beteja treshe në Itali
Pas Bundesliga, La Liga dhe Premier League, sot e ka radhën të rifillojë Serie A. Është ndoshta liga më e dashur dhe e ndjekur nga shqiptarët, për shumë arsye. Gjermania e ka zyrtarizuar kampionin, edhe pse kampionati vijon. Trofeu është nisur drejt duarve të Bayernit. Edhe në Angli, titullin e ka siguruar praktikisht Liverpool për muaj me radhë. Në Spanjë ka rivalitet të plotë mes katalanasve dhe madrilenëve, ndërsa Seria A do të tërheqë më shumë sy se kurrë, sepse midis liderit, Juventusit, dhe të dytit, Lazio, ka fare pak pikë diferencë. Nëse përveç tyre, Interi fiton ndeshjen e shtyrë (para Covid-19) kundër Sampdoria, atëherë do të afrohet me 6 pikë nga kreu.

Kujtojmë se mbeten për t’u luajtur edhe 11 ndeshje në Itali, me avantazhin e Antonio Conte që në javën e 34-t, Juventusi dhe Lazio do të përballen me njëri-tjetrin. Kësisoji, skuadra zikaltër do të ketë një mundësi të shkëlqyer për ta vijuar luftën e titullit deri në fund të sezonit. Ka mjaft dilema për Juventusin e Maurizio Sarri, i cili pas rikthimit në veprim është shfaqur si një hije e trishtuar e asaj që ishte. Kundër Milanit, në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë, dhe në finalen kundër Napolit, secila të mbyllura 0-0, “Zonja e Vjetër” mbeti “thatë”, dy ndeshje radhazi pa shënuar gol.

Ju pëlqen!

Kjo nuk ndodhte që nga tetori 2015. Ky rekord i dobët është më domethënës, nëse marrim parasysh rolin e keq që Cristiano Ronaldo ka pasur në të dyja barazimet. Kundër Milanit ai humbi një penallti, në kohën e rregullt të lojës (e dyta me fanellën bardhezi); ndaj Napolit nuk e pati mundësinë të godiste nga pika e bardhë, sepse nuk iu dha mundësia të ishte vendimtar (në të pestën).

Përveç kësaj, për herë të parë në karrierën e tij ai humbi dy finale radhazi: Superkupën e Italisë kundër Lazio në dhjetor dhe atë të Kupës së Italisë, të mërkurën, kundër Napolit. Madje, vetë Sarri guxoi t’i niste një “shigjetë” yllit të tij pas humbjes kundër napolitanëve: “Cristianos i mungon madhështia që i ka lejuar t’i bëjë gjërat në mënyrën më të mirë”. Portugezi, përveç kësaj, është i dyti në garën për “Këpucën e Artë” të Serie A. Më konkretisht, e sheh veten me 6 gola më pak se Ciro Immobile, një nga arkitektët e sezonit spektakolar të lacialëve.

Lazio e pandalshme
Na duhet të kthehemi shumë pas, në shtator të vitit të kaluar, për të gjetur humbjen e fundit të Lazio, pikërisht në vizitën e saj tek Interi (1-0). Për fat të mirë për kryeqytetasit, në ndeshjen e fazës së dytë ata mposhtën Milanin (2-1) në “San Siro”. Bardhekaltrit kanë golaverazh më të mirë edhe se kryesuesit e Juventusit, të cilët i mposhtën 3-1 në fazën e parë, pak para se ta përsërisim triumfin në finalen e Superkupës së Italisë (3-2). Gjithçka mund të përfundojë në një duel të ri mes të dyve, planifikuar në javën e 34-t të Serie A. Aty do të ndahet “torta” e një sezoni të shkëlqyeshëm për kryqeytetasit e Igli Tares.

Beteja për “Këpucën e Artë”
Në 12 javët e mbetura të Serie A, përveç titullit, duhet të vendoset edhe golashënuesi më i mirë. Për momentin, Cristiano Ronaldo është 6 gola pas Immobile. Ciro, para ndërprerjes së kampionatit, shënonte mesatarisht një gol për çdo 80 minuta lojë. Ai ka shumë gjasa të thyejë rekordin e 36 ​​golave, të vendosur nga Higuain në Serie A, në sezonin 2015-2016. Sulmuesi i Lazio garon edhe për “Këpucën e Artë” në Europë. 31 golat, që Lewandowski ka shënuar e bëjnë atë favorit.

Për fat të mirë për Ciro, polaku i Bayernit ka edhe 2 ndeshje në dispozicion, krahasuar me 12 ndeshjet, në të cilat bomberi bardhekaltër mund të rrëmbejë kreun, duke fituar dy “Këpuca të Arta”, në Itali dhe kontinent. Pra, Seria A kthehet 100 ditë më vonë, pa tifozët në stadiume, por me garën më të fortë të titullit në Europë. Më shumë se tre muaj më vonë, tashmë mund të shijojmë sërish emocionet e njërit prej kampionateve të futbollit më të bukur në botë, natyrisht mmë të ndjekurin nga shqiptarët. Sepse atje luajnë edhe mjaft shqiptarë, nga ata kuqezinj…

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!