Nga Harilla Rebi

Sot, me 15 Maj 2020 mbushen 65 vjet nga i krijimi i regjimentit te pare me avione luftarake reaktive. Ne kuadër të ketij përvjetori Harilla Rebi i uron nga zemra të gjithë ish-efektivët e këtij regjimenti si dhe familjet e tyre, urimet më të mira, mbarësi dhe lumturi. Lexim te kendshem

Baza ajrore e Kucovës në 65 vjetorin e krijimit, histori dhe arritje

Ju pëlqen!

Në prag të Luftës së Dytë Botërore, Italia fashiste synonte ta shtrinte pushtetin, jo vetëm në vendin tonë, por dhe më gjerë, në Ballkan e Afrikë. Kreu i Italisë fashiste, Benito Musolini, bënte thirrje nëpër Europë me slloganin se, ushtria italiane do të mposhte shpejt e shpejt çdo rezistencë dhe do të okuponte gjithë Greqinë. Për këtë qëllim ata bënë edhe investime për ndërtime strategjike dhe ushtarake në vendin tonë. Një nga këto ndërtime ishte edhe aerodromi i Kuçovës, i cili u ndërtua në hapësirën gjeografike midis lumit Osum dhe qytetit të Kuçovës, në vitet 1938-1939. Ky ishte një aerodrom i thjeshtë i pakompletuar mirë, por i mjaftueshëm për të siguruar veprimet luftarake ajrore dhe i shërbeu trupave italiane në periudhën tetor 1940-prill 1941(Lufta Italo-Greke). Atëherë avionët luftarakë italianë kryen shumë misione në frontin e luftimeve kundër ushtrisë greke.

Mbas Luftës së Dytë Botërore gjithçka në këtë aerodrom ishte e shkatërruar, si pa lënë “nishan”, por kishte ngelur pista e shtruar me asfalto-beton dhe dy kullat metalike që shërbenin për vrojtuesit optiko-pamor.

Mbasi mbaroi Lufta e Dytë Botërore, çlirimi i Atdheut tonë përbënte një nga momentet më të rëndësishëm të Shqipërisë. Edhe një herë u provua se liria dhe krenaria kombëtare duhej të mbroheshin me çdo sakrificë dhe gjak, por ato janë pa vlerë në qoftë se nuk shoqërohen me një përgatitje të lartë luftarake, shoqëruar me armatime dhe municione bashkohore, aq më tepër që kemi patur fatin e keq të të qenit midis fqinjëve shovinistë e të pabesë. Prandaj shqiptarët në strukturimin e shtetit të ri i dhanë përparësi edhe mbrojtjes së vendit, duke e vënë theksin tek hartimi i strategjisë kombëtare për mbrojtjen.

Në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, për herë të parë në historinë e popullit tonë, u shtrua detyra për krijimin e Armës së Aviacionit Luftarak, si pjesë e rëndësishme e Forcave të Armatosura Shqiptare.

Në vitin 1945 u dërguan në Jugosllavi disa të rinj, ish partizanë të dalë nga lufta, jo vetëm si fitimtarë, por edhe të kalitur me guxim, trimëri dhe vendosmëri për të marrë përsipër e për t’u bërë luftëtarë të qiellit. Në ato shkolla u përgatitën pilotë teknikë dhe specialistë të aviacionit, të cilët menduan që më 24 Prill 1951, të realizonin fluturimin e parë në hapësirën ajrore të Republikës së Shqipërisë, saktësisht në Tiranë. Po në këtë datë u krijua formacioni i parë ushtarak për këtë armë, skuadrilja autonome në aerodronim e Laprakës me avionë luftarakë Jak-9, Jak-11 dhe Jak-18. Për rritjen e aftësive fluturuese, një pjesë e këtyre kuadrove, mbas prishjes së marrëdhënieve diplomatike me Beogradin, u dërguan në Rusi në shkolla prestigjioze për trajnimin dhe përvetësimin e avionit reaktiv të tipit Mig-15. Krahas këtyre masave në funksion të këtij tipi, po punohej për ndërtimin e aerodromit të ri, në afërsi të Kuçovës, me pistë të betonuar të gjatësisë 1800 m, i cili mbaroi së ndërtuari në fillim të vitit 1955. Po në këtë periudhë aviacioni shqiptar u kompletua me 22 avionë luftarakë: Mig-15 dhe 4 avionë luftarako-mësimorë UTI-Mig15. Në 15 maj 1955, me vendim të posaçëm të Kuvendit Popullor, Nr. 81, shënohet dita e krijimit të njësisë më të madhe luftarake me komandant kolonel Niko Hoxha, dëshmor i atdheut të cilit iu dorëzua flamuri luftarak me mbishkrimin “Regjimenti 23 i Aviacionit Gjuajtës Bombardues Peza”.

