Reagim ndaj artikullit të psikologut Batjar Halili, „Etër e bij – dy botëra përballë njëra tjetrës“ të botuar më 03.08.2019 në portalet “Gazetaletrare” dhe “Kultplus”

Që në fillim, psikologut të nderuar, pasi ia kam lexuar disa artikuj, i sugjeroj, që të ngelet në profesionin që e ka studiuar, e jo ta marrë rolin e psikiatrit, të diagnostifikojë njerëzit si „psikopatë“, apo „sociopatë“, ngase kjo i përket fushës së psikiatrisë e jo asaj të psikologjisë.

Për artikullin në fjalë kam shumë vërejtje, por më kryesoret do t’i cek këtu:

Citoj:

„Gjeneratat 50 vjeç e sipër, shumica e tyre, kanë qenë emigrant në kërkim të sigurimit të bukës së gojës, dhe shkuarja e tyre në vende të përparuara dhe me kulturë evropiane këta i ka gjetur të papërgatitur, sepse kanë shkuar që nga bastuni (shtaga e çobanit), pra, nuk kanë patur profesion, nuk kanë patur shkollim, dmth maksimumi që mund të kenë patur është shkolla e mesme. Ata nuk kanë shkuar me familje në vendet e huaja,  kanë qëndruar të anashkaluar dhe këto aspekte kanë bërë që ata për disa vite me radhë të punojnë si punëtor krahu dhe të luftojnë me jetën. Disa prej tyre edhe janë martuar dhe i kanë lënë gratë e tyre, disa pak më me “seder familjare” nuk janë martuar, por kanë mbajtur dashnore dhe në realitetin e shoqërisë sonë janë prezantuar si “të ndershëm”. (me gabimet në drejtshkrim nuk do të merrem)

Në këtë citat vërehet se psikologu bën gabime shumëdimensionale.

Gjenerata mbi 50 vjeç (50-60 vjeçarët e sotshëm) e kanë pasur arsimimin më kualitativ nga të gjitha gjeneratat tjera, para dhe pas tyre. Këta migruan në vitet ‚90, si rezultat i represionit të Serbisë në Kosovë dhe një pjesë e madhe e tyre ishin intelektualët, që i ndoqi Serbia, por edhe të tjerë të shkolluar nëpër universitetet e shkolla rregullta.

Të thuash „ kanë shkuar që nga bastuni (shtaga e çobanit)“ për këtë gjeneratë është më shumë se fyerje.

50-60 vjeçarët e sotëm TË GJITHË, jetojnë bashkë me familjet në perëndim.

Unë nuk e njoh asnjë që e ka lënë gruan. Ndoshta dikush të fejuarën e ka lëne (edhe për të tjera shkaqe), por gruan asnjëri nga ta.

I rralli është punëtor krahu, shumica janë të punësuar në nivele të larta, inxhinierë, mjekë, arkitektë, arsimtarë, por edhe janë ndërmarrës të suksesshëm. Mu kjo gjeneratë (50-60 vjeçarët) e avancuan imazhin e shqiptarëve te vendësit në perëndim, me sukseset e tyre të dukshme.

Kështu qe nuk e di për kënd e ka fjalën psikologu i nderuar. Thjesht këso shqiptarë, siç ai i përshkruan, nuk ka. Ndoshta kishte më herët, d.m.th. gjeneratat që tashmë shumica nga ta kanë ndërruar jetë. Por sot nuk gjen të tillë.

Citoj:

„Kam patur rastin të shoh pensionist i cili thyente televizorët në shtepinë e tij vetëm pse djemtë e tij shikonin televizorin natën vonë, e shqetësonte fakti pse të rinjtë flinin ditën, e shqetësonte fakti se pse shkonin për të bërë plazh me familjen, por këta analfabetë dhe psikopatë të pengojnë që të realizosh vetveten edhe në shtëpinë tënde si komshij“

Këtu, psikologu i nderuar merr rolin e psikiatrit pa fare të drejtë duke dhëne diagnozën „psikopatë“ (nuk është shkrimi i vetëm ky, ku psikologu në fjalë jep diagnoza pa kompetencë)

TË GJITHË mbi 50 vjeç sot shkojnë vetë me familje në plazh, se lëre më tu pengojë fëmija i tyre. Ky është një vlerësim krejtësisht i pabazë.

