PRISHTINË – Sot në Prishtinë, vetëm një ditë pas formimit të Qeverisë së re, Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar mënyrën se si është zgjedhur ajo, si dhe bashkëpunimin e koalicionit qeverisës PDK-LDK me Listën Serbe për krijimin e Qeverisë së re. Kryeministri Isa Mustafa, për plotë tre muaj u kishte rezistuar kushteve të Vetëvendosjes për të mirën e Kosovës dhe për një kurs të ri të shtetit, deri më datën 10 shtator të këtij viti, ndërsa kushtet e Listës Serbe, përkatësisht të Beogradit, Mustafa e Thaçi i pranuan brenda natës.

“Përmbajtja e Marrëveshjes së tyre me Listën Serbe tregon qartë synimin për Federalizmin e Kosovës, duke e ndarë sistemin e saj politik , duke krijuar paritet në çdo udhëheqje institucionale dhe duke e formuar me shpejtësi Asociacionin e Komunave me shumicë serbe” tha Albin Kurti dhe vazhdoi duke e kritikuar me sarkazëm, bashkimin e dy partive të djathta në mënyrë krejt të natyrshme, siç kishin deklaruar liderët e PDK-së dhe LDK-së.

“Të djathtët në Kosovë u bashkuan për t’iu nënshtruar të djathtëve shovinist dhe anti-shqiptarë në Serbi. Të djathtit që thanë se u bashkuan natyrshëm, njësoj, natyrshëm, po iu nënshtrohen të djathtëve më të fuqishëm në Serbi, tamam sikurse në natyrë ku fuqia është ligji” tha lideri i Vetëvendosjes duke theksuar se nga këta të djathtë që u bashkuan në Kosovë, mund të pritet vetëm ndarje e mëtutjeshme e Kosovës.

Bosnja dhe Hercegovina është një shtet që nuk është Republikë, por brenda e ka Republikën Serbe që nuk është shtet. Republika e Kosovës po bëhet një jo-shtet i cili do ta ketë brenda shtetin e Serbisë ende të pashpallur republikë. Gati shtatë vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, po kthehemi në gjendjen që e parashihte formula e Serbisë për Kosovën: “Më shumë se autonomi, më pak se pavarësi”.

Kurti ishte kritik edhe sa i përket premtimeve të Qeverisë së re për zhvillim ekonomik. Ai tha se, varfërim i mëtejshëm i popullit të Kosovës do të vazhdoj dhe se, qysh në fillim të kësaj qeverisjeje, më shumë po ua sheh ‘hairin’ Beogradi se sa Kosova, sepse premtimet e tyre për zhvillim ekonomik dhe vende të reja të punës janë jo reale, ndërsa realiteti kosovar janë pamjet e mijëra të rinjve kosovar që me autobusë nisen drejt Serbisë për në Hungari.

“Në ekspozeun e tij, Mustafa nuk e përmendi as premtimin e PDK-së për 200 mijë vende të reja pune e as premtimin e LDK-së për 120 mijë vende të reja të punës. Kjo Qeveri që rehaton militantët partiak paraqet , jo vetëm problem politik për Kosovën por edhe problem socio-ekonomik për shoqërinë” përfundoi Kurti duke ju bërë thirrje politikanëve dhe diplomatëve ndërkombëtarë që të mos flasin më kundër krimit dhe korrupsionit në Kosovë përderisa e mirëpresin këtë Qeveri dhe koalicion të të korruptuarve në qeverisje, si dhe instalimin e kreut të nëntokës në krye të Kuvendit.

10.12.2014/MekuliPress /

/MekuliPress/ Nëse e keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike.
Loading...
[wpedon id=16879]