Vlen për t’u theksuar fakti se shqiptarët krijuan Regjimentin e parë luftarak me një mungesë të plotë përvoje dhe tradite për këtë armë dhe e filluan betejën me një teknikë shumë të avancuar për kohën. Avioni Mig-15 i përket gjeneratës së parë të avionëve luftarakë me motorr reaktiv, i cili doli si rezultat i garës së armatimeve midis Lindjes dhe Perëndimit dhe i dha provat në Luftën e Koresë. Në këtë garë, në qiellin e Koresë avioni Mig-15 demonstroi të dhëna taktiko-teknike më të mira ndaj kundërshtarëve të tij. Pikërisht një pjesë e këtyreve avionëve që erdhën në Shqipëri kanë qenë pjesë organike e Divizionit Gjuajtës-Bombardues rus të dislokuar në Korenë e Veriut.

Ndërsa për aviacionin tonë ky avion ka qenë një vlerë shumë e madhe, madje edhe me shumë merita. Me këtë avion u krijua Arma e Aviacionit Luftarak, ku u përgatitën shumë kuadro për komandimin e njësive të reja ajrore, si dhe u përgatitën pilotë, teknikë e specialistë në Shkollën e Lartë të Aviacionit në Vlorë.

Data e krijimit të Regjimentit Luftarak të Kuçovës nuk është e rastësishme. Kjo datë ka lidhje me 14 majin 1955, që shenjon edhe ditën e krijimit të ish Traktatit të Varshavës, brenda këtij konteksti Regjimenti i Kuçovës do të funksiononte mbi bazën e mbështetjes nga kjo aleancë, si për të drejtat e studimit për kuadrot e aviacionit, si dhe për furnizimet e ndryshme materialo-teknike që siguronin stërvitjen dhe gatishmërinë luftarake.

Në vitin 1956, Regjimenti mbi bazën e një planifikimi vjetor, filloi stërvitjen ajrore, mbështetur në rregulloret dhe instruksionet për këtë qëllim. Pilotët dhe gjithë efektivi të përqendruar në detyrat e tyre, shumë shpejt siguruan kompaktësinë dhe gatishmërinë luftarake të Regjimentit.
Në 1957 dhe në vitin 1958, pilotët e gatishmërisë roje në aerodromin e Kuçovës, u ngritën në ajër dhe detyruan dy avionë të huaj, shkelës të hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë, të cilët u ulën në aerodrome. Këto dy raste u bënë lajm sensacional për radio-stacionet europiane, duke theksuar se shqiptarët i kanë dalë për zot qiellit të tyre.

Nëntori i vitit 1960 shënon periudhën e prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, për rrjedhojë dhe daljes de fakto nga Traktati i Varshavës, si dhe u pasua për të patur Republikën Popullore të Kinës partner të ri strategjik.

Në një klimë të ngrohtë politike dhe i angazhimit kinez për të na ndihmuar, u krijuan mundësitë për ta ngritur aviacionin tonë në një stad më të lartë, për të marrë teknikë moderne për një aviacion sasior dhe cilësor. Qeveria shqiptare synonte të krijonte Armën e Aviacionit të pavarur nga të tjerët. Kërkesat shqiptare qenë të mëdha. Një sasi avionësh, bashkë me mbështetjen logjistike, do të ishin barë e rëndë në raport me numrin e popullatës dhe territorin e vendit tonë. Ato filluan të vinin në portin e Durrësit nëpërmjet vaporëve transoqeanike të Shoqërisë “CHAL” që në fillimet e viteve 1960.