Dhe „thyerja e televizorit“ nga pensionisti, që përmend zotëriu psikolog, nuk e di në ka ndodhur diku në ndonjë vend amerikolatin, se në Kosovë nuk besoj thjesht. 50-60 vjeçarët akoma nuk janë pensionuar (prej 65 vjeç fillon pensioni) dhe pensionistë nga mërgimi ka shumë pak, që të mund të flasësh për një shumicë mërgimtaresh (?!)

50-60 vjeçarët njihen si gjenerata kryengritëse, ngase e para është që e themeloi rok-un dhe pop-in kosovar (muzikë jo e dëshirueshme në socializmin komunist), bëri demonstratat më të organizuara të shekullit (300.000 protestues në Prishtinë kundër regjimit të Millosheviqit) dhe organizoi e ndërmori hapat vendimtar në faljen e gjaqeve (tuboi diku 500.000 shqiptarë). E këtë gjeneratë ta „pikturosh“ si „thyese televizorësh“ është vërtetë naivitet i skajshëm. Mu kjo gjeneratë ishte ajo që e ngadhënjeu komunizmin përmes rebelimit qytetar dhe në fund ishte edhe bartëse e luftës për çlirim.

Citoj:

„këta lloj tipash çekiça (çekanë) kanë shkuar dhe kur janë kthyer kanë gjetur një gjeneratë të re që i kanë parë si gozhda,  e ata në rolin e prinderit kanë menduar se duhet t’i rrahin në kokë siç goditen gozhdët. Por realiteti këtu ka funksionuar ndryshe. Rinia ka përparuar ose permes të mësuarit (shkollimit), ose përmes të parit dhe përvojave ndaj nuk pranojnë të shtypen, nuk konformohen lehtë me rregullat prindërve të tyre të modelit të çekanit, ata reagojnë dhe shprehin paknaqësi.“

Autori, psikologu i nderuar, bën këtu një huqje totale logjike.

Thotë: „Shkuan dhe kur erdhën“

Por zotëriu psikolog „i pasluftës“ harron se ku shkuan këta dhe harron se këta nuk u kthyen fare, përveçse gjatë pushimeve.

Këta shkuan në perëndim mor zotëri, ku e panë me sytë e vet se cila është kultura e perëndimit, e panë se vlerat, që i ka perëndimi janë vlera të vërteta (nuk ishin vlera ato, që ne kujtonim se perëndimi i ka dhe i zhvillonim vetë, pa krye)

Psikologu niset nga ajo, se mërgimtarët ngelën në momentin kur u ndanë nga vendlindja. Harron i nderuari psikolog se kultura edhe në perëndim përparon, jo vetëm në Kosovë. Dhe e dimë ne të gjithë që në Kosovë kultura ka degraduar, e jo përparuar. Mund të thuhet se morali, muzika, tradicionalja, teatri etj. pësuan rënie drastike. Përdorimi i narkotikëve, prostitucioni, hajnia, rrena e pabesia u shtuan tepër.

E për çfarë „çekani“ e ka fjalën zotëriu psikolog? Kur i kulturuari i vërtetë e pengon degradimin e kulturës nga të rinjtë, kjo qenka „çekani“ që psikologu po e paraqet të nivelit të ultë?! Ç’të bëjë ky „psikopati“ juaj zotëri psikolog? Të lejojë drogimin e bijve të vet, prostituimin e tyre?! Shndërrimin në gënjeshtar dhe në të pabesë?!

Këtë mërgimtari nuk e bën si „çekan mbi gozhde“, kurrë hiç, o zotëria juaj. Zotëri psikolog këtë ju as vetë nuk e dini de ku e keni parë, te cili 50-60 vjeçar, ngase ai që jeton në perëndim më së paku e ka një metodë të tillë edukuese. Si çdo mal që ka një ujk, edhe ndër mërgimtarë mund të ketë ndonjë rast, por është e padrejtë të flitet në shumës për këtë problem.

Në fund i sugjeroj psikologut të nderuar të kursehet nga fyerjet që u bën mërgimtarëve, ndonëse është ndoshta i frustruar me jetën e vet në raport me prindin… ngase 50-60 vjeçarët e sotëm, si në perëndim ashtu edhe në vendlindje, janë promotorët më të mëdhenj të zhvillimeve pozitive.

Dipl.-Ing. Faton Piraj

(Njëri nga „mbi 50 vjeçarët“)

/MekuliPress/ Nëse e keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike.
Loading...
[wpedon id=16879]