Kur kanë mbetur edhe pak ditë deri në mbyllje të procesit të regjistrimit të popullsisë në Serbi, shqiptarët e Luginës po trokasin shtëpi për shtëpi që të mos mbetet asnjë qytetar pa u regjistruar. Në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë numri i të regjistruarve e ka kaluar shifrën e 120 mijë banorëve, shifër që rritur shpresat se në këtë numër, mbi 100 mijë janë shqiptarë.

Rrugë më rrugë, e shtëpi për shtëpi, troket nëpër çdo derë. Që nga data një tetori Afrim Abdullahu, ka nisur një detyrë, që për shkaqe të ndryshme, është bërë mjaft delikate. Familja e cila po i bënë atij konak, familja Shahini, është ndër të fundit nga Presheva që po merr pjesë në regjistrimin e popullsisë në Serbi.

Kryefamiljari Selami Shahini është entuziast se bashkë me 10 anëtarët e familjes po e kryejnë një akt patriotik, por shqetësim për kryefamiljarin, mbetet largimi i të rinjve.

“Të rinjtë po largohen me të madhe. Kjo për disa arsye, ndër to vendet e punës. Ata nuk po kanë ku të punojnë, nuk kanë jetë të sigurt, nuk kanë asgjë të sigurt në këtë shtet”, deklaron Shahini për RTV Dukagjinin.

Mund të jenë larguar për në Europë, por vullneti për regjistrim është më i madh se kurrë.

“”Në fshat janë prezent por edhe nga diaspora ka shumë të atillë që kanë ardhur enkas për regjistrim. E ata që nuk kanë mundë për të ardhur i kanë dërguar të dhënat tek familjarët e tyre. Një pjesë dërmuese më kanë gjetur përmes kontaktit mua personalisht”, thotë regjistruesi Afrim Abdullahu.

Me rreth pesë mijë banorë sa janë regjistruar në fshatin Miratoc, Presheva numëron mbi 50 mijë banorë.

“Deri më tash nuk e kemi pasur as më të voglin problem apo incident, ndërsa numri total i të regjistruarve është 57 mijë e 500 deri sot, pra të enjten në orën 12:00 në mesditë”, ka deklaruar Hevzi Ramadani, kryetar i Komisionit për regjistrim në Preshevë.

Nëpër shtëpi e kafene pyetja që shtrohet e diskutohet është se a e kalojnë 100 mijëshin shqiptarët. Regjistrimi i popullsisë në Serbi është pritur me entuziazëm nga shqiptarët. Me secilin që patëm rastin të flasim në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë thanë se shpresojnë që numri i shqiptarëve do të përkthehet në të drejta për ta. Të drejta që Serbia i’ua mohon vazhdimisht”

Aty ku Serbia është angazhuar më shumë në drejtim të pasivizimit të adresave, efekti është vërejtur edhe në regjistrimin e popullsisë.

Në Medvegjë deri tani janë regjistruar afër tetë mijë banorë. Aty mund të jenë më pak shqiptarë por jo edhe në Bujanoc. RTV Dukagjini mëson se mbi 60 për qind e të regjistruarve janë shqiptarë. Ndërkaq sipas instruktorëve qe po marrin pjesa në regjistrim Bujanoci ka kaluar shifrën 50 mijë.

“Në Tërnoc të Madh deri më tani janë regjistruar 10 mijë e 299 persona, pa asnjë problem. Në disa rrethe janë regjistruar rreth 70 për qind e popullsisë. Në gjithë Bujanocin janë regjistruar 52 mijë e 342 persona”, ka thënë në një përgjigje me shkrim Arbnor Sadriu, Instruktor në Tërnoc (Bujanoc).

Duke pasur parasysh përbërjen demografike sidomos në Preshevë, numri i shqiptarëve në Serbi i afrohet shifrës 100 mijë. Përgjigje, dilemat do të marrim pas një nëntorit, datë kur përfundon regjistrimi i popullsisë dhe publikimit zyrtar të rezultateve.