U kërkua baza materialo-didaktike si dhe avionët e lehtë për stërvitjen e studentëve në Shkollën e Lartë të Aviacionit, që u krijua në qytetin e Vlorës për përgatitjen e kuadrove pilotë-teknikë dhe specialistë për armën e aviacionit. Edhe kjo një sukses i madh për kohën.

Uzina për riparimet e avionave dhe motorat e tyre u ndërtua në Bazën Ajrore Kuçovë. U ngrit edhe një linjë e posaçme në Uzinën e Rafinerisë në Ballsh për prodhimin e karburanteve për avionat. Kujtojmë gjithashtu ndërtimin e Bazës Ushtarako-Ajrore në Zadrimë të Lezhës, kompletuar me aviona luftarakë dhe me një projekt modern. Me të njëjtin projekt duhej të bëhej edhe ristrukturimi dhe kompletimi i Bazës Ajrore të Kuçovës.

Projektet kineze për ndërtimin e bazave ajrore në Shqipëri, ishin të diktuara nga situatat politike mjaft të tensionuara midis Rusisë dhe SHBA. Dy superfuqitë dhe disa vende perëndimore, armët bërthamore i kishin bërë pjesë organike të armatimit për përdorimin e kësaj arme në situata të veçanta, madje duke i përshtatur avionët bombardues me rreze veprimi të madhe, mjetet detare përfshi dhe nëndetëset, si dhe raketat tokë-tokë po me rreze ndërkontinentale.
Thirrjet për një luftë bërthamore patën shkaktuar frikë, panik dhe pasiguri në botë. SHBA dhe disa vende perëndimore në planizimin luftarak kishin vënë në rreth të kuq mbi 1000 objekte strategjike të vendeve të Lindjes, si objekte me përparësi për t’u goditur në situata të veçanta, ndërsa në territorin tonë qenë planifikuar Tirana dhe Kuçova.
Brenda këtij konteksti specialistët ushtarakë punonin për të gjetur mundësi për t’u mbrojtur nga kjo armë shkatërrimtare dhe e vetmja zgjidhje ishte strehimi i popullatës duke ndërtuar tunele.

Në këto kushte, teknika luftarake dhe armatimi i ardhur nga Republika Popullore e Kinës, shoqëroheshin me projekte të posaçme për tunelizimin. Fillimi i punimeve për ndërtimin e bazës ajrore në Gjadër dhe ristrukturimi i bazës së Kuçovës, i përket periudhës së viteve 1960-1970, për të cilat punonin forcat tona xheniere, ndërsa zbatimi i projekteve ndiqej nga asistenca kineze.

Në 1974, Ministria e Mbrojtjes Popullore emëroi komandën dhe disa shefa kryesorë, si pjesë organike e bazës së re në Gjadër, me qëllim që të ndiqnin nga afër punimet. Ne që ishim pjesë e stafit kontrollues, e më pas edhe komandues, atje gjetëm një kantier të madh ndërtimi, punimet qenë përqendruar në hapjen e tuneleve rrëzë malit Kakariq. Si fillim nuk mund të kuptonim si mund të funksiononte baza, aq më tepër që flitej se projekti parashikonte edhe ngritjen e avionave direkt nga tuneli, ndërsa para tuneleve kalonte lumi Drin dhe pak më përpara ndodhej fshati i madh i Gjadrit. Gjithçka u sqarua nëpërmjet projekteve, si nga kryeinxhinieri i Regjimentit të Xhenios, por edhe nga specialistët kinezë. Këta të fundit këtë projekt e vlerësonin shumë dhe kishte gjetur zbatim në disa vende, megjithëse për ndërtimin e tij kërkohej një investim i madh. Kostoja për ndërtimin e bazës ishte afërsisht sa ajo që u përdor për hidrocentralin e Fierzës(!)

