Retorika konstruktive dhe identiteti

Gëzim Mekuli
(Trajtesë e publikuar në 2009)

Retorika konstruktive dhe vrapi për të ndikuar në opinion është në ofensivë. Ky vrap nuk është aktual dhe i dukur vetëm në hapësirat shqiptare, por është i dukur në tërë botën. Por, Kosova dhe retorika konstruktive/ndërtuese që është duke u lansuar në këtë vend, është e rëndësisë së veçantë. Është fjala këtu për vendimet politike, vendime të mëdha, të rënda e historike, si për ne, ashtu edhe për politikat gjeostrategjike evropiane.
Kryeretorikasi i pavdekshëm, Lloyd F. Bitzer, në artikullin e tij të famshëm “The rhetorical situation” pohon se publiku ka një rol qendror dhe të rëndësishëm për situatën e retorikës.
Ndodhitë retorike krijojnë ndryshime, duke ndikuar në mendime, vendime dhe veprime te personat. Këta persona mund të kontribuojnë në krijimin e ndryshimeve, e kjo do të thotë se retorika kërkon gjithmonë publikun (Bitzer 1969:7).
Fjalimet e shumta politike në Kosovë, fotografitë, hartat historike që nga fundi i vitit 1999 kanë në shënjestër publikun shqiptar të Kosovës. Në veçanti, kjo retorikë konstruktive është në ofensivë kur kemi të bëjmë me ”decentralizimin” në baza etnike.
Nuk mund të kemi një situatë retorike po qe se nuk e kemi ekzistencën e një publiku. E, publiku retorik përbëhet gjithmonë nga personat të cilët mund të ndikohen nga retorika e dërguesit dhe mu këta, pra publiku, janë ata që kontribuojnë për të ndërmjetësuar ndryshimet. Është fjala këtu për tentim ”dopingimin” e publikut dhe bindjen e tij nga kjo retorikë konstruktive se, kinse, me Kosovën multietnike nuk humbet asgjë. Shtohet pyetja përse Norvegjia nuk quhet “multietnike?” Përse Norvegjia quhet “multikulturore edhe pse këtu jetojnë tri pakica të ndryshme nacionale”?
Në këtë pikëvështrim do citoja retorikasit, Chain Perelman dhe Luice Olbrechs-Tyteca, të cilët pohojnë se publiku nuk është diçka konkrete, e ngrirë dhe e materializuar. Publiku është një konstrukcion i cili është i ndërtuar nga fjalimet politike.[1] Sipas tyre, secili folës (ose folëse) me vetëdije të plotë mendon tek këta persona, që do të thotë se folësi apo folësja përmes fjalimeve politike dëshiron të bindë këta individë. Në rastin tonë secili individ shqiptar në Kosovë përbën publikun dhe, fjalimet politike e retorike u drejtohen vetëm atyre.
Përderisa Perelman dhe Olbrechs-Tytecas nënkuptojnë publikun si konstruksion/ndërtim të folësve, për Bitzer është publiku ai që është në gjendje të funksionojë si ndërmjetësues i ndryshimeve politike; ndryshime që diskursi politik patjetër dëshiron t’i kryejë.

