Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zv.ndihmës Sekretari i Shtetit për Euroazinë, Gabriel Escobar, ka shpjeguar se pse ish-kryeministri Sali Berisha u shpall non grata.

Vendimi për ta përcaktuar atë ishte një vendim institucional. Nuk ishte një vendim individual dhe nuk ishte një vendim politik. Ishte një vendim që ne e morëm për shkak të korrupsionit që gjetëm. Unë do t’u bëja thirrje institucioneve në Shqipëri ta shqyrtojnë këtë. 

Por dua të them, se ne ende kemi partnerë të mirë në Partinë Demokratike, ne duam që Partia Demokratike të jetë një kontribues i fortë dhe i rëndësishëm i stabilitetit politik në Shqipëri. Unë do t’u bëja thirrje mbështetësve të Partisë Demokratike të mendojnë për imazhin që përcjellin, nëse do të kishin në krye njerëz, që janë përcaktuar nga Sekretari i Shtetit për korrupsion.

Ju pëlqen!

Ky është një interpretim pak si ndryshe përkundrejt nënvizimit se Sali Berisha paska minuar të shkretën demokraci në Shqipëri. Qëndrime të tilla dëmtojnë më shumë se çdo gjë marrëdhëniet mes dy vendeve, sepse ato intoksikojnë me mosbesim seriozitetin e ShBA në një pjesë të opinionit shqiptar.

P.sh sot u njoftua se paska nisur dialogu-strategjik mes të dyja vendeve. Mirëpo nëse korrupsioni është element destabilizues për demokracinë siç aludohet te Berisha, çfarë dialogu strategjik po vendos Amerika me një qeveri të cilën ajo e cilëson si “të korruptuar në të gjitha degët”?

Dhe tjetra: nëse të korruptuarit janë të gjithë pro-amerikanë si ta shpjegojmë atëherë këtë afilacion që shitet edhe për imunitet në këto anë?

Nuk po shtyhemi më tej për të karakterizuar qeverinë aktuale, e cila po mbështetet në mënyrë absurde dhe kundërproduktive nga përndimorët, aq sa në fakt kjo që ka ndodhur në këto 9 vjet shënon momentin kur miti i perëndimit ra në Shqipëri. Dhe atë e rrëzoi përkrahja për korrupsionin. Le ta gjejnë më vonë se kush e minoi demokracinë e mekur në këtë vend.

s. zaimi

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot të paktën me 1 Euro!