REAGIM ndaj lajmit “Skandal: Qindra ushtarë të FSK-së aplikojnë për viza pune në ambasadën e Gjermanisë” , të portalit Albanian Post të dates 07.02.2022.
Ministria e Mbrojtjes, me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, përmes këtij njoftimi zyrtar, reagon ndaj lajmit të rrejshëm të portalit Albanian Post me titull “Skandal: Qindra ushtarë të FSK-së aplikojnë për viza pune në ambasadën e Gjermanisë”, të shpërndarë pastaj edhe nga disa portale tjera online.
Ky lajm, sikur edhe ai i datës 13 janar 2022, i të njëjtit medium, për gjoja largimin e forcave amerikane nga Bondsteel-i, i cili u demantua edhe nga vet autoritetet zyrtare të Ambasadës Amerikane në Kosovë, duke u cilësuar nga ta edhe si lajm i rremë i modelit dezinformues rus, është trillim i plotë, propagandë qëllimkeqe, dezinformatë si dhe shkrim tendencioz dhe i pavërtetë.
Republika e Gjermanisë është ndër partnerët tanë më të rëndësishëm në fushën e mbrojtjes dhe se prej vitesh kemi bashkëpunim bilateral intenziv në mes dy ministrive dhe forcave respektive.
Për këtë arsye, me qëllim të realizimit të planeve të përbashkëta dhe objektivave tanë, Ministri Mehaj ka relacione të ngushta dhe komunikime të rregullta me ambasadorin gjerman Jorn Rohde, për çështjet me interes që ata vlerësojnë nga pozitat zyrtare të tyre respektive.
Dezinformata se, kinse, tema e aplikimit për viza e pjesëtarëve të FSK-së, ka qenë temë diskutimi në takimin e tyre, është absurde, plotësisht e pavërtetë, dhe ka për qëllim dezinformimin dhe shkaktimin e konfuzionit të opinionit, qytetarëve dhe aleatëve tanë.
Gjithashtu, gënjeshtra për gjoja aplikimin për vizë të qindra pjesëtarëve të FSK-së në Ambasadën Gjermane, ka qëllim për të paraqitur rrejshëm, një situatë shqetësuese dhe gjoja nivel të lartë demotivimi në radhët e pjestarëve të FSK-së.
Siç kemi njoftuar sistematikisht, Ministria e Mbrojtjes dhe direkt Ministri Mehaj, në kuadër të përgjegjësive zyrtare, ka realizuar dhe realizon pandërprerë komunikim të rregullt me dhe nga të gjitha nivelet e organizimit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së dhe se moralin e lartë të pjesëtarëve të FSK-së e konfirmon më së miri angazhimi, përkushtimi, si dhe sukseset me rezultate shumë të larta në shkollime, stërvitje e operacione të pandërprera.
Krahas synimit për ngritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve njerëzore, sistemeve të armatimit, kapaciteteve materiale e infrastrukturore, objektivë me prioritetet shumë të lartë e Ministrit Mehaj është përkujdesja dhe mirëqenia ekonomike e pjesëtarëve të FSK-së.
Rritja e pagave si dhe përmirësimi i kushteve të arsimimit, stërvitjeve, akomodimit, transportit, ushqimit, si dhe përkujdesjes dhe sigurimeve shëndetësore janë preokupimi kryesor aktual i Ministrisë së Mbrojtjes, krahas zhvillimit dhe avancimit sa më të madh të aftësive dhe kapaciteteve operacionale të FSK-së për përmbushjen e plotë të misionit kushtetues dhe detyrave ligjore.
Zyra për Marrëdhënie me Publikun dhe Mediat
Prishtinë, më 08.02.2022
MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot të paktën edhe me 1 Euro!