Ndërtimi i publikut
Rilindja e identitetit dhe e simbolit është një faktor relevant. Michael Calvin McGee konsideron popullin si një fiksim retorik. Sipas tij i vetmja gjë reale është individi, ndërsa të gjitha llojet e grupeve tjera në shoqëri janë identike artificiale.
McGee konsideron publikun si një lloj produkti politik, ideologjik dhe retorik. Sipas tij populli është një mit politik, një iluzion. Si shembull për këtë teori do merrja serbët. Këta përmes retorikës dhe gjuetisë pas identitetit të tyre në Kosovë, tentojnë që të ndërtojnë një subjekt të qëndrueshëm ideologjik dhe identitet nacional. Qëllimi është që përmes retorikës konstruktive/ndërtuese të krijojnë një subjekt të ri politik. Pra, një subjekt dhe identitet ekzistues i retorikës.
Në lidhje me retorikën politike të Beogradit dhe qëllimet politike të pakicës serbe në Kosovë, që kanë si pikësynim zbulimin me elemente e momente të ”antikës serbe” në Kosovë, dëshiroj të citoj retorikasin francez Charland, i cili pohon se ”retorika konstitutive/ndërtuese është një element qenësor për qëllimet dhe fushatën nacionaliste dhe politike.[2]
Keni pyetur vehten se përse u hallakatën cetnikët e Serbisë kur panë Hartën historike të lansuar në Beograd, hartë që përmblidhte vilajetet e Shqipërisë etnike? U friguan sepse kjo hartë historike ringjallë dhe ndërton kujtesën kolektive të shqiptarëvet për t’u rikthyer në identitetin e humbur etno-social e etno-politik. Prandaj është më se e rrezikshme pranimi i fjalës serbe nga gazetaria jonë për këtë hartë “Shqipëri e madhe”. Gazetaria e politika shqiptare duhet ta zëvëndësoj produktin serb “Shqipëri e madhe” me fjalën historike “Hartë e Shqipërisë historike”.


Charland pohon se identiteti s’është asgjë tjetër pos prodhim i retorikës dhe se retorika prodhon subjektin politik. Është shumë me rëndësi të ceket ndryshimi i kushtetutës së Serbisë nga Parlamenti serb. Kushtetuta e re serbe përfshin përsëri Kosovën si pjesë të saj. Këtu mund të merret si shembull edhe ”Korniza kushtetuese e Kosovës”, e cila po ashtu ka elemente të retorikës ndërtuese/konstruktive. Edhe kjo ”kornizë kushtetuese” politike ka si qëllim krijimin e disa identiteteve të reja në Kosovë: Ndërtimin e Kosovës me shumë ”përkatësi etnike”.

Retorikasi tjetër, i pavdekshëm, James Boyd White, në lidhje me rolin e legjislaturës juridike në ndërtimin/konstruktimin e identitetit nacional, pohon se ”retorika konstruktive nuk iu drejtohet vetëm anëtarëve të një populli, por m edhe krijuesit të ligjit”. Retorika konstruktive ndërton kornizën për kushtetutën politike. Kjo krijon parametrat për interpretimet e tyre juridike. Keni pyetur se pse Kosova, befasisht, u quajt ”multietnike” dhe pse po tentohet që shqiptarët e Kosovës të identifikohen dhe të quhen me një identitet dhe emër të ri – ”kosovar!?”
Qëllim i ndryshimit të kushtetutës serbe, pos tjerash, është që Kosova të “rrezatojë” dhe të konotojë identitetin dhe simbolin serb. Andaj, edhe jo rastësisht, fjalimet politike, kushtetuta, epika, hartat, kënga dhe mediat masive konsiderohen si elemente retorike me qëllim që të krijohen identitete, kombe e pakica të reja. Ekzistimi i një subjekti social është një efekt retorik. Retorika konstruktive është fundamentale për hemogjenizimin, krijimin dhe sundimin e kombeve.
Në këtë kontekst, do të thosha se nuk ishte aspak diplomatike e as largëhedhëse reagimi i disa opinionistëve dhe analistëve që hartën historike të shqiptarëvet e quanin zhelle, harrën, karikaturë e ndytësirë.


Pse e them këtë?
Charland niset nga ajo se retorika konstruktive ndërton subjektin politik përmes efektit të identifikimit.[3] Këto retorika sjellin një identitet kolektiv për një publik të caktuar. Pra, retorika konstruktive ndërton një audiencë si subjekt në histori dhe kjo retorikë kërkon që subjekti të veprojë sipas identitetit të tij që ia thotë historia e tij – histori e krijuar nga retorika.

