Sa për të parë ngjashmërinë e theksuar në mes sistemit shtetëror në Republikën e Shqipërisë dhe asaj që ndodh në rrëfenjën që tregon Sokrati në Republikën e Platonit (Alain Badiou):

– Bëhet fjalë thjesht për një aventurë detare. Na ishte një herë një petrolierë që kishte për kapiten një tip trupmadh, një tip i mirë por që kishte një cen të vetëm, ishte shurdh, po shurdh fare ama, dhe miop, ama miop fare. Ah, po: edhe njohja e tij në fushën e lundrimit ishte krejt e zbehtë, po aq sa shikimi i tij. E duke parë pazotësinë e tij, marinarët ziheshin mes tyre se kush do të mbante timonin, edhe pse askush prej tyre nuk dinte me drejtu anije. Na kishte dhe një vrimë në hangarin e anijes, aq sa anija kishte lënë pas vetes një shtjellë të gjatë mazuti. Sherroseshin prej ditësh mbi çka duhet të bënin për ta mbyllur vrimën pa mbërritur asgjëkundi. Opinioni i përgjithshëm në anije ishte se nuk lipsej dije për me bë diçka, as të veprohej për me mësu pak nga pak se ç’duhej bërë. Dhe për rezultat, as nuk dihej gjë dhe as nuk bëhej gjë. Dhe tërë marinarët hynin e dilnin në kabinën e kapitenit duke bërtitur me sa kishin në kokë opinionet e tyre, dhe natyrisht, me votë unanime, opinionin më të mirë e kish ai që kishte më shumë zë, e tëra me qëllimin që i varfri njeri t’u jepte drejtimin e anijes dhe detyrën për me mbyllë vrimën. Ja që një ditë, një prej tyre arrin të bindë kapitenin dhe ia zë vendin. Menjëherë, një klikë marinarësh veçanërisht e egër dhe e organizuar u hodh mbi kapitenin, e ngopi në dajak dhe e mbylli në hambar. Kur iu desh që ta mposhtnin dhe njëherë tjetër përdorën opium, pastaj kokainë, e më tej dhe shishe të tëra vodke. E kur i bënë të gjitha, rrëmbyen gjithë ç’gjetën në kabina dhe vendosën të shisnin tërë ngarkesën e karburantit në portin më të parë që do të ndeshnin, të ndanin paratë dhe të shijonin ditët në vazhdim. Me këtë rast edhe petrolierën do ta transformonin në bar opiumi, gjellëtore dhe bordell. Por si me ia bë me mbërrit në port? Petroliera, pa asnjë lloj drejtimi të saktë, shkonte andej-këndej si me qenë anija e dehur e Rimbaudsë. Por kjo nuk e pengonte palën fituese të lëvdonte tërë ata që i bashkoheshin dhe e ndihmonin të forconte pozitat: eh ç’pilot gjigant, eh ç’pilot i hatashëm! shpreheshin ata. Edhe kur anija ngeci më në fund në baltovinën e një limani, kur bashi u thye e kur mazuti viskoz u mori jetën mijëra zogjve në tërë bregun, edhe atëherë nuk e reshtën krenarinë mbi aftësitë e tyre detare. As nuk ia kishin idenë se për me drejtu një anije të madhe do t’u lipsej një dije mbi stinët, yjet, erërat, hartat detare, thellësitë, komunikimet me radio… Jo. Ata mendonin se do t’u mjaftonte pranimi i shumicës së detarëve. Nuk ia vlente me pasë ide. Madje idetë ishin të dëmshme.
Ja pra rrëfenja ime, miq të dashur. Le të hedhim pandehmën se në një kontekst të tillë na del një kapiten i vërtetë, në të cilin janë bashkë vizioni intelektual mbi çka është lundrimi si dhe përvoja e gjatë praktike. Dikush që di t’u drejtohet detarëve aq mirë sa i bind të organizohen me qëllim që ta riparojnë anijen e pastaj ta vënë në punë e orientojnë drejt vendit për ku ishte nisur. Si mendoni se do ta trajtonte klika anarkike në pushtet? A nuk do ta hidhnin tej duke e trajtuar si intelektual të çartur, idealist të lodhur apo ideolog arkaik? 
– Shumë e mundur – thotë Amanta, – kur shohim se si trajtoheni ju nga shtypi dhe televizioni.
– I tillë është saktësisht imazhi që gjendja aktuale e opinionit dhe atyre që qeverisin i rezervon filozofit të vërtetë. Nëse ndokush habitet që filozofi, kur ne dëshirojmë që të gjithë të bëhen si ai, nuk është hiç i nderuar prej opinionit sundues, i rrëfeni historinë e petrolierës, dhe ata do ta kuptojnë se në situatën tonë do të ishte e habitshme, biles krejt e habitshme, po të ngriheshin në majë të ndereve ata pak filozofë që kemi e që e mbajnë trupin drejt në këtë humbamendje gjigante.
– Eh pra – përshpërin Amanta, – kjo do të ishte një petrolierë që nuk vlen vetëm për të ngopur makinat me naftë.
– A ke gjë kundër petrolierave të shpirtit? – reagon Sokrati.
Pastaj kthehet drejt Glaukut:
– Ndërsa ai miku juaj, me ata opinione vulgarë që ka, le të mos na bezdisë më me këto banalitete që i vlerësojnë njerëzit e prirur për filozofi si të padobishëm për masat e gjera popullore! Sepse nëse janë të padobishëm, miku yt bën mirë të marrë inat udhëheqësit si të paaftë që janë me i përdorë e jo vetë filozofët. Ngaqë, sido me qenë, nuk i takon kapitenit t’i lutet detarëve ta pranojnë autoritetin e tij. Po aq e paarsyeshme do të qe, siç mëton poeti fals dhe mashtruesi i vërtetë se
“Në dyert e të kamurve ndalen tërë të urtët.”
Në të vërtetë, i takon të sëmurit, në kamje apo skamje, të trokasë në derën e mjekut. I takon atij që ka humbur në labirintin e jetës të dëgjojë akcilin që di me u orientu. Është absurde me pa një udhëheqës të aftë t’u lutet atyre që në një situatë fatkeqe kanë nevojë për të, të pranojnë që ta marrë ai drejtimin e situatës. Në “demokracitë” parlamentare, ata që kanë pushtetin u ngjajnë detarëve të dehur të petrolierës sonë, ndërsa ata që trajtohen nga detarët si të padobishëm, si intelektualë dhe njerëz “të shkëputur nga realiteti”, po t’i dëgjonim mirë, pikërisht ata do të qenë kapitenët e vërtetë.  – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën MekuliPress

VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët e korruptuar. Askush nuk e kontrollon gazetën dhe kritikën tonë. Ndihmoje MekuliPress - Mbështete median e pavarur kombëtare.
Loading...
[wpedon id=16879]