Deputeti i LVV-së, Fitim Uka ka njoftuar se ka rezultuar pozitiv me COVID-19.

Përmes një postimi në Facebook, Uka ka deklaruar se që nga dita e diele kishte simptoma të koronavirusit ku edhe ishte izoluar me rekomandim të mjekut teksa thotë se pak më parë ka marrë rezultatet e testit nga IKSHPK me ç’rast rezultoi pozitiv.

“Që nga e diela më janë shfaqur simptoma të COVID-19. Me rekomandim të mjekut jam izoluar dhe kam respektuar këshillat me përpikëri. Pak më herët kam pranuar telefonatën nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, për të më konfirmuar se rezultati i testit tim për Covid-19 është pozitiv”, tha ai.

Uka thotë se po të njëjtat simptoma si ai i ka edhe gruaja e tij Yllka.

Sipas tij qytetarët duhet ti ndjekin rekomandimet e IKSHPK-së pasi që thotë se ballafaqimi me COVID-19 nuk është i lehtë.

 

“Kushdo që ju thotë se është lehtë të ballafaqoni COVID-19, ju gënjen. Kështu që, ndiqni rekomandimet e IKSHPK-së dhe ruani shëndetin tuaj dhe të familjes”, potencoi Uka.

https://www.facebook.com/fitim.uka.75/posts/10158705579853185