Retinopatia diabetike, apo sëmundja diabetike e syrit, përfaqëson një gjendje mjekësore, e cila ndodh në sy si pasojë e diabetit mellitus dhe përbën një nga shkaqet kryesore të verbërisë. Ajo prek deri në 80% të pacientëve që vuajnë nga diabeti prej 20 vitesh apo më shumë. Sa më gjatë të ketë vuajtur pacienti nga diabeti, aq më të larta janë shanset që ai të zhvillojë retinopati diabetike në sy.

Si ndikon diabeti në retinë?

Retina është një nga shtresat e syrit që ndodhet në brendësi të tij. Përbëhet nga enë gjaku, qeliza nervore (neurone) dhe qeliza të specializuara që quhen fotoreceptorë që përfshihen direkt në aftësinë e retinës për të dalluar dritën. Aftësia e retinës për të dalluar dritën kërkon energji, që varet nga oksigjeni i siguruar nga qarkullimi i gjakut në enët e gjakut.

Në personat më diabet, nivelet e ngritura të sheqerit të gjakut dëmtojnë enët e gjakut në retinë. Këto enë gjaku të dëmtuara rrjedhin lëng, gjak dhe nuk sigurojnë oksigjen të mjaftueshëm për retinën, duke çuar në ishemi të retinës. Si rezultat, qelizat e retinës fillojnë të vdesin dhe retina nuk është e aftë të funksionojë si duhet. Për më tepër, diabeti dëmton gjithashtu dhe direkt neuronet e retinës. Bashkë, këto efekte shkaktojnë retinopati diabetike.

Humbja e shikimit e lidhur me retinopatinë diabetike fillimisht mund të prekë shikimin qendror, për shkak të një problemi shëndetësor të quajtur edemë makulare diabetike. Kjo enjtje e makulës, një pjesë e retinës përgjegjëse për shikimin e qartë, qëndror, mund të shkaktojë shikim të turbullt dhe shtrembërim të imazheve.

Retinopatia diabetike e avancuar është karakterizuar nga formimi i enëve të parregullta të gjakut që mund të rrjedhin gjak brenda syrit, duke shkaktuar humbje të shpejtë të shikimit. Përkeqësim i mëtejshëm i retinopatisë së avancuar mund të çojë në shkëputje të retinës, që kërkon ndërhyrje të menjëhershme kirurgjikale dhe mund të rezultojë në humbje të përhershme, të pakthyeshme të shikimit nëse nuk trajtohet si dhe kur duhet.

Si mund të parandalohet retinopatia?

Shoqata Amerikane e Diabetit rekomandon që personat me diabet ta mbajnë nivelin e tyre HbA1c (matja e niveleve mesatare të gjakut gjatë 2 – 3 muajve të fundit) poshtë 7%, në mënyrë që të parandalohet risku i komplikacioneve. Ndërkohë që glukoza e gjakut dëmton direkt enët e gjakut të retinës, ka prova të forta epidemiologjike që kontrolli i sheqerit në gjak përkthehet në përkeqësim të ulur të retinopatisë diabetike.

Në mënyrë që të reduktohen komplikacionet kardiovaskulare dhe mikrovaskulare të diabetit, që përfshijnë retinopatinë, nefropatinë (sëmundje e veshkave) dhe neuropatinë (dëmtimi i nervave), rekomandohet që personat të arrijnë dhe të ruajnë një tension normal të gjakut. Reduktimi i tensionit të gjakut mund te vonojë procesin e retinopatisë diabetike. Në mënyrë të ngjashme, menaxhimi i kolesterolit rekomandohet për një menaxhim të përgjithshëm më të mirë të diabetit, por nuk është e qartë nëse kjo redukton riskun e retinopatisë diabetike.