Artisti holandez, një ndër më të spikaturit në historinë e pikturës, nuk e njohu ndonjëherë mungesën e suksesit në art, por më shumë se çdokush u përball me dëshpërimin dhe dhimbjen. Piktura e tij nuk reflektoi si të vetvetishme jetën gjithë trishtim, por gjithqysh shkaktoi shumë emocione që përzihen me njëra-tjetrën.

Ngjyra të theksuara, gjallëri dhe shumë jetë lëvrin brenda telajove të ndritshme të piktorit, ndërsa tonet e zbehta dhe të errëta “ngatërrohen” bashkë dhe në këtë përpjekje ngadhnjimtare për të treguar, ata shtangeshin duke lënë ato feksje flakëruese drite, që pakohen aty ku syri shterron dhe penelatat rrëzohen në errësirë.

Piktura e lashtë, arti italian dhe flamand i Rilindjes, por edhe memoria artistike e Lindjes së Largët, ishin ndër më të preferuarat. Të thuash se ai nuk u moleps nga këto, është një përpjekje për ta zhvendosur suazën e epsheve të tij krijuese në një syprinë boshe më të rrafshët, por jo.

Në pikturën e Rembrandt-it mund të gjesh detaje nga të gjitha këto rryma, ndërsa në vetvete, arti i tij shumë kompleks përfaqëson stilin e epokës së artë holandeze. Ai u dogj prej asaj llave përpirëse, duke u shndrruar në hi, dhe si një sfinks ai u rilind për të mbetur Rembrand Rembrand van Rijn.

Siç dihet, Rembrand u lind në Leiden të Holandës më 15 korrik 1606, në familjen e një mullixhiu. Familja u interesua aq shumë për edukimin e tij. Sakaq Rembrand nisi studimet në një shkollën latine.

Kur ishte 14 vjeç u regjistrua në Universitetin e Leidenit. Por programi nuk i interesonte, dhe shumë shpejt ai e braktis shkollën për t’iu përkushtuar studimit të artit me mjeshtrin Jacob van Swanenburch dhe më pas në Amsterdam me Pieter Lastman-in, i njohur për profilin historik të pikturave të tij. Pas gjashtë muajsh, pasi përvetësoi gjithçka që i ishte dhënë për të mësuar, Rembrandt u kthye në Leiden ku u vlerësua aq sa në moshën 22-vjeçare mori nxënësit e tij të parë.

Në vitin 1631 Rembrand u transferua në Amsterdam. Martesa e shpejtë me Saskia van Uylenburgh, kushërirën e një tregtari të veprave të artit, nxiti hovshëm karrierën e tij. I’u vu punës së portreteve, por edhe veprave me subjekt mistik dhe fetar, që ishin aq shumë të kërkuara asokohe. Mori famë si mësues i pikturës dhe studioja e tij u mbush me nxënës.

Në shekullin e 20-të shumë studiues i atribuan atij edhe shumë piktura të kolegëve, duke i identifikuar ato me emrin e artistit të madh në një kohë të përfeksionimit të pikturës. Por, krejt në kundërshtim me suksesin e tij në pikturë, jeta familjare mori goditje të rënda.

Që nga viti 1635 deri në vitin 1639 Saskia lindi katër fëmijë, nga të cilët arriti të mbijetonte vetëm djali i fundit, ndërsa ajo vetë vdiq në moshën 30-vjeçare. Hendrickje Stoffels, e cila ishte shërbyesja e familjes në vitin 1649, zëvendësoi figurën e gruas dhe u bë model për shumë piktura të artistit.

Pavarësisht suksesit të tij financiar si artist, mësues dhe tregtar pikturash, prirja për të jetuar në bollëk e detyroi Rembrandin të falimentonte në vitin 1656.

Një koleksion i veprave të artit dhe antikuareve, që u konfiskuan para një ankandi, me qëllim shlyerjen e borxheve të tij, dëshmoi qartë për interesat e Rembrandt-it: piktura e lashtë, arti italian dhe flamand i Rilindjes, piktura e Lindjes së Largët, veprat bashkëkohore holandeze, armët dhe armatimet.

Rezultatet e ankandit nuk ishin të pëlqyera, por probleme si këto nuk ndikuan në punën e tij. Madhështia e artistit u rrit vazhdimisht. E ndërsa jeta e tij personale vazhdonte të ishte e dëshpëruar e pa shpresë, artisti realizoi pikturat më të famshme “Nusja çifute”, “Bathsheba”, “Jakobi duke pagëzuar djemtë e Jozefit”, “Autoportret”.

E dashura e tij e përhershme Hendrickje vdiq në vitin 1663 dhe djali i vetëm Titus vdiq në vitin 1668, në moshën 27-vjeçare. Njëmbëdhjetë muaj më pas artisti i 350 pikturave, 1200 skicave dhe rreth 300 gravurave, vdiq në Amsterdam, tash 345 vite më parë .

Rembrand kishte fatin e shumë gjenive të mëhershme e të mëvonë, të cilat shkëlqejnë me mungesën të gjallë dhe shpërthejnë me prekjen eterne të aktit të krijimit që skalitën në memorine e gjeneratave./albertvataj  /www.mekuliPress.com/  – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën MekuliPress

*** VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët e korruptuar. Askush nuk e kontrollon gazetën dhe kritikën tonë. Ndihmoje MekuliPress - Mbështete median e pavarur kombëtare.
Loading...
[wpedon id=16879]