Tunelet nuk vlerësohen thjesht si një strehim i betonuar, por edhe si një vepër arkitektonike që në anën funksionale dhe ndërtimin strukturor, harmonizon shumë mirë bashkëpunimin midis komandës së bazës, komandat e skuadriljeve dhe ato të shërbimeve të ndryshme për të siguruar gatishmërinë e teknikës dhe efektivit që të kryejnë detyrat luftarake në ajër e në vazhdimësi.

Baza e vendosur në tunel siguronte një autonomi të gjatë veprimi, e pavarur në pikëpamje të rezervave.

Ndërsa për ngritjen direkt që nga tuneli, një shok kinez, nga ata tipat, të cilët kur duan të shpjegojnë diçka, më shumë qeshin sesa flasin, tha: “Pilotat shqiptarë do ngrihen nga tuneli, ashtu siç ngrihet shqiponja nga foleja e saj në shkëmb!” Një përkufizim që më pëlqeu se kishte edhe diçka poetike, ndërsa në pikëpamje profesionale mbetej për ta provuar.
Punimet për ndërtimin e bazës përfunduan në fillim të vitit 1976, mbasi u bënë koalidimi i pajisjeve përkatëse nga specialistët e bazës. Më 12 prill, në një ditë festive, baza u dorëzua nga Komanda e Regjimentit të Xhenios. Në tetor erdhi teknika e fundit nga Republika Popullore e Kinës, pra 12 avionë Mig-19 dhe 6 avionë Mig-17 luftarako-mësimorë, me të cilët u kompletua plotësisht organika e Bazës Ajrore të Gjadrit. Në vijim komanda, shtabi dhe gjithë efektivi, duke punuar me përkushtim dhe entusiazëm, shumë shpejt filluan stërvitjen ajrore dhe vendosën gatishmërinë luftarake për mbrojtjen e hapësirës sonë ajrore.

Në janar të vitit 1979 u transferova për të shërbyer në Bazën Ajrore Kuçovë, edhe në këtë bazë punonte një batalion xhenier për të plotësuar kërkesat e projektit kinez. Pista kryesore ishte zgjatur në 2700 m. Kishte mbaruar tuneli i strehimit të avionave, bashkë me ofiçinën e riparimit të mesëm për avionat, si dhe depoja e materialeve teknike. Ishte ndërtuar pista e ngritjeve urgjente, direkt nga tuneli dhe shumë elemente të tjerë, që përbënin ristrukturimin e bazës.

Afër me tunelin e avionëve, në thellësi të kodrës, rreth 27 m, ishte përfunduar dhe dorëzuar nga komanda e xhenios, vendkomanda e bazës, e cila u plotësua me pajisjet përkatëse dhe u vendos në gatishmëri luftarake.

Krahas punimeve të kryera dhe kompletimi me tri skuadrilje të ardhura nga RPKinës, Baza Ajrore e Kuçovës u kompletua si një bazë e standarteve të larta dhe ishte e veçantë, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe më gjerë.

Këto ndryshime sasiore dhe cilësore, diktuan dhe implementimin e konceptit për mbrojtjen sipas doktrinës së Artit Ushtarak Popullor, sidomos në gjetjen e mënyrave të reja të përdorimit luftarak, të cilat kërkonin të bëheshin reforma, duke lënë mbrapa kërkesat e diktuara nga ish Komanda e Traktatit të Varshavës.

Specialistët përkatës hodhën idenë se detyrat parësore të Aviacionit Luftarak Shqiptar, si një vend i vogël me kundërshtarë të fuqishëm, do të ishin veprimet racionale me grupe të vogla avionash çift dhe katërshe, dhe objektet kryesore të ishin avionët e transportit të desantit ajror, goditja e objekteve tokësore të armikut në mbështetje të trupave tona, si dhe kundër objekteve detare. Rëndësi e veçantë i kushtohej fluturimeve në lartësi të vogla, duke shfrytëzuar terrenin kodrinor dhe malor për të siguruar befasinë e goditjes.

Pikërisht për këto kërkesa të reja, Baza Ajrore e Kuçovës me efektivin e saj u angazhua në studime dhe eksperimentime të ndryshme ushtarake, që do t’i shërbenin programeve stërvitore të pilotave.

Në vitin 1972 u eksperimentua një variant taktik i katërshes së avionave për goditjen e “baterisë së artilerisë armike” në poligonin e Qafës së Kumbullës në jug të Beratit. Duke shfrytëzuar terrenin, fluturimi u krye në lartësi të vogël për të siguruar goditjen në befasi e për t’i hedhur bombat në objekt. Mbas bombardimit katërshja në vazhdimësi shpërndau formacionin për goditjen e objektit me topa dhe raketa ajër-tokë, sipas një radhe të studiuar mirë që objekti të mbahej vazhdimisht në goditje nga drejtime të ndryshme. Demonstrimi i kësaj manovre spektakolare la mbresa dhe u befasuan të gjithë ata që iu dha rasti për të parë. Ndërsa një delegacion ushtarak kinez, i cili e ndoqi nga afër këtë eksperimentim, u shpreh me vlerësime pozitive për pilotat shqiptarë.

U eksperimentua goditja e kolonave të desantit. Në agim për këtë qëllim në rolin e avionit “armik”, mbas mesnatës, pa u zbardhur, një avion i bazës ngrihej në ajër të kryente një fluturim sipas një itinerari të përcaktuar nga komanda. Ndërsa avionët e gatshëm ngriheshin në ajër me urdhër të vendkomandës që realizonin kapjen dhe “goditjen” e desantit në agim.

U përgatitën dhe u vendosën në det objekte të posaçëm për stërvitjen e pilotave për qitjet nga ajri, si dhe u bënë disa stërvitje të përbashkëta me Bazën Luftarake Detare të Pashalimanit për goditjen e objekteve me silura. Në vijim u eksperimentuan manovra të reja për bombardimin nga lartësi të vogla etj.

Në dhjetor 1982 doli si nevojë vënia në gatishmëri dhe ngritja e avionave luftarakë në ajër direkt nga tuneli, me gjithë hezitimin nga komanda eprore. Komanda e bazës mori masa të plota dhe kreu eksperimentimet e para.

Ngritjet direkt nga tuneli qenë befasuese nga marrja e urdhrit që piloti të ngrihej në ajër dhe deri në mbledhjen e rrotave të avionit. Kjo etapë përfshinte lëshimin e motorrave, dalja në brezin e ngritjes dhe ngritja, e cila arrinte në 1 minutë e 37 sekonda, shkurtimin e kohës së ngritjes e ka favorizuar edhe pista, e cila ka një pjerrësi rreth 6,8%.

Mbas këtij eksperimentimi u përpilua një material i hollësishëm me të dhënat dhe karakteristikat e veçanta për t’i shërbyer pilotave në rast ngritjesh nga tuneli. Me këtë rast u kuptuan më mirë vlerat e tunelizimit të bazës.

Ky projekt i zbatuar në bazat ajrore të Kuçovës dhe Gjadërit, siguronte mbrojtje të sigurtë nga armët e fuqishme, portat e rënda të tunelit, të dyja në hyrje dhe me largësi 10 m nga njëra-tjetra, janë llogaritur të përballojnë goditjet me forcë deri në 7 megaton dhe mundësia që të jep për t’u ngritur në befasi dhe shpejt në ajër, duke shtuar këtu edhe fluturimin në lartësi të vogla, i zvogëlon mundësitë e kundërshtarit për të kundërvepruar.

Baza Ajrore e Kuçovës në vitet 1970-’80, duke përballuar një intensitet të madh fluturimesh, aerodromi “gumëzhinte” si kosheret e bletës në pranverë.

Kishte periudha që në të gjitha ditët e javës zhvilloheshin fluturime, jo vetëm për qëllime stërvitore të pilotave, por edhe fluturime në interes të reparteve kundërajrore, si dhe testimin e avionave që dilnin nga uzina pas riparimit kapital. Në këtë intensitet fluturimesh u bë edhe një studim për ngarkesën tek pilotat, për këtë u caktuan 4 pilota për të bërë 8 fluturime ditën. Me një kontroll rigoroz nga vendkomanda e bazës dhe mjeku i pilotave, u konstatua se mbas fluturimeve të tretë e të katërt, cilësia e realizimit të fluturimeve dhe të dhënat shëndetësore kishte përkeqësime të lehta.

Në muajin shkurt 1981, në aerodromin e Kuçovës erdhi regjisori i Kinostudios “Shqipëria e Re”, zoti Saimir Kumbaro, bashkë me stafin e kinostudios për të xhiruar një film me temë nga aviacioni dhe për t’u shfaqur më 24 prill, në 30 vjetorin e krijimin të kësaj arme. Xhirimi i filmit “Gjurmë në kaltërsi” ka kontributin e efektivit të bazës, të cilët punuan me përkushtim që filmi të përfaqësonte me vërtetësi punën e vështirë në Armën e Aviacionit, si dhe që ky film t’i shërbejë kujtesës së brezave për të kuptuar se mbrojtja e Atdheut kërkon përkushtim dhe sakrifica.

Në muajin gusht 1985, baza e Kuçovës kishte marrë pamje festive, zbukuruar me flamuj e banderola. Patën ardhur të deleguar nga Kuvendi Popullor me një grup të ftuarish dhe dekoruan flamurin luftarak me medalionin e Urdhërit të Klasit të Parë, me motivacion: “Për shërbime të shquara në fushën e mbrojtjes”.

Për 40 vjet që nga periudha e krijimit të Regjimentit të Kuçovës, deri në vitet e para të tranzicionit shqiptar, në këtë aerodrom janë harxhuar shumë energji, djersë dhe gjak. 9 Dëshmorë të Atdheut ranë gjatë kryerjes së detyrave në ajër me një moshë mesatare 28 vjeç!

Dëshmori i parë ishte komandanti i skuadrilies, Vasil Trasha, në vitin 1958, u pasua nga studentI Jovan Kaçori, komandanti i skuadrilies Hektor Lako, komandanti i ekipazhit Stilian Tranka, zv/komisari i Regjimentit Hazbi Serani, komandanti i ekipazhit Veiz Kovaçi, komandanti i ekipazhit Haki Skuqi dhe të fundit në vitin 1991 u vranë komandanti i katërshes Fluturim Molla, bashkë me pilotin, komandantin e ekipazhin Eduart Kostdhima.

Dëshmorët e Aviacionit Luftarak Shqiptar qëndrojnë në Panteonin e Përjetësisë. Ne veteranët dhe kolegët e tyre u përulemi me nderim dhe respekt të thellë për vendosmërinë që kishin për t’i shërbyer kësaj arme pa marrë parasysh jetën e tyre. Ne jemi të ndërgjegjshëm se ngjarjet e jashtëzakonshme apo katastrofat ajrore, janë pjesë e këtij profesioni madhor. Të gjithë e dimë se në çastin kur shkëputesh nga toka, suksesi e disfata, fitorja apo humbja, ecin së bashku dhe janë plotësisht në vartësi të shumë faktorëve, shpesh edhe rastësor, ku influencojnë shpejtësia dhe lartësia e fluturimit, problemet me teknikën që kërkojnë guxim, gjakftohtësi, aftësi profesionale, por edhe fat. Fatkeqësisht në vende të ndryshme kohët e fundit kanë ndodhur disa katastrofa të rënda.

Ka kaluar një kohë relativisht e gjatë që nga koha e fluturimeve, rreth dy dekada, që rajoni i Kuçovës po kalon një periudhë heshtje dhe në mungesë të plotë të zhurmave nga motorrët reaktivë. Por një lajm i mirë na vjen nga Këshilli i Atlantikut të Veriut që do të investojë për zbatimin e një masterplani në Bazën Ajrore të Kuçovës, sipas standarteve të NATO. Ky investim është dëshmi e qartë e vendosmërisë dhe angazhimit të vazhdueshëm të Aleancës së Atlantikut dhe SHBA për vendin tonë dhe rajonin.

Me këtë investim vendi ynë vihet në një standart tjetër më serioz, që përbën dhe një siguri dhe garanci për popullin tonë.

Ky investim për një bazë operacionale sipas standarteve të NATO, na bën të ndihemi krenarë.

Marrja e këtij vendimi për të investuar në Bazën Ajrore të Kuçovës, erdhi si rezultat i disa faktorëve:

Së pari lidhet me kontekstin gjeopolitik dhe qëllimi i përforcimit të sigurisë dhe stabilitetit në rajon, nga pozicioni gjeografik i kësaj baze lejon të realizohen veprime luftarake në interes të NATO-s, jo vetëm brenda hapësirave të Ballkanit Perëndimor, por edhe në spektër më të gjerë. Në pikpamje të kushteve meteorologjike, nga përvoja jonë shumëvjeçare në këtë aerodrom fluturimet nuk janë penguar në katër stinët e vitit në raste shumë të rralla fluturimet janë penguar nga mjegulla dhe era e fortë anësore mbi 15 m/s.

Struktura ndërtimore e saj është shumë funksionale, pista bashkë me rrugët lidhëse janë të përshtatshm për çdo lloj avioni, përfshi këtu edhe për aviona me tonazh të rëndë.

Nga zbatimi i projektit kinez në vitet ’70, mbetën pa u ndërtuar depot dhe sistemi i furnizimit me karburant. Këto objekte priten të plotësohen në kuadër të këtij investimi të ri. Përveç këtij fakti, masterplani i komandos së Natos, me investimet që do kryejë, baza kompletohet me të gjitha pajisjet të teknologjisë bashkëkohore.

Megjithatë ka edhe mjaft objekte ekzistuese, të cilët mund të shërbejnë në vazhdimësi. Sistemi i tuneleve në këtë bazë janë dhe mbeten objekte me vlerë të madhe që mund të shfrytëzohen, duke patur parasysh se rreziku i armës bërthamore është evident. Edhe objektet mbitokësore mund të përdoren, sidomos ato të uzinës së riparimit të avionave. Një avantazh tjetër që ka kjo bazë është ekzistenca e puseve të naftës në afërsi të saj. Çpimet e reja në zonën e Shpiragut kanë nxjerrë naftë cilësore dhe si të tillë mjafton që kjo naftë të përpunohet në një rafineri të profilizuar për prodhimin e karburanteve dhe lubrifikantët për avionët. Sigurimi me pak kosto është një zgjidhje shumë e mirë për Komandën e NATO, kur dihet se baza do qarkullojë me mijëra ton karburant në vit. Ndërsa për ekonominë tonë do të jetë një burim i mirë financiar.

Investimi që bëhet në Bazën Ajrore të Kuçovës do të sjellë edhe një zhvillim ekonomiko-social. Kështu ka ndodhur edhe me fqinjët tanë ku bazat ushtarake kanë patur një ndikim të madh në progresin ekonomik të tyre.

Ish kuadrot e bazës që shërbyen për disa dekada, kanë krijuar lidhje fisnore, miqësore dhe shoqërore me popullatën e asaj zone. Vetëm nga efektivi rezervist, punonjësit e Uzinës Mekanike të Naftës, apo ajo e riparimit të avionëve, në situata të veçanta, qindra njerëz bëheshin pjesë organike e bazës sonë, prandaj dëshirojmë që ky investim ushtarak, mund të ndikojë për të mirën e familjeve të këtyre njerëzve të mirë.

Ndërsa ne nostalgjikët e aviacion presim me kënaqësi të dëgjojmë edhe një herë ison e ëmbël të motorrëve reaktivë në qiellin e Kuçovës.

Në kuadër të përvjetorit të 65 të krijimit të regjimentit, dëshiroj të uroj nga zemra të gjithë ish-efektivët e këtij regjimenti si dhe familjet e tyre, urimet më të mira, mbarësi dhe lumturi.”

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!