Partia Demokratike ka reaguar ashper pas vendimit te qeverise per hapjen e kazinove. Ne nje deklarate per mediat, ish-deputeti i PD-se, Enkelejd Alibeaj thekson se “Rikthimi tek projekti kriminal i kazinove dhe bixhozit është një nga tradhëtitë më të mëdha që Edi Rama u ka bërë qytetarëve për llogari të krimit të organizuar”.

Sipas tij, Rama, i cili deklaroi dy vjet më parë se deputetët e tij ishin kërcënuar nga burgu 313 për të mos ndaluar lojrat e fatit, duhet t’u përgjigjet tre pyetjeve pa u fshehur pas heshtjes fajtore.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ENKELEJD ALIBEAJ

Me një vendim haptazi në kundërshtim me ligjin, që ka miratuar vetë, qeveria ka lejuar hapjen e kazinove në një zonë në qendër të Tiranës ku, së fundi, janë dhënë disa leje ndërtimi për kulla dhe ku ndodhet aktualisht një kazino, të cilës i ka mbaruar liçensa.

Edhe pse ligji e ndalon shprehimisht hapjen e kazinove në zonat që nuk janë shpallur si me rëndësi kombëtare për turizmin, Edi Rama ka vendosur që ta injorojë këtë gjë.

Rikthimi tek projekti kriminal i kazinove dhe bixhozit është një nga tradhëtitë më të mëdha që Edi Rama u ka bërë qytetarëve për llogari të krimit të organizuar.

Pasi flaku në rrugë mbi 10 mijë persona të punësuar në bizneset e lojrave të fatit, Edi Rama ka vendosur t’i përqendrojë ato në pak duar.

Edi Rama ka shkelur premtimin që ju bëri shqiptarëve se nuk do të lejonte që lojërat e fatit të shkatërronin mijëra familje dhe jetë njerëzish.

Lotët e krokodilit për familjet që mbeteshin pa bukë se kryefamiljari luante bixhoz, janë tharë tani, pak muaj para zgjedhjeve, kur në ortakëri me krimin ka marrë vendim qeverie në cilat kulla dhe në cilat rrugë në Tiranë lejohet hapja e kazinove.

Zonat janë:

•Sheshi Skënderbej, i rrethuar i gjithi me kulla gjigande në ndërtim.
•Sheshi pas pallatit të Kulturës, edhe aty është bërë pazari për një kullë.
•Parku Rinia, me kazinonë e Tajvanit
•Zona pranë Sahatit, ku po ndërtohet një kullë
•Zona pas ish Teatrit Kombëtar, që provon edhe një herë se Edi Rama e shembi dhunshëm Teatrin për të ndërtuar edhe aty kulla për pastrimin e parave të pista jo vetëm në ndërtim, por tani edhe me kazino.
•Zona prapa Presidencës. Aty po ndërton ish pronari i kompanisë më të madhe të bixhozit dhe që media e ka lidhur biznesin e tij me familjen e Edi Ramës.

Raportet dhe të dhënat në Shqipëri tregojnë se biznesin e kazinove dhe të bixhozit e ka drejtuar krimi i organizuar. Pas kësaj shkelje të premtimit të Edi Ramës dhe vendimit për të hapur kazino në Tiranë, janë ortakëria me krimin e organizuar, me të cilin Edi Rama bashkëqeveris prej gati 20 vjetësh, në Bashkinë e Tiranës dhe në zyrën e kryeministrit të vendit.

Takimet e javëve të fundit me eksponentë të krimit të organizuar janë një indicie e mjaftueshme që SPAK të zbulojë dhe hetojë një nga skemat më të zeza të Edi Ramës me botën e krimit.

Vetë Edi Rama, i cili deklaroi dy vjet më parë se deputetët e tij ishin kërcënuar nga burgu 313 për të mos ndaluar lojrat e fatit, duhet t’u përgjigjet pyetjeve pa u fshehur pas heshtjes fajtore.

1.Për llogari të cilëve të burgosur tek 313-ta po mbush qendrën e Tiranës dhe ish bllokun me kazino?
2.A përfitojnë nga ky vendim i marrë në fshehtësi ndonjë nga personat që ka takuar 2 netë më pare apo gjatë javëve të fundit?
3.A është lejimi i kazinove pjesë e pazarit të mbyllur me shokët e përgjimeve të Vangjush Dakos?

Sa më shumë të heshtë Edi Rama për këto pyetje, aq më i kapur është nga krimi.

Në Shqipëri ka ardhur koha të mos ketë vend për një kryeministër ortak dhe peng të krimit. Vendi i vetëm i këtyre politikanëve bashkëpunëtorë të krimit kundër interesave të qytetarëve është para drejtësisë dhe prapa hekurave!