Mund të thuhet se në lidhje me identitetin serb në Kosovë ka pikëpyetje të mëdha. Arkeologjia, dokumentet e shumta arkivore në Tiranë, Stamboll, Berlin, e Romë, dëshmojnë se populli shqiptar është autokton në vendin e tij. Këtë fakt, së fundi, e dëshmojnë edhe shumë hulumtues të huaj. Shtrohet pyetja përsëri: Si është e mundshme që miti serb mbi Kosovën të krijohet dhe të ruhet aq gjatë në kujtesën kolektive dhe zyrtare të Serbisë? Edhe këtu përgjigjen e gjejmë në retorikën konstruktive. Dhe ja përse cetnikët e Beogradit u “dogjën” kur panë në qiell identitetin e Shqiptarëvet ne Hartën historike.
Për të krijuar një identitet të ri serb në Kosovë, për të krijuar një kulturë të re serbe në Kosovë, mbretëritë dhe qeveritë serbe me kohë ndihmuan që epika, piktura (fotografia) dhe gojëdhëna serbe të mbetet e shkruar. Këtu nuk u vonua Vuk Karaxhiqi, i cili futi në letër dhe në histori shumë gojëdhëna, thashetheme dhe epika serbe. Pikturat, freskat dhe ikonat e shqiptarëve pas mesjetës u falsifikuan e u rivizatuan dhe u shndërruan në pasuri kombëtare serbe. Të gjitha këto, me një qëllim: Konstruktimi i një publiku dhe një kombi të ri në Kosovë. Andaj edhe retorika mbi mitin ”Kosova – zemra e Serbisë” duhet të shihet nga këndi shkencor i ndërtimit dhe i ndikimit të publikut përmes retorikës konstruktive.
Edhe Charland pohon se retorika konstruktive, për nga bindja, është shumë afër retorikës, sepse para se dikush të mbajë një fjalim para publikut të tij, duhet së pari të formësohet dhe konstruktohet identiteti.
Pse “Kosovo” dhe jo “Kosova”: Është kjo një retorikë konstruktive, e cila i nevojitet lëvizjes serbe për pavarësi në tokën e shqiptarëve, retorikë e cila provon dhe tenton të konstruktoj/ndërtoj identitetin serb në Kosovë, mundësisht edhe përmes copëtimit të saj.

Përsëri, përgjigjen shkencore e gjejmë te kryeretorikasi i pavdekshëm dhe i kohës, Charland. Ky retorikas përmend edhe tekstet e edhe kushtetutën si elemente të rëndësishme në konstruktimin e publikut, pra të një kombi. Janë pra këto tekstet, ligjet, proklamatat, deklaratat, manifestet, po ashtu edhe retorika e mobilizimit dhe e lëvizjeve. Përsëri te kushtetuta serbe: Cilat ishin pasojat e ndërtimit të kushtetutës serbe më 1989 nga Duçe i Ballkanit, Milloseviq? Po sot cilat janë pasojat e ndërrimit të kushtetutës serbe nga ”demokratët” e Beogradit?
Duhet të mos harrojmë se retorika ndërton/konstrukton identitete dhe komunitete legale dhe instalon terminologji për ekzistimin e tyre në vazhdimësi. White përforcon idenë e tij se kushtetuta është krejtësisht retorike, sepse kjo kushtetutë u tregon njerëzve se si këta duhet jetuar dhe vepruar në të ardhmen.
Retorika është si diçka e plotfuqishme: “Retorika konstruktive lejon diçka të re që të futet në këtë botë”, shprehet Charland. Kështu, një komunitet politik apo identitet i ri bëhet i mundshëm.
Ne shqiptarët retorikën konstruktive nuk do të duhej ta përbuzim, sepse kjo fillimisht operon si ideologji, pastaj kuptohet si paraqitje e natyrshme e kategorive të kulturës, ndërsa në fund legjitimon institucionin e fuqisë.

[1] Chain Perelman dhe Luice Olbrechs-Tyteca, 1969:19
[2] Encyklopedia of rhetoric, 2001

[3] Constitutive rhetoric constructs political subjects through effects of identification., Encyklopedia of Rhetoric, Charland 1987.616 – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën e pavarur “MekuliPress”

*** VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët e korruptuar. Askush nuk e kontrollon gazetën dhe kritikën tonë. Ndihmoje MekuliPress - Mbështete median e pavarur kombëtare.
Loading...
[wpedon id=16879]