Shaban Syla cili gjendet në burgun e Dubravës, ka ngritur dyshimet rreth sulmit ndaj familjes së tij.

Syla ka deklaruar se djali i tij Leutrim Syla ka pas armë dhe sipas tij këtë e ka mbajtur për ta mbrojtur familjen pas sulmit me maska, nga njerëz të armatosur.

Sipas tij “njerëzit e armatosur”, janë djemtë e Gani Gecit.

“E që besojmë që janë djemtë e Gani Gecit”, ka thënë Syla për Express.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar ish-deputeti, Gani Geci.

Përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se njerëzit e Azem Sylës sa herë kanë probleme me drejtësinë fërkohen rreth familjes Geci.

Geci ka ftuar organet e drejtësisë t’i hetojnë djemtë e tij nëse janë pjesë e ngjarjes së fundit.

“Ftoj organet e rendit hetuesisë dhe drejtësisë që të hetojë djemtë e mi, vëllezërit e mi, nipat e mi e të gjithë njerëzit e mi të njohur e të pa njohur rreth dyshimeve të Shaban Sylës. Ndërsa jo vetëm Shaban Sylës, por kujtdo që ka dyshime çfarëdo qofshin ato unë dhe familja ime jemi të gatshëm t’i përgjigjemi për cilindo dyshim”, ka shkruar Geci në Facebook.

Ndërkaq, të shtunën pas një konflikti me armë zjarri në fshatin Nekoc të Drenasit, një person mbeti i vrarë.

Tashmë Policia, ka nisur hetimet dhe po merret me rastin në fjalë.