SINDIKATA E PAVARUR E RTK-SË

KRYESIA E SINDIKATËS

REAGIM

Ju pëlqen!

SPRTK: Hapja e konkursit për pesëmbëdhjetë (15) punësime të reja në RTK, në kohën kur e gjithë bota, përfshirë vendin tonë, po përballet me vështirësi të mëdha ekonomike, është papërgjegjësi e madhe.

 

PRISHTINË, 09.09.2020

Sindikata e Pavarur e RTK-së reagon ashpër kundër konkursit për punësime të reja në RTK, të shpallur para disa ditësh nga drejtuesit e RTK-së.

Hyrja në obligime të reja në kohën kur RTK po përballet me vështirësi të mëdha financiare, si pasojë e një keqmenaxhimi afatgjatë, do të thotë falimentim për Transmetuesin Publik.

Një veprim i tillë është në kundërshtim edhe me raportet e audituara, në të cilat  në vazhdimesi është thënë që të mos ketë punësime të reja për shkak se rrezikohet seriozisht funksionimi i mëtutjeshëm i Transmetuesit Publik.

Perveç punësimeve në RTK-TV, drejtuesit e RTK-së kanë shpallur konkurs edhe në Radio Kosovë. Ështe jashtë çdo logjike normale të ketë punësime të reja në Radio Kosovë, kur dihet se aty, aktualisht janë të sistemuar rreth dyqind (200) të punësuar.

Sipas publikimeve të RTK-së, në fund të vitit 2019, RTK kishte 796 të punësuar të rregullt dhe 238 bashkëpunëtorë të jashtëm, që i bie gjithsej 1034 të punësuar.

SPRTK kërkon nga organi drejtues dhe mbikëqyrës i RTK-së, Bordi i saj, që të ndërmarrë të gjitha masat në mënyrë që ky konkurs të anulohet menjeherë.

Gjithashtu, Bordi duhet te marrë vendim që të ndalen të gjitha punësimet në RTK, deri në zgjidhjen përfundimtare të borxheve milionëshe, hapësirave të punës dhe financimit të qëndrueshëm. Anëtarët e rinj të bordit e kanë mundësinë ta dëshmojnë se në këto pozita janë  për të mirën e Transmetuesit Publik, dhe të mos veprojnë si shumica e anëtarëve të Bordeve të kaluara të cilët për përfitime personale e familjare, i mbyllnin sytë e veshët para vendimeve degraduese të Menaxhmenteve të RTK-së.

Përveç pamundësisë financiare, RTK ka gjithashtu mungesë të hapësirave të punës për sistemimin e të punësuarve aktual, e mos të flasim për sistemim të stafit të ri.

RTK ka kuadro të mjaftueshme profesioanle, dhe vetëm nevojitet që secili prej tyre të sistemohet në pozitën e duhur.

RTK ka nevojë më shume se kurrë për investime në pajisje dhe teknologji të re, e jo të vazhdojë të shpenzojë shuma marramendëse të parasë për huazimin e tyre nga kompani private, prapa të cilave qëndrojnë persona vendimarrës të RTK-së.

Hyrja në obligime të reja financiare, në kohën kur i gjithë globi përfshirë vendin tonë, po përballet me vështirësi të mëdha si pasojë e pandemisë, është papërgjegjësi e madhe dhe rrezikon të ardhmen e të punësuarve të RTK-së.

SPRTK  i siguron të punësuarit e RTK-së, se nuk do të rrinë duarkryq, dhe duke mos përjashtuar asnjë mjet ligjor do të kundërshtojnë çdo veprim që cenon të ardhmen e Transmetuesit Publik dhe të punësuarve të saj.

Me respekt,

Fadil B.Hoxha

Kryetar i SPRTK-s

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.