Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, duke komentuar rezultatin zgjedhor ku kjo parti doli e para,  tha se qytetarët e Kosovës kanë votuar për ndryshimin dhe kanë besuar në Lëvizjen Vetëvendosje.

Ai tha se ky besim i qytetarëve erdhi për dy arsye, e para sepse i kanë besuar projektit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe e dyta keqqeverisja në vazhdimësi  nga të gjitha qeveritë e deritashme.

“Qytetarët e Kosovës e kanë bërë ndryshimin jo pse nuk e kanë dashur edhe më herët, por tashmë e kanë bërë  shumë më të qartë se kush është adresa e ndryshimit dhe Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të mbetet adresa e ndryshimit pozitiv në Kosovë, gjithsesi edhe adresë e besimit të tyre e shpresës se diçka në këtë vend të ndryshojë për të mirë në këtë vend”.

“Pra arsyeja kryesore pse ne kemi dalë fitues është për shkak se qytetarët i kanë besuar projektit tonë, ana tjetër e medaljes mund ta quaj edhe kushtimisht edhe keqqeverisja në vazhdimësi e të gjitha qeverive të mëhershme. Kjo tash ka treguar edhe një herë që fuqia më e madhe është në duart e qytetarëve dhe çfarë ata dinë të bëjnë nganjëherë as nuk mund të imagjinohet”, tha Selimi.

Por, pavarësisht që dolën të parët në garën për qeverinë e re, Lëvizja Vetëvendosje fitoi me rezultat të ngushtë e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me rreth 5 mijë vota dallim në rezultatet preliminare të shpallura nga Komisioni Qendror Zgjedhor dhe për këtë do t’i duhet një partner për të qeverisur me vendin.

Selimi  thotë se me LDK-në asnjëherë nuk i kanë ndërprerë bisedimet për bashkëqeverisje.

“Me Lidhjen Demokratike të Kosovës nuk është që kemi diskutuar tash për herë të parë, ne kemi pasur bisedime në vazhdimësi edhe për para zgjedhjeve duke kërkuar që të kemi një mazhorancë të përcaktuar paraprakisht  me koalicion parazgjedhor, rrethanat ishin të tilla që ne shkuam veç e veç megjithatë ne prapë dolëm të parët, por asnjëherë nuk i kemi ndërprerë bisedimet madje e kemi thënë qysh para zgjedhjeve që ne pavarësisht që nuk po shkojmë  në koalicion parazgjedhorë kjo e nënkupton koalicionin paszgjedhor për shkak të qëndrimeve të dy palëve në këtë rast”.

Selimi u shpreh kundër çfarëdo bashkëpunimi me Listën Serbe sa i përket bashkëqeverisjes.

“Sa i përket bashkëpunimit me Listën Serbe ne i respektojmë komunitetin  serb në Kosovë. Lista Serbe vazhdon të mbetet institucion paralel i Serbisë në Kosovë dhe nuk shoh asnjë lloj bashkëpunimi me ta”.  

Selimi i pyetur lidhur me rastin ku anëtari i kësaj partie, Sali Zyba e kërcënoi publikisht Shpend Ahmetin, tha se nuk është i njoftuar me rastin, por që Lëvizja Vetëvendosje nuk kërcënon askënd dhe tani duhet të punojnë.

“Nuk kam njohuri për këtë, mund të jem i mangët për njohuritë e mija sa i përket këtij problemi. Por asesi as nuk kërcënojmë e as s’ka arsye për kërcënim  askënd, në këtë rast ne duhet të punojmë”, tha ai. /MekuliPress/ Nëse